Kryefaqja Aktualitet Mes varfërisë dhe aborteve: Rrethi vicioz i grave të papuna në Shqipëri

Mes varfërisë dhe aborteve: Rrethi vicioz i grave të papuna në Shqipëri

0
Shpërndaje
Ilustrim grafik nga Jurgena Tahiri/BIRN.

Gratë e papuna nga periferitë e qyteteve të Shqipërisë janë ende të rrezikuara nga abortet dhe nga mungesa e qasjes në shërbimet e shëndetit riprodhues, shpeshherë me kosto të larta shëndetësore dhe psikologjike.

Entela Bajramaj

Një vit më parë në maternitetin e Beratit, mjeku e paralajmëroi Fatmën se një abort tjetër mund t’i rrezikonte jetën, por ajo nuk u lëkund.

Gruaja 37-vjeçare është e papunë dhe jeton nën kufirin e varfërisë me të ardhurat që i shoqi fiton nga mbledhja e hekurishteve. Fatma ka lindur dy herë dhe ka abortuar nëntë herë të tjera përgjatë dy dekadave–pasi siç thotë ajo, nuk ka asnjë mundësi që të rrisë një fëmijë tjetër.

“Nëse do të kisha shtëpi dhe mundësi, do t’i mbaja të gjithë fëmijët,” tha ajo.

Historia e Fatmës nuk është e izoluar.

Mijëra gra të papuna nga periferitë e qyteteve të Shqipërisë u detyruan të kryenin abort në pesë vitet e fundit, shpeshherë me pasoja shëndetësore dhe psikologjike, në një betejë të heshtur kundër varfërisë.

Sipas Institutit të Shëndetit Publik, në periudhën 2015-2019 raportohen të jenë kryer mbi 27 mijë aborte në total ose 1 abort për 5.5 lindje – një trend në ulje krahasuar me vitet e mëparshme. Nga numri total i aborteve, gati 2/3 raportohet se kanë ndodhur në mënyrë spontane.

Megjithatë, rreth 72% e grave që përjetuan një abort vullnetar apo spontan në pesë vitet e fundit, i përkasin kategorisë së disavantazhuar të grave të papuna dhe të pasiguruara.

Niveli arsimor është një tjetër faktor penalizues, pasi gati gjysma e aborteve raportohet të jenë kryer nga gra dhe vajza me arsim të ulët ose 8-vjeçar.

Gratë e intervistuara në këtë shkrim hezituan fillimisht të flisnin për përvojën e tyre me ndërprerjen e shtatzanive të padëshiruara, ndërsa i justifikuan abortet me papunësinë, varfërinë apo gjendjen e vështirë ekonomike. Ato thanë gjithashtu se kishin përjetuar ndjenja faji dhe pendese, por zakonisht e mbajnë të fshehtë faktin që kanë kryer abort.

Në të gjitha rastet, gratë u ishin drejtuar metodave të planifikimit familjar vetëm pas eksperiencave të përsëritura dhe të dhimbshme me abortet.

Arjana Muçaj, psikologe dhe pedagoge në Fakultetin e Shkencave Sociale e konsideron abortin një “zgjedhje të detyruar” dhe me kosto për shumë gra nga qytete të vogla dhe me papunësi të lartë në Shqipëri.

“E përjetojnë si humbje, si shkëputje të një pjese të trupit të tyre,” tha Muçaj. “Nëse do të kishte mirëqënie, kjo nuk do të ishte zgjedhja e saj,” shtoi ajo.

Pasojat e keqplanifikimit familjar nuk janë të vetmet për gratë nga komunitetet e disavantazhuara.

Sipas mjekëve gjinekologë dhe ekspertëve të shëndetit publik, e njëjta kategori grash dhe vajzash ka qasje të ulët në shërbimet e shëndetit seksual dhe riprodhues –shpeshherë me kosto të rënda për jetën dhe shëndetin e tyre.

Ende një tabu

Gjatë regjimit komunist në Shqipëri, ndërprerja e shtatzanisë ishte e paligjshme dhe konsiderohej një akt kriminal. E megjithatë, me qindra gra mendohet të kenë humbur jetën si pasojë e aborteve ilegale, të cilat fajësohen si shkaktari kryesor i vdekshmërisë amëtare në Shqipërinë komuniste.

Aborti u legalizua në fillim të viteve ’90 dhe rregullohet me një ligj të vitit 1995. Ndërprerjet e shtatzanisë lejohet të kryhen deri në javën e 12-të dhe pas kësaj kohe, vetëm në rastet kur një komision mjekësor vlerëson se shtatzania rrezikon jetën ose shëndetin e nënës.

Sipas mjekëve gjinekologë dhe aktivistëve të shoqërisë civile, gratë dhe vajzat nga komunitetet e disavantazhuara përballen ende me vështirësi dhe stigmë për qasjen e tyre në metodat e planifikimit familjar apo në shërbimet e shëndetit riprodhues.

Ata rendisin një sërë faktorësh frenues, të tillë si mentaliteti patriarkal, varfëria dhe sensibilizimi i ulët.

Mjekja gjinekologe, Mimoza Keta është një ndër pionieret e para të fushatave sensibilizuese për planifikimin familjar dhe shëndetin riprodhues në vitet ’90. Ajo e kujton atë periudhë si shumë të vështirë, pasi gratë nuk bindeshin që të bënin qoftë edhe vizitat gjinekologjike.

“Më beso që ishte shumë e vështirë që të thyeje tabunë. Unë shkoja dhe mundohesha në familje të ndryshme që t’i bindja gratë që të kryenin vizitën gjinekologjike,” kujton Keta për punën e saj në zonat rurale të Librazhdit, Elbasanit dhe Tiranës.

Mjekja e shpjegon hezitimin për të përdorur metodat e planifikimit familjar me mentalitetin e trashëguar nga regjimi komunist, kur gratë shpërbleheshin për numrin e lartë të fëmijëve të lindur, e madje konsideroheshin ‘nëna heroike’.

Megjithatë, nën petkun e propagandës komuniste, shumë gra e paguan me jetë.

“Në atë periudhë kishim një ose dy gra në muaj që vdisnin si pasojë e abortit të provokuar,” shtoi ajo.

Tre dekada pas rënies të komunizmit, pak gjëra kanë ndryshuar për gratë e zonave rurale apo të varfra të Shqipërisë. Në dekadën e fundit, qarku verior i Kukësit ka shënuar rënien më të lartë të lindshmërisë dhe raporton historikisht një numër të ulët abortesh.

Por sipas Vera Istrefajt –ish drejtuese e qendrës së Gruas, shumë gra nga zonat rurale nuk munden ende të marrin vendime për jetën e tyre dhe as më pak të të kenë qasje në shërbimet e shëndetit riprodhues dhe në metodat e planifikimit familjar.

“Nga kontakti që kemi patur me stafin shëndetësor, kryesisht në zonat rurale, kemi konstatuar që qasja e grave drejt shërbimit shëndetësor është i munguar,” tha Istrefaj.

“Konsiderohet që vetëm gratë që janë në fazën e riprodhimit, gratë që kanë pranë burrat e tyre mund të kenë një qasje më të lehtësuar drejt shërbimit shëndetësor gjinekologjik, ndërkohë që të tjerat janë të diskriminuara apo frikësohen ta kenë këtë qasje,” shtoi ajo.

Istrefaj nuk e përjashton mundësinë që për shkak të turpit, vajzat dhe gratë e Kukësit t’i drejtohen Tiranës apo Kosovës për aborte apo për shëbime të tjera të shëndetit riprodhues.

“Ndoshta sepse këtu njerëzit njihen, po shkove në maternitet të shohin. Frika e nxjerrjes së informacionit ekziston,” tha Istrefaj. “Këtu është komunitet i vogël dhe frika se A shikon B dhe B i tregon C e bën më pak të aksesushëm këtë lloj shërbimi,” shtoi ajo.

Pasojat e aborteve  

Fatma është anëtare e komunitetit rom në Berat dhe kujton se dikur dëshironte të kishte një familje të madhe. Fëmijën e parë e lindi në moshën 17-vjeçare, por kuptoi shpejt se rritja ishte shumë e vështirë.

Herën e parë që iu drejtua maternitetit të Beratit për abort, ajo përjetoi ndrojtje dhe frikë. Megjithatë, Fatma tha se kishte pasur gjithashtu frikë të përdorte kontraceptivë dhe u rikthye në maternitet për të abortuar pothuajse një herë në dy vjet.

“Unë nuk di as të shkruaj, as të lexoj, as pesë klasë shkollë nuk kam bërë,” tha ajo. “Ky fakt më ka lënë pa punë dhe shumë herë më ka bërë të marr vendime ndoshta të gabuara”.

Pjesmarrja e grave në tregun e punës në Shqipëri është shumë herë më e vogël sesa e burrave dhe në qarkun jugor të Beratit, papunësia konsiderohet një ndër problemet themelore. Berati ka raportuar historikisht një numër i lartë abortesh në raport me popullsinë dhe sipas mjekut gjinekolog, Leka Papa kanë përgjithësisht një emërues të përbashkët.

“Shkaku kryesor që çon në abort vajzat apo gratë në Berat është ai ekonomik,” tha Papa në ambientet e maternitetit, që për shkak të rikonstruksionit është zhvendosur në ish-shërbimin Infektiv.

“Por ka edhe faktorë të tjerë… Te vajzat e reja të pamartuara është fakti që partneri nuk i përkrah dhe ato kanë frikë të jenë nëna të vetme,” shtoi ai.

Papa kujton se abortet ishin shumë herë më të larta në numër në vitet 1995-2005, kur gratë dhe vajzat regjistroheshin në maternitet me emër të rremë. Ndërsa vëren një rënie drastike të lindshmërisë dhe aborteve në vitet e fundit, mjeku Papa është i shqetësuar për rritjen e aborteve spontane.

“Ndoshta puna që kryejnë, këtu në Berat gratë punojnë në fasoneri, ku dihet që ka kimikate të ndryshme si dhe kanë punë me pesha,” tha ai.

Mjekja gjinekologe, Mimoza Keta thotë se aborti është shpesh një barrë e rëndë psikologjike, që shumë vajza dhe gra e përballojnë të vetme.  Ajo thekson se nënat përndiqen nga ndjesi faji dhe u duket sikur kanë vrarë një njeri, ndërsa abortet spontane përjetohen me ndjesinë e pazotësisë për të lindur.

“Ka nëna që kanë arritur deri në vetëvrasje për shkak të një aborti,” tha ajo.

Psikologia Arjana Muçaj shprehu gjithashtu shqetësimin se pas përvojave të tilla, gratë nuk kërkojnë ndihmë.

“Problemi është se shumica e tyre nuk janë nëna të informuara dhe pavarësisht se ka shumë projekte nga organizatat në terren, është e vështirë të preken të gjitha familjet shqiptare,” shtoi ajo.

Kamela, 21 vjeç dhe nënë e një fëmije, e mbart ende ankthin e një aborti të kryer gjashtë vjet më parë. E rritur në një familje të varfër, ajo u detyrua të braktiste shkollën dhe të martohej në moshën 15-vjeçare. Kur ngeli shtatzanë për herë të parë, ajo vendosi të abortonte.

“Normalisht ke një ndjesi të keqe, ti vret diçka që është brenda teje,” tha Kamela. “Pendohesh për atë që ke bërë, por ngushëllohesh që më mirë të mos e sjellësh në jetë, që të mos vuajë,” tha ajo pas hezitimit për të treguar historinë e saj.

Nevoja për sensibilizim

Ministria e Shëndetësisë e konsideron shëndetin seksual dhe riprodhues si një nga komponetët më të rëndësishëm të punës së saj, por ekspertët ngrejnë pikëpyetje nëse shërbimet e ofruara mbërrijnë në shtresat vulnerabël të shoqërisë.

Ata theksojnë gjithashtu se se sistemi shëndetësor ka probleme në zbatimin e protokolleve për metodat e planifikimit familjar si dhe duhet të ketë një rol më aktiv në sensibilizimin dhe kryerjen e shërbimeve në dobi të shëndetit riprodhues.

“Ne sot kemi gra në Shqipëri që nuk kanë bërë një herë në jetë një Pap Test. Por kjo do të thotë të kapësh kancerin e qafës së mitrës në fazë shumë të hershme dhe të shpëtosh një jetë,” tha mjekja Keta.

Ajo është gjithashtu kritike me mungesën e informimit mbi pasojat e aborteve nga sistemi shëndetësor apo për mënyrën se si zbatohen protokollet e planifikimit familjar.

“Pa i kryer ekzaminimet, i thonë merr këto kokrrat dhe je në rregull. Ose bëjnë një injeksion një herë në tre muaj, pa shpjeguar se çfarë ndodh më pas,” tha Keta.

Sipas Leka Papës nga materniteti i Beratit, parandalimi i shtatzanive të padëshiruara apo i problemeve të tjera shëndetësore do t’u kursente shumë probleme grave dhe vajzave nga ky rajon. Megjithatë, ai e konsideron nivelin e ulët ekonomik dhe arsimor një pengesë në këtë drejtim.

“Parandalimi është falas, konsulta me mjekun është falas dhe metodat e kontracepsionit janë falas, kështu që s’ka kosto të parandalosh,” tha mjeku gjinekolog, i ndërgjegjshëm se niveli ekonomik dhe arsimor e pengon parandalimin.

Ndonëse metodat parandaluese nuk mungojnë në qendrat shëndetësore, Vera Istrefaj thotë se duhen gjetur mënyrat që t’i afrojnë gratë dhe vajzat drejt këtyre qendrave.

“Për gratë dhe vajzat e Kukësit do të ishte e vështirë që të afroheshin për të bërë trajnime të ndryshme në lidhje me shërbimet gjinekologjike apo për të marrë kontraceptivë falas,” tha Istrefaj.

“Futja e mekanizmave të tjerë që mund të jenë grupime të ndryshme që vijnë qoftë edhe një ditë në muaj apo tre muaj në këto zona, do ta bënte më atraktive dhe më të përdorshme këtë gjë nga gratë dhe vajzat,” shtoi Istrefaj.

Megjithatë, një pjesë e grave vazhdojnë të kenë ndjesi të përziera.

Në qytetin e Beratit, Vera, 28 vjeç dhe nënë e shtatë fëmijëve është në një luftë të përditshme për mbijetesë. Me sytë e ngulitur në dysheme, ajo thotë me turp se nuk kishte dashur të bënte kaq shumë fëmijë, ndërsa shton: “Po ç’ti bëj burrit”!

Ky botim u realizua në kuadër të Projektit “Të luftojmë dezinformimin dhe të rrisim transparencën dhe llogaridhënien në sektorin e shëndetësisë”, i cili po zbatohet nga shoqata “Together for Life” dhe BIRN Albania  dhe mbështetet financiarisht nga British Embassy Tirana.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here