Infermierët dhe sanitarët e pushuar nga puna në qytetin e Tepelenës kanë nisur sot një protestë masive. Me dhjetëra punonjës kanë kërkuar të merret parasysh vjetërsia e punës. Punonjësit e shkarkuar kanë kërcënuar se do të bllokojnë spitalin deri në grevë urie nëse nuk zgjidhet problemi i tyre. Protestës u janë bashkuar dhe mjekët e spitalit të Tepelenës.
Ditë më parë rreth 60 punonjës të spitalit të Tepelenës janë njoftuar se duhet të lënë vendet e tyre të punës. Personeli i spitalit të Tepelenës ka dënuar këtë vendim të Ministrisë të Shëndetësisë, e cila me një urdhër ka shkurtuar 57 infermierë dhe sanitarë.
Shkurtimet në staf prekin dhe spitalin e Memaliajit, në të cilin duhet të lënë punën deri në fund të vitit 25 infermierë e sanitarë. Një protestë e tillë u paralajmërua dhe priten përshkallëzime të saj.
Ditët e fundit, në sektorin e shëndetësisë me anë të një urdhri të ministrisë ka filluar fshesa ndaj punonjësve të spitaleve. Drejtori i Spitalit të Rrëshenit dha dorëheqjen, duke mos marrë përsipër urdhrin për të hequr nga puna njëherësh 30 punonjës. Kjo nuk ka ndodhur në Spitalin e Tepelenës, drejtoresha e të cilit pas vendimit të ministrisë për të shkarkuar 57 punonjës nuk paraqitet në punë. Të larguarit nga puna thonë se kanë kërkuar të kontaktojnë me drejtoreshën e spitalit, Edjona Braha, për të mësuar më shumë në lidhje me këtë vendim, por ajo ka 8 ditë që nuk paraqitet në punë.
Të larguarit nga puna pretendojnë se në vend të tyre janë vendosur infermierë dhe sanitarë jo në nivelin e kualifikimit që kanë ata.
Protesta e punonjësve të spitaleve të Tepelenës dhe Memaliajit nuk është e para në sektorin e shëndetësisë.
Infermieret dhe sanitaret e spitalit të Lushnjës pas njoftimit për t’u larguar nga puna u ngritën në protestë. 36 punonjëse të spitalit të Lushnjës u pushuan nga puna pas një urdhri të ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Infermierët dhe sanitarët kanë mbi 20 vite punë dhe janë të vetmet të punësuara në familje. Sipas tyre, përzgjedhja e emrave të punonjësve të spitalit të Lushnjës për t’u hequr nga puna është bërë mbi baza politike./ Shëndet Plus


