Miratohet projektligji për tregtimin e produkteve kozmetike, 1 vit kohë për aplikimin e rregullave të reja

Elona Tereziu / Shëndeti Online dhe gazeta ‘Shëndet+’

Është miratuar sot në Komisionin e Shëndetësisë  ‘Projektligji për Produktet Kozmetike’. Ky ligj, i cili miratohet për herë të parë në vendin tonë, pritet të rregullojë veprimtarinë prodhuese të këtyre produkteve dhe vendosjen e tyre në treg.

Sipas ministrit  të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, për hyrjen në fuqi të këtij ligji do iu lihet një vit kohë operatorëve të ndryshëm në treg, ndërkohë që për të gjithë shkelësit që tregtojnë produkte të pacertifikuara, apo dëmtojnë shëndetin e individit, përfshirë këtu parukiere, estetiste, por edhe mjekë, do ndërmerren sanksione ligjore.

‘’Ky projektligj ndoshta ka qenë i nevojshëm të vinte edhe më përpara, por në këto katër vite në kemi pasur primare barnat dhe materialet mjekësore. Puna për hartimin e tij ka filluar që prill të vitit 2015, por, si një fushë relativisht e re, jo vetëm për ne por edhe për vendet e BE-së, na u desh pak kohë për të arritur këtu sot.  Ligji do të ketë një shtrirje të gjerë dhe hyrja e tij në fuqi do të  ketë një periudhë përgatitore 1-vjeçare në mënyrë që ne të kemi kohën e nevojshme për ta rishikuar, por dhe operatorët e ndryshëm të mos kenë pengesa në zhvillimin e sipërmarrjes së tyre. Lidhur me masat, duke iu referuar dhe ligjit, për të gjithë ata që dëmtojnë shëndetin e dikujt do të ketë sanksione ligjore, këtu nuk do bëjnë përjashtim as mjekët”.

Ndërkohë që struktura e vetme monitoruese  në treg do të jetë Inspektoriati Shtetëror i Shëndetësisë, ministri Beqaj u pyet nga deputetet e opozitës sesi do arrijnë ta kontrollojnë atë kur tregtimi i produkteve kozmetike sot bëhet në tezga,  rrugë, dyqane  e supermarkete.

“Nuk kemi në plan të vendosim një sistem gjurmimi për këta produkte, sepse këtë gjë s’kemi arritur ta bëjmë ende për barnat, por fakti që kemi kërkuar një vit kohë që ky ligj të zbatohet në mënyrë të plotë, do të thotë se kemi marrë kohën e nevojshme për procedurat administrative, mënyrat e deklarimit dhe miratimit të këtyre produkteve dhe kapacitetet e ekspertimit që duhet të ngremë për kontrollimin, vlerësimin e cilësisë dhe vendosjen në treg”.

Ndërkohë, Eltar Deda, kryeinspektor i Sektorit Shtetëror të Shëndetësisë, shpjegoi dhe procedurat ligjore që duhet të ndjekin këto subjekte për certifikimin e produkteve të tyre.

“Për çdo subjekt i cili është importues ose prodhues, 6 muaj para se ta hedhë produktin në tregun shqiptar është i detyruar që në mënyrë elektronike ose shkresore të sjellë gjithë materialet e domosdoshme pranë komisionit të ngritur përpara Ministrisë së Shëndetësisë.

Ndërsa çdo kompani e cila është importuese, do të ketë një person përgjegjës të deklaruar pranë MSH dhe i njohur nga ana jonë si Inspektorati Shtetëror i Shëndetësisë. Ky do të jetë i vetmi individ që do të ketë  të drejtën për të futur produkt në Shqipëri dhe për ta tregtuar atë me shumicë, dhe ky person pastaj do të deklarojë një person tjetër përgjegjës, i cili do ta çojë produktin kozmetik në pikën fundore, ku do të jetë përsëri i detyruar të deklarojë se kujt ia ka shitur këtë produkt”./ https://shendeti.com.al/

Postime të ngjashme

Shkarkohet drejtori i Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor! Ja kush emërohet
Kastraveci: Këto janë përfitimet e tij më të rëndësishme
Çfarë dihet për rastet e hantavirusit të lidhura me shpërthimin vdekjeprurës në anijet turistike
Zakonet që do t'ju "shpëtojnë" nga fryrja e barkut
PCOS tani quhet PMOS. Çfarë duhet të dini rreth ndryshimit të emrit dhe çfarë do të thotë kjo për kujdesin
Sterilizimi, shtyhet seanca ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj
Studimi i ISHP: Të rriten taksat për pijet me sheqer, të ulen për të shëndetshmet
Ngacmoi seksualisht pacienten 21-vjeçare, arrestohet kirurgu