Bisedoi: Iliada Kovaçi
Ardhja e stinës së vjeshtës po sjell një ndryshim në situatën aktuale përsa i takon pandemisë. Duke lënë pas ditët e nxehta të verës ku rastet arrinin mbi 1000 infektime cdo ditë, duket se ky fillim sezoni është më i qetë duke shënuar më pak se 100 raste në ditë. Mjeku dr. Petrit Gjorgji, foli për gazetën Shëndeti lidhur me rënien e numrit të rasteve me Covid dhe situatën aktuale në urgjencën e QSUT.
“Aktualisht këtu vijnë deri në 300 raste në ditë. Rastet në përgjithësi janë patologjitë e 6-katëshit që përfshijnë sëmundjet e zemrës, ato gastrologjike, endokrinologjike, hematologjike, renale, alergologjike e me rradhë. Është edhe urgjenca neurologjike që e mbulon urgjenca jonë. Vlen të theksohet se vazhdojnë të jenë mbi 50 raste gjendje febrile, rastet infective.”
Ndërkohë, rikonstruksioni i spitalit infektiv ka rritur fluksin e punës në urgjencë, ku sipas mjekut mungojnë hapsirat fizike për t’ju përgjigjur të gjitha rasteve. Duke theksuar se këtë problem e kanë ngritur dhe më parë në media ai shprehet duke thënë se: “Nuk e dimë se kur do kalojnë rastet e infektivit, e kam thënë edhe herë të tjera në media këtë shqetësim që ne kemi. Kjo është urgjencë që nuk mban, nuk ka as hapësira fizike ku të ulim të sëmurët dhe ky shqetësim është bërë edhe mediatik. E kemi thënë në media por uroj të na e hapin urgjencën atje të lehtësohemi. Pra vazhdojmë të jenë akoma raste me gastro-interite, me gjendje febrile që janë shtesë nga urgjencat e zakonshme që kemi pasur.”
Lidhur me rënien e numrit të të infektuarve me Covid-19 Dr. Petrit Gjorgji shpjegon se: “Për covidin nuk kemi patur shumë raste, ka një rënie të numrit. Une si infeksionist mendoj që vaksina ka bërë punën e vet dhe si duket mutacionet që pësoi virusi duke kaluar muaj dhe vite se tashmë u bënë mbi dy vjet, mendoj që vaksina e ka bërë punën e vet dhe pacientët mbi gjysmën e popullatës besoj që e kanë kaluar Covidin në forma të rënda apo më të lehta dhe është krijuar një farë imuniteti. Raste që shtrohen janë pak nuk ka shumë, para 5-6 ditësh dëgjova që janë 2 shtrime.”

