Kryefaqja Femijet Mjeku përgjigjet: Urinimi i pavullnetshëm te fëmijët, si t’i japim zgjidhje problemit

Mjeku përgjigjet: Urinimi i pavullnetshëm te fëmijët, si t’i japim zgjidhje problemit

1
Shpërndaje

Urinimi i pavullnetshëm gjatë natës tek fëmijët është një problem shqetësues si për fëmijën, ashtu edhe për prindin. Pas moshës 3-vjeçare prindërit presin që fëmija i tyre të mos urinojë natën. Por, për t’u shqetësuar është kur kjo gjë vazhdon pas moshës 5 vjeç. Në këto raste prindi rekomandohet ta çojë fëmijën për një vizitë te mjeku pediatër. Mjeku pediatër analizon me kujdes të gjitha shkaqet e mundshme të urinimit të pavullnetshëm të fëmijës gjatë natës.

urinimi-inkontinenca-femije1E rëndësishme është që të përcaktohet a ka apo jo një shkak fiziologjik apo patologjik të fëmijës për këtë problem.

Mjeku neuropediatër Artan Haruni, lidhur me këtë problem referon një rast pacienti, duke i dhënë përgjigje kështu shqetësimit të shumë prindërve. Për gazetën “Shëndet+”, mjeku Haruni flet për rastin e një fëmijë 5 vjeç, i cili ka rifilluar të urinojë pas një viti që prindi e ka mësuar të ngrihet e të shkojë vetë në banjë.

Shqetësimi i ngritur ishte ky: “Kam një djalë 5 vjeç. Një vit më parë, kur ai ishte 4 vjeç, fillova ta mësoj të zgjohej natën për të urinuar. E zgjoja 2-3 herë gjatë natës për ta detyruar të urinonte në banjë. U desh rreth një muaj që ai të mësohej të shkonte vetë gjatë natës për të urinuar. Më pas, shkoi tek daja i vet për disa ditë dhe u kthye i sëmurë për një javë rresht. Rifilloi të urinonte në shtrat. Kjo ndodhi 6 muaj më parë. Unë bëra gjithçka që dija. Ndihem e pashpresë. Jam tepër e kujdesshme me të. Përpiqem të mos e shqetësoj dhe as t’i lë të kuptojë se ka diçka që nuk shkon mirë. Një ditë e pyeta se përse nuk zgjohej natën si më parë vetë, kur donte të urinonte, dhe ai m’u përgjigj: “Sepse ndihem shumë i lodhur dhe nuk ngrihem dot”.  Nuk arrij të kuptoj përse gjithçka u kthye si më parë. Ju lutem, kërkoj ndihmë!” 

Mjeku Artan Haruni sqaron: Në këtë rast është e rëndësishme të kërkohet shkaku përse urinimi gjatë natës u rikthye. Urinimi në shtrat gjatë natës, në gjuhën mjekësore quhet Eneuresis Nocturnea. Kjo situatë haset shpesh në fëmijëri dhe sipas studimeve prek rreth 13% moshatarëve të djalit tuaj. Tek fëmijët të cilët nuk fitojnë aftësinë për të kontrolluar urinimin gjatë natës, kemi të bëjmë me Eneurezë Nokturne Primare. Kjo përbën dhe llojin që haset me shpesh.

Nëse fëmija e fiton aftësinë për të kontrolluar urinimin gjatë natës për të paktën 3 muaj dhe rifillon përsëri, kemi të bëjmë me Eneureze Nokturne Sekondare. Pra, fëmija juaj bën pjesë në grupin e dytë.

Kjo lloj eneureze zakonisht nuk shkaktohet për shkak të kapacitetit të vogël të vezikës apo të paaftësisë për t’u zgjuar. Për të trajtuar fëmijën tuaj, më parë duhet të gjejmë shkakun.

Ju jeni treguar e zgjuar që e keni pyetur përse ai rifilloi. Sa herë që tek një fëmijë vihet re një ndryshim në sjelljen e tij, gjëja më e rëndësishme është të pyetet ai direkt rreth problemit. Përderisa fëmija juaj iu përgjigj kësaj pyetjeje, kemi një pistë të mirë për të filluar kërkimin.

Pikë së pari duhet të gjejmë përse fëmija juaj ndihet i lodhur. A ka qenë kështu dhe gjatë ditës? A ka fjetur sa duhet? Përpara se të supozojmë se kemi problem të sjelljes, është mirë të sigurohemi që nuk kemi të bëjmë me diçka që është jashtë kontrollit të tij.

Duke qenë se simptomat filluan pas një sëmundjeje të zgjatur, duhen kërkuar arsyet pse është i lodhur pas një sëmundjeje. Disa infeksione mund të shkaktojnë tek fëmija anemi. Shenjat e anemisë mund të përfshijnë gjumë të tepërt, irritabilitet, mungesë oreksi, zbehje e lëkurës, lodhje, performancë të ulur në mësime.

Gjithashtu, edhe hipotiroidizmi mund të shkaktojë shenja lodhjeje. Duhet eksploruar aparati urinar. Një pyetje e rëndësishme është nëse fëmija juaj urinon pavullnetshëm edhe gjatë ditës. Kjo duhet sqaruar, sepse nëse ndodh kështu, duhet parë për ndonjë problem organik.

Për të gjitha këto, ju duhet të kontaktoni patjetër me mjekun.

Pasi të kemi përjashtuar shkaqet organike të urinimit të pavullnetshëm, duhet të investigojmë në drejtim të sjelljes. Për të filluar këtë, nuk është e nevojshme që ju të zgjoheni në mes të natës. Ajo që duhet të bëni, është që ta detyroni që djali juaj të shkojë në banjë përpara se të flejë. Fakti që ai është i lagur dhe në kushtet jo komforte të lagështisë, ne duhet ta përdorim si faktor nxitës që t’i ndryshojmë atij sjelljen.

Kur fëmija të ngrihet nga gjumi në mëngjes dhe ka lagur, duhet edukuar që ta çojë ai vetë çarçafin në vendin e larjes. Është e rëndësishme që kjo të mos shihet si një ndëshkim, por një mënyrë për ta bërë atë më të përgjegjshëm dhe për t’i treguar që ky është një hap që duhet kapërcyer.

Është e rëndësishme të pakësohet pirja e lëngjeve pas orës 19:30. Kujtojeni atë përpara se të flejë të përpiqet të jetë i kujdesshëm dhe i thoni se ju shpresoni që ai të mos urinojë në shtrat.

Një faktor tjetër për t’u marrë në konsideratë, është ndryshimi i dietës që mund të ketë shkaktuar urinimin natën.

A ka pasur ndonjë ndryshim në mënyrën e të ushqyerit që kur ai ishte i sëmurë?

Në literaturë thuhet se ushqime të ndryshme, si qumështi dhe nënproduktet e tij, kafeina, lëngje agrumesh, drithërat, sheqeri i tepërt dhe lëngjet me gaz mund të luajnë rol në urinimin gjatë natës.

Nëse ka pasur ndonjë ndryshim në dietën e tij qysh prej sëmundjes, ju duhet të merrni në konsideratë faktorin ushqimor si shkak i mundshëm. Duhet të eliminoni atë produkt të ri nga dieta e tij për një periudhë dyjavore me qëllim që të përcaktoni nëse ky është shkaku i këtij problemi.

Urinimi natën tek fëmijët kërkon kohën dhe përkujdesjen e duhur për t’u zgjidhur. Fëmijët ndihen në siklet para një situatë të tillë. Ju keni vepruar drejt, duke u treguar korrekte dhe e kujdesshme me fëmijën tuaj. Mospërdorimi i tonit të ashpër dhe përfshirja e fëmijës në zgjidhjen e këtij problemi, do të ndihmojë cilindo që ka të njëjtin problem si ju.

 

1 Koment

  1. Pershendetje dashta me vet mjekun e kam nje djal 9 vjeqar prej moshes 3 vjeqre kur ja kom jek pampersi asnje her ska ndodh qe te laget naten ama tash ka dy dit qe naten laget E jam e shqetesuar a duhet ta qoj te mjeku apo nuk Ka diqka qe te shqetsohem

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here