Gëzimi i të drejtës mbi pronën konsiderohet si një nga drejtat më të rëndësishme të njeriut. Por në Shqipëri gratë vazhdojnë të hasin vështirësi në gëzimin e kësaj të drejte. Kjo e drejtë e mohuar për rreth gjysmën e popullsisë së vendit i bën gratë shqiptare të varura ekonomikisht nga familjarët meshkuj: nga babai, vëllai, bashkëshorti, djali, duke ndikuar jo vetëm në pavarësinë e saj, por edhe duke ia vështirësuar jetesën.
Pronësia mbi pasuritë e paluajtshme private të llojeve truall, tokë bujqësore, pyll dhe kullotë është në raportin 18.5% në emër të grave dhe 81.5% në emër të burrave, sipas Agjencisë së Trajtimit të Pronave. Në të njëjtat raporte është edhe pronësia mbi pasuritë e paluajtshme private të regjistruara të llojit banesë.
Legjislacioni shqiptar, specifikisht dispozitat e Kodit Civil për trashëgiminë, parashikojnë të drejta të barabarta si për burrat, ashtu edhe për gratë në Shqipëri, por në praktikë ekzistojnë disa pengesa që e kufizojnë barazinë e gruas me burrin në gëzimin e së drejtës për të trashëguar. Janë disa faktorë që e bëjnë të vështirë gëzimin e kësaj të drejte prej tyre.
Tradita shoqërore në Shqipëri u njeh djemve përparësi në trashëgiminë e pronës familjare. Është e zakonshme që vajzave të familjes t’u kërkohet të heqin dorë nga pjesa e pronës familjare që trashëgojnë, për t’ua kaluar pjesën e tyre meshkujve të familjes, kryesisht vëllezërve. Heqja dorë nga prona ndodh me imponim, me detyrim, me presion, apo mashtrim.
Gratë heqin dorë nga pronësia, sepse ato janë pak apo aspak të informuara për të drejtat që u njeh ligji dhe nuk i njohin të drejtat e tyre pronësore. Edhe nëse i njohin këto të drejta, gratë ‘heqin dorë’ prej tyre për shkak të mentalitetit, traditës apo normave zakonore e kulturore me të cilat rriten. Gratë ndihen të dobëta përballë presionit familjar dhe shpesh krijojnë edhe vetë bindjen se bashkëshorti kontribuon më shumë në ekonominë familjare, ndaj e drejta mbi çdo pronë të familjes i takon atij më shumë se kujtdo. Dhe gratë ashtu si burrat janë të bindur se prej pasardhësve të tyre, trashëgimi i emrit dhe pasurisë së familjes i takon djalit.
Në mbi 80% të rasteve prona e përbashkët e paluajtshme është e regjistruar vetëm në emër të bashkëshortit ose të kryefamiljarit dhe jo ashtu siç detyron ligji: në emër të bashkëshortëve. Kjo i krijon shumë probleme bashkëshortes, në rast të humbjes së jetës së bashkëshortit, pasi pjesa takuese e saj në pronë mund të ndahet mes pasardhësve, pa i dhënë asaj mundësinë ta gëzojë.
Në mentalitetin shoqëror në Shqipëri, ka ndikuar shumë edhe periudha e sundimit të regjimit komunist ku njihej vetëm prona shtetërore dhe prona e përbashkët. Askujt nuk i njihej e drejta e pronës apo e drejta për të trashëguar. Familjet e reja e fillonin jetën nga ‘zero; dhe ishte shteti përgjegjës për sigurimin e strehimit.
Mentaliteti i trashëguar brez pas brezi dhe që nuk është çrrënjosur ende, veçanërisht në zona të thella dhe të izoluara, është ai sipas të cilit vajza është pronë dhe pronësia e saj kalon nga babai, tek burri. Dhe si çdo pronë, apo nuk ka asnjë të drejtë, përkundrazi, pronarët gëzojnë të drejta mbi ‘pronën’ bijë / grua. Gruas i njihet e drejta për të përdoruar çdo pasuri që ka burri, por asaj nuk i lejohet të gëzojë asnjërën prej tyre. Dhe nëse ndodh që bashkëshortët ndahen, gruaja flaket në rrugë dhe nuk gëzon asnjë të drejtë mbi pasuritë e vendosura gjatë martesës, por nuk gëzon asnjë të drejtë as mbi pronësinë në familjen e vajzërisë.
Edhe pas 30 vitesh, problem i madh në Shqipëri, si në të gjitha fushat, mbetet zbatimi i dobët i ligjit. Vendimet gjyqësore shpesh dalin edhe kundër ligjit dhe nuk i njohin grave të drejtat ligjore mbi pronësinë e përbashkët, duke nxjerrë arsye shpesh ekstra-ligjore. Edhe pse sipas ligjit, gratë të cilat divorcohen përfitojnë gjysmën e pronës familjare, ky proces zgjat me vite dhe kërkon shpenzime të larta gjyqësore, që një pjesë e grave nuk i përballojnë dot.
Mungesa e sigurisë materiale bën që gratë të heshtin kundrejt çdo padrejtësie që bëhet në kurriz të tyre, madhe jo rrallë i nënshtrohen dhunës, pasi nuk kanë asnjë mundësi tjetër.
Pa zgjidhur një herë e mirë gëzimin e të drejtës së pronësisë edhe nga gratë nuk do të ketë një shoqëri të drejtë, një familje të shëndoshë dhe një grua të pavarur. Pa një grua të pavarur, dhuna në familje do të jetë një problem I pazgjidhur për shoqërinë shqiptare pavarësisht forcimit të ligjit dhe aplikimit të masave mbrojtëse dhe mbështetëse për gratë viktima të dhunës.
Ky material është plotësisht i financuar nga Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri – AWEN, nëpërmjet fondeve të Agjencisë Ndërkombëtare për Zhvillim dhe Bashkëpunim – Sida.
AWEN dhe Sida nuk janë domosdoshmërisht dakord me opinionin e shprehur. Vetëm ‘Together for Life’ është përgjegjës për përmbajtjen.


