Në përputhje me VKM NR.676 DT.20.12.2002 “Për shpalljen zonë e mbrojtur të monumenteve të natyrës shqiptare” rrethi i Dibrës ka këto monumente natyrore të shpallura zona të mbrojtura, që për pasojë duhet të mbrohen nga shteti:
Burimi i Shutresë
Ndodhet në afërsi të fshatit Laç, komuna Rukaj e rrethit të Burrelit; pranë luginës së lumit të Urakës, në lartësinë 230 m mbi nivelin e detit. Përbën një burim të madh karstik, që del në kontaktin litologjik midis gëlqerorëve të kretës së sipërm dhe terrigjenëve. Ka ujë të pastër dhe të ftohtë që përdoret edhe për furnizimin e popullsisë me ujë të pijshëm. Krijon një mjedis shumë tërheqës. Ka vlera shkencore (gjeologjike, gjeomorfologjike, hidrologjike), kulturore, didaktike dhe turistike. Mund të vizitohet sipas intinerarit Burrel – Shoshaj – Urakë.
Cirku i kurorës së Lurës
Ndodhet në malin homonim, 1830 m mbi nivelin e detit. Përbën një cirk të madh akullnajor të formuar në magmatikë. Është i gjatë 900 metra, i gjerë deri në 350 m. Ka formën e një kolltuku gjigand me disa forma më të vogla erozive. Ka vlera shkencore (gjeologjike, gjeomorfologjike, hidrologjike), didaktike, ekologjike dhe kulturore. Vizitohet duke ndjekur rrugën rurale qyteti i Peshkopisë – Fushë Lurë – monumenti.
Fusha e Pelave Lurë
Ndodhet në Parkun Kombëtar të Lurës, në lartësinë 1580 m mbi nivelin e detit. Si formë relievi përbën një cirk të cekët akullnajor, që për një kohë ka qënë i mbuluar nga një liqen glaciar, i cili më pas u tha. Emrin e ka marrë, ngaqë kafshët e banorëve (pelat) e preferonin shumë këtë kullotë. Në të njëjtën kohë fusha e Pelave përbën edhe një habitat interesant të llojeve të ndryshme të livadheve alpinë. Ka bukuri mahnitëse. Ka vlera shkencore (gjeologjike, gjeomorfologjike, biologjike), didaktike, ekologjike dhe kulturore. Vizitohet duke ndjekur rrugën rurale qyteti i Peshkopisë ose nga Rësheni – Fushë Lurë – monumenti.
Guri i gjatë- Urxuall
Ndodhet në afërsi të fshatit Urxuall, komuna Derjan në rrethin e Matit, 600 m mbi nivelin e detit. Përbën një gur ranor dhe konglomeratik, me formë të veçantë (mullari të stërzgjatur) në shpat mali dhe i veçuar nga të tjerët përreth. Lartësia e tij është mbi 20 m, gjërësia 10 – 15 m. Rrëpira shkëmbore ku ndodhet është 20 – 25 m e lartë dhe mbi 30 m e gjerë. Është formuar nga grryerja e agjentëve atmosferikë. Në rrëzën e shpatit ka blloqe shkëmborë të rrëzuar me volum prej dhjetra m³. Përgjatë saj kalon rruga këmbësore për në Urxuall e Dukagjin. Ka vlera shkencore (gjeologjike, gjeomorfologjike), didaktike, ekologjike dhe kulturore.
Vizitohet sipas rrugës rurale Shoshaj (Burrel) – Derjan – Urxuall.
Shpella e Gurit të Kuq
Ndodhet në afërsi të fshatit Vakuf, 500 m mbi nivelin e detit. Përbën një shpellë karstike të formuar në gëlqerorët e triasit të sipërmë – jura e peshtme. Është e gjatë 400 metra, e gjerë deri në 2-3 m. dhe e lartë 4 m.. Shpella ka konkrecione të shumta dhe me bukuri të rrallë. Ka vlera shkencore (gjeologjike, gjeomorfologjike, hidrologjike), didaktike, ekologjike dhe kulturore. Vizitohet, duke marrë rrugën Peshkopi – Vakuf.
Shpella e ftohtë –Gjuras
Ndodhet në afërsi të fshatit Gjuras, 920 m mbi nivelin e detit. Përbën një shpellë karstike të formuar në gëlqerorët e triasit të sipërm – jura e poshtme. Është e gjatë 25 metra, e gjerë deri në 2 m. dhe e lartë 2 m. Shpella ka konkrecione të shumta. Ka vlera shkencore (gjeologjike, gjeomorfologjike), didaktike, ekologjike dhe kulturore. Vizitohet sipas intinerarit qyteti i Bulqizës – Gjuras./ Shendeti.com.al
Materialet e publikuara në këtë faqe janë pjesë e projektit “Ruajtja dhe Menaxhimi i Monumenteve të Natyrës në Bashkinë e Dibrës, një Faktor Potencial për Zhvillim”, i cili zbatohet nga organizata “Instituti për Kërkim dhe Zhvillim Barleti” në kuadër të projektit ACHIEVE “Shoqëria civile Shqiptare për një mjedis Europian”.






