Kryefaqja Lajm kryesor Mos u besoni suplementeve që ju premtojnë një shëndet më të mirë...

Mos u besoni suplementeve që ju premtojnë një shëndet më të mirë të trurit

0
Shpërndaje

Përshtati në shqip: Arlinda Rexhmati

Mos u besoni reklamave të produkteve pa recetë që ju premtojnë një kujtesë më të mirë. Një studim i kohëve të fundit zbuloi se rreth 25% e personave mbi moshën 50 vjeç, në vendet e perëndimit, marrin suplemente për përmirësimin e shëndetit të trurit, të cilat premtojnë dhe reklamojnë një memorie të përmirësuar dhe vëmendje e përqëndrim më të mprehtë.

Ku qëndron problemi këtu? Nuk ka prova që të vërtetojnë këto pretendime.

Problemi kryesor është mungesa e rregullit dhe kontrolleve për këto suplemente. Institucionet shtetërore që bëjnë kontrollin e ilaçeve e suplementeve, zakonisht nuk e mbikqyrin testimin e produkteve apo saktësinë e përbërësve. Ata kontrollojnë vetëm ato suplemente të cilat kanë pretendime shëndetësore lidhur me trajtimin e sëmundjeve specifike.

Në rastin e shëndetit të trurit, kjo do të thotë se prodhuesit e suplementeve mund të pretendojnë që produkti  i tyre ndihmon me qartësinë mendore dhe humbjen e kujtesës, por jo që të mbron apo përmirëson demencën apo sëmundjen e Alzheimerit. Kështu, ata nuk kanë se pse të mbështesin apo të japin prova që produkti i tyre është efektiv apo i sigurt.

Shumë suplemente për trurin përqendrohen në acidet yndyrore omega – 3 (që gjenden në vajin e peshkut), vitaminë E, vitamina të ndryshme B dhe kombinime të ndryshme. Pse këto?

Ka prova të forta se dieta të caktuara, si dieta Mesdhetare, dieta DASH dhe dieta MIND, mund t’ju ndihmojnë për përmirësimin e funksioneve konjitive.

Këto dieta përmbajnë ushqime me sasi të mëdha të këtyre vitaminave dhe mineraleve. Por çfarë nuk është e qartë, është nëse është kombinimi i lëndëve ushqimore në këto dieta që i sjell efektet pozitive, apo janë vetëm disa përbërës të caktuar, në çfarë sasie duhet të jenë dhe faktorë të tjerë.

Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se suplementet për trurin nuk mund të funksionojnë. Vetëm se nuk ka shumë, ose aspak prova nga studime klinike të randomizuara, standarti i artë i kërkimit, për efektet e vitaminave apo mineraleve të izoluara dhe shëndetit të trurit.

Ja çfarë ka zbuluar shkenca deri tani:

  • Acidet yndyrore omega – 3 (vaj peshku)

Ekzistojnë 3 lloje të omega – 3: acidi eicosapentaenoic (EPA) dhe acidi docosahexaenoic (DHA), që gjenden më shumë në peshqit yndyrorë si salmon dhe skumbri, dhe acidi alfa – linolenik(ALA), që gjendet në perimet e gjelbërta( lakrat e Brukselit), vaji i perimeve (kanola, soje) dhe farat e arrorët (arra, fara liri). Acidet yndyrore omega – 3 ndihmojnë në ndërtimin e memranës qelizore në tru dhe mund të kenë edhe efekte anti – inflamatore dhe antioksidante, që mund të mbrojnë qelizat e trurit.

Peshku, ndër të tjera, është element kryesor në dietën mesdhetare dhe dietën MIND, dhe studimet kanë zbuluar një lidhje mes konsumimit të lartë të peshkut dhe një risku më të ulët të dëmtimit konjitiv. Por, suplementet e omega – 3 nuk kanë treguar të njëjtin efekt. Çdo lloj përfitimi duket se vjen nga konsumimi i peshkut dhe jo nga suplementet.

Vitamina E

Vitamina E është një antioksidant që besohet se ndihmon shëndetin e trurit duke reduktuar stresin aksidativ. Është i vetmi suplement që është zbuluar të ketë përfitime të mundshme.

Sipas studimeve, vitamina E në doza të larta mund të ndihmojë personat me demencë të shkaktuar nga Alzheimeri, që është e lehtë apo e moderuar. Sidoqofte kjo vitaminë nuk e parandalon sëmundjen apo të reduktojë simptoma të tjera, dhe dozat e larta rrisnin riskun për hemoragji cerebrale.

Vitamina B

Me shëndetin e trurit lidhen zakonisht 3 vitamina B: B6, B9 dhe B12. Ato mund të ndihmojnë në zbërthimin e homocisteinës, nivelet e larta të se cilës janë lidhur me një risk më të madh të demencës dhe sëmundjes së Alzheimerit. Vitaminat B ndihmojnë gjithashtu dhe në prodhimin e energjisë që duhet për zhvillimin e qelizave të trurit.

Megjithatë , shumica e njerëzve marrin mjaftueshëm vitaminë B nëpërmjet dietës ushqimore. Mund të keni nevojë për suplemente të vitaminës B nëse keni një defiçencë, apo keni probleme me marrjen e tyre të mjaftueshme me anë të ushqimit, por në raste të tjera ato nuk sjellin ndonjë përfitim të qartë për shëndetin e trurit.

Në vend të suplementeve

Kështu, mund të shfaqet pyetja: nëse nuk ka prova, pse njerëzit besojnë akoma në suplementet e shëndetit të trurit?

Kjo ndodh sepse, ekziston akoma ideja se është më e lehtë të marrësh një pilulë se sa të bësh ndryshime afatgjata në stilin e jetesës.

Deri sa të dihet më shumë, mjekët dhe specialistët këshillojnë t’i kurseni paratë tuaja. Më mirë investoni në më shumë ushtrime aerobike dhe ndjekjen e një diete ushqimore me bazë bimore. Këto mund t’ju ndihmojnë me kujtesën dhe shëndetin e trurit për një kohë akoma më të gjatë se sa suplementet.

Burimi: Harvard Health Publishing

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here