Mungesë organizimi apo informacioni?! Radhë të gjata në Spitalin Francez

Emanuel Smaka

Dhjetëra pacientë nga Tirana dhe rrethet janë detyruar të presin për më shumë se 2 orë mëngjesin e së enjtes në Spitalin Francez në QSUT. Përcaktimi i orareve të konsultave ka zgjatur shumë, ndërsa mjaft pacientëve u është refuzuar vizita për shkak të mungesës së dokumentacionit. Recepsionistët e spitalit i thanë Pro Pacientit se arsyet e refuzimit të konsultave ndodhin kur pacientët nuk kanë referenca nga mjeku i familjes apo mjeku specialist i rrethit kur është e nevojshme. Sa i përket fluksit, ata shtojnë se është i pashmangshëm për shkak të kërkesave të shumta për t’u trajtuar në këtë spital. Nga ana tjetër, pacientët kërkojnë shtim të punonjësve në recepsion në mënyrë që të shmangen radhët e gjata.

“Kemi 2 orë që presim. Këtu duhet të ketë më shumë njerëz që të na orientojnë se ku duhet të shkojmë dhe çfarë dokumentacioni duhet. Është e disata herë që vij dhe akoma nuk kam arritur të përcaktoj një orar vizite për problemin që kam me veshët. Do të pres sot derisa të ulet fluksi i njerëzve me shpresën se do të trajtohem. Nuk mund të kthehem sërish”, shprehet një pacient nga Vlora.

“Fluksi i lartë në Spitalin Francez në QSUT përsëritet çdo ditë dhe zgjat disa orë”, tregojnë qytetarët.

Në këtë institucion shëndetësor trajtohen sëmundjet e veshëve, hundës, fytit, stomakut, sëmundjet profesionale, alergjitë dhe shumë probleme të tjera shëndetësore. Numri i lartë i pacientëve që kërkojnë trajtim mjekësor pranë Spitalit Francez në QSUT ka bërë që pritjet të jenë të gjata. Moszbatimi i sistemit të referimit, i cili përcakton se ky spital është hallka e tretë e trajtimit, pas konsultës me mjekun e familjes dhe mjekun specialist, ka ndikuar në krijimin e një fluksi të tillë pacientësh./ ProPacientit.com

Postime të ngjashme

Nobeli i Mjekësisë shkon për “çelësin e dritës” që ndez dhe fik neuronet
Gjashtë fëmijë të një kopshti përfundojnë në spital në Korçë, dyshohet për helmim
829 raste të reja me kancer gjiri në 2025, ISHP: Ulet vdekshmëria, ja qarqet me incidencën më të lartë
Vitamina D3: Përfitime për shëndetin dhe si ta merrni në mënyrën e duhur
Uri fizike apo emocionale? Endokrinologia shpjegon si ta kuptoni pse po hani
Dërgonin pacientë me kancer në klinikat private, SPAK mbyll hetimet për Onkologjikun
Fruthi rikthehet fuqishëm në SHBA, 5 viktima në Pensilvani/ Mbi 3,650 raste gjatë vitit 2026
Mjekja: Obeziteti te moshat pediatrike, kambanë alarmi