Kryefaqja Aktualitet “Na mundësoni të lexojmë libra me sytë tuaj”, mesazhi prekës i të...

“Na mundësoni të lexojmë libra me sytë tuaj”, mesazhi prekës i të riut dhe shëndeti i të verbërve

0
Shpërndaje

Autor: Emanuel Smaka 

Personat e verbër në Shqipëri nuk marrin as minimumin e rimbursimit për shpenzimet shëndetësore të tyre. Është ky qëndrimi i Kryetarit të Forumit Rinor të të verbërve të Shqipërisë. Jonit Ferhati, një ditë pas Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuar, ka folur për Pro Pacientit, ku vë në dukje se Ministria e Shëndetësisë mbulon shumë pak shërbime për këtë shtresë.

“Në aspektin e shërbimeve shëndetësore, ne kemi nevojë për më shumë rimbursime, më shumë kontrolle falas për një pjesë që e ka të pamundur t’i paguajë. Ka shumë njerëz që janë të verbër dhe nuk e dinë nëse  kanë një mundësi për t’u shëruar apo jo, sepse nuk kanë mundësi ekonomike. Pagesat e invaliditetit janë shumë pak për nevojat e të verbërve, kështu që nga pamundësia, një pjesë e tyre e përdorin këtë pagesë vetëm për t’u ushqyer. Duke pasur këto mungesa, një pjesë e madhe e të verbërve e kanë të pamundur që të vizitohen apo të blejnë pajisje”, thotë Ferhati.

Ai tregon se për një vizitë në spitalet shtetërore duhet të presë disa muaj, ndërsa konsultat e specializuara kushtojnë mijëra euro.

“Vizitat në spitalet shtetërore janë pothuajse të pamundura. Duhet të presësh 3-4 muaj për një vizitë, ndërkohë që një pacient i verbër mund të ketë probleme serioze që duhen diagnostikuar brenda afateve. Sipas meje, kjo duhet të ndryshohet duke rimbursuar faturat e ilaçeve nëse shteti nuk ka mundësi t’i bëjë drejtpërdrejt. Duhet të rimbursohen ilaçet dhe vizitat e kushtueshme. Ka psh analiza të ndryshme, që mund të kushtojnë deri në 5000 euro. Sot për sot i rimbursueshëm mund të jetë ndonjë ilaç që kushton 200 lekë, por gjërat e shtrenjta për të verbrit nuk janë të rimbursueshme”, tregon Ferhati për Pro Pacientit.

Infrastruktura e dëmtuar si dhe mungesa e semaforëve akustikë e vështirëson së tepërmi lëvizjen e të verbërve në qytete të Shqipërisë. Ferhati pranon se një pjesë e madhe e tyre nuk dalin nga oborri i shtëpisë, ndërsa kërkon sensibilizim qytetar. Për të kontribuar në edukimin e mëtejshëm të të verbërve, ai kërkon vullnetarë që të lexojnë libra.

“Çdo person mund të na vijë në ndihmë duke lexuar libra për ne. Në ambientet e shoqatës së të verbërve, ne kemi edhe ambientet e regjistrimit, ku çdo qytetar mund të vijë të lexojë me zë librat në mënyrë që edhe në ti lexojmë me sytë e tyre. Nëse dikush është vullnetar për ta bërë këtë, ne do ta mirëprisnim”, përfundon Ferhati.

Gjatë 3 dhjetorit, Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuar, një grup përfaqësuesish të nga shoqata të ndryshme takuan presidentin Ilir Meta, ku janë diskutuar problematikat që i shqetësojnë ata si dhe mundësitë e përmirësimit të tyre.

Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, në Shqipëri 6.2 % e popullësisë në moshë madhore është me aftësi të kufizuar.

Numri i të verbërve në rang vendi llogaritet rreth 11.000, ndërsa të rinj me shikim të ulët ose mungesë të shikimit janë rreth 1500.

Ndërkohë, Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se në rang botëror personat me aftësi të kufizuar kanë 2 herë më shumë mundësi të gjejnë profesionistë shëndetësor të papërshtatshëm, 3 herë më shumë mundësi t’u mohohet kujdesi shëndetësor si dhe 4 herë më shumë mundësi të trajtohen keq nga sistemi i kujdesit shëndetësor./ Pro Pacientit

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here