Përshtati në shqip: Blertina Koka / Marrë nga OBSH
Më shumë se 2 miliardë njerëz në vendet me të varfra në botë akoma përdorin lëndët djegëse të biomasës (drurin, qymyrgurin, plehun e kafshëve dhe mbetjet e të korrave) për nevojat energjetike shtëpiake.
Përdorimi i tyre në ambientet e brendshme çon në rritje të nivelit të ndotjes së ajrit, krahasuar me standardet e lejuara për cilësinë e ajrit në mbarë botën, duke i ekspozuar kështu gratë dhe fëmijët çdo ditë ndaj rreziqeve shëndetësore.
Ky ekspozim rrit rrezikun e zhvillimit të disa sëmundjeve të rënda, si pneumonia, sëmundjet kronike të frymëmarrjes dhe kanceri i mushkërive (vetëm nga qymyrguri), dhe është bërë shkak për përhapjen e sëmundjeve në vendet në zhvillim.
Të dhënat gjithashtu tregojnë se ekspozimi mund të rrisë rrezikun e një sërë gjendjesh të tjera shëndetësore, si turbekulozi, lindja nënpeshë dhe katarakti.
Fëmijët dhe gratë në këto vende gjithashtu janë më të rrezikuar që të lëndohen apo digjen nga përdorimi i drurit si lëndë djegëse.
Përdorimi i këtyre burimeve energjetike ka dhe pasoja ekonomike dhe mjedisore, duke qenë se gratë kalojnë më shumë kohë duke siguruar lëndët e pakta djegëse dhe janë të kufizuara në aktivitetin arsimor dhe ekonomik.
Në këtë rast një sërë ndërhyrjesh mund të ulin ndikimin e ndotjes së ajrit në ambientet e brendshme. Këtu përfshihet ndryshimi i burimeve të energjisë (përfshirë sobën e ngrohjes, lëndë djegëse më të pastra), ambienti ku jetojnë (ventilator më të mirë) dhe sjelljet e përdoruesit (mbajtja larg e fëmijëve nga tymi gjatë kohës së gatimit).
Dalin vazhdimisht të dhëna që tregojnë se ekspozimi ndaj lëndëve djegëse të biomasës rrit rrezikun për një sërë sëmundjesh të zakonshme dhe të rënda, si tek fëmijët, ashtu edhe të rriturit. Ndër më të përhapurat janë infeksionet akute të frymëmarrjes, sidomos pneumonia, si dhe bronkiti kronik dhe sëmundja pulmonare obstruktive kronike. Gjithashtu ka të dhëna (kryesisht nga Kina) që tregojnë se ekspozimi ndaj tymit të qymyrgurit në shtëpi rrit rrezikun e kancerit të mushkërisë, sidomos tek gratë. Gjatë viteve të fundit janë publikuar të dhëna të reja, të cilat sugjerojnë se ndotja e ajrit brenda ambienteve të shtëpisë në vendet në zhvillim rrit rrezikun e zhvillimit të problemeve shëndetësore si tek fëmijët, ashtu edhe tek të rriturit, edhe pse këto të dhëna janë më shumë eksperimentale, pasi bazohen në pak studime. Ato përfshijnë gjendje të tilla si lindja nënpeshë, vdekshmëri perinatale (foshnjat vdesin brenda 1 jave pas lindjes), astma dhe infeksionet e veshit të mesëm tek fëmijët, turbekulozi, kanceri i fytit dhe laringal dhe katarakti tek të rriturit.
Më poshtë do të gjeni një përmbledhje të të dhënave të secilës prej këtyre gjendjeve, bazuar tek rishikimet më të fundit që iu janë bërë studimeve të ndryshme. Fokusi kryesor i është dhënë infeksioneve akute të frymëmarrjes, sëmundjes pulmonare obstruktive kronike dhe kancerit të mushkërisë (për shkak të thëngjillit).