Kryefaqja Të rinjtë Aktivitete Ndryshimet demografike dhe pabarazitë gjinore në Shqipëri- Çfarë ka ndryshuar nga Konferenca...

Ndryshimet demografike dhe pabarazitë gjinore në Shqipëri- Çfarë ka ndryshuar nga Konferenca e Kajros në vitin 1994 deri më sot?

0
Shpërndaje

Blertina Koka

Ndryshimet demografike dhe pabarazitë gjinore në Shqipëri- Çfarë ka ndryshuar nga Konferenca e Kajros në vitin 1994 deri më sot?

Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA) në partneritet me nën-Komisionin Parlamentar për Barazinë Gjinore dhe Parandalimin e Dhunës ndaj Grave organizoi një takim konsultues me partnerë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, organizatat joqeveritare që operojnë në çështjet e barazisë gjinore, aktivistë dhe të rinj, për të diskutuar mbi arritjet dhe sfidat që Shqipëria ka pasur në këto 25 vite që pas mbajtjes së Konferencës Ndërkombëtare mbi Popullsinë dhe Zhvillimin (ICPD),  në Kajro, Egjipt në vitin 1994.

 

Për të rishikuar progresin e bërë dhe përparimin më tej në çështjet e shëndetit seksual dhe riprodhues, të drejtat dhe fuqizimin e gruas dhe të rinjve, çështjet e barazisë gjinore, paqes, sigurisë, zhvillimit të qëndrueshëm do të zhvillohen përgjatë kësaj jave disa konsultime me palët dhe partnerët kombëtarë të interesuar për çështje që janë aktuale, jetike dhe të domosdoshme për të marrë vëmendjen e hartuesve politikë, OSHC-ve, partnerëve të zhvillimit, akademisë, intitucioneve mbikëqyrëse përfshirë institucionet kombëtare të të drejtave të njeriut.

Përfundimet e këtij konsultimi do të paraqiten nga delegacioni shqiptar në Samitin ICPD + 25 që do të mbahet në Nairobi, Kenia në datat 12-14 nëntor 2019, ku do të diskutohet në një nivel global axhenda e papërfunduar e ICPD”, njoftoi drejtoresha e UNFPA për Rajonin, Rita Columbia.

Delegacionet e çdo shteti anëtar të Kombeve të Bashkuara do të sjellin me vete angazhimet kombëtare të dala nga këto konsultime në mbështetje të programit të veprimit të ICPD. Këto angazhime do të përqendrohen në arritjen e:

  • Asnjë nevojë e pa plotësuar për informacion dhe shërbime të planifikimit familjar
  • Zero vdekje të parandalueshme të nënave
  • Zero dhunë seksuale dhe praktika të dëmshme me bazë gjinore të grave dhe vajzave

Kryetarja e nën-Komisionit Parlamentar për Barazinë Gjinore,  Eglantina Gjermeni vuri theksin në domosdoshmërinë e vijueshmërisë së punës deri në zbritjen në zero të rrezikshmërisë për vajzat dhe gratë.

“Jemi në një moment të rëndësishëm diskutimesh për të drejtat e grave, për çështjet e barazisë gjinore, paqes, sigurisë, zhvillimit të qëndrueshëm, të cilat këto kohët e fundit po marrin një vëmendje të veçantë. Këtë vit është 25 vjetori i “Konferencës së Kajros” që u mbajt në shtator të vitit 1994. Plani i veprimit të kësaj konference u aprovua nga 179 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara. Këtë konferencë dhe planin e saj të veprimit mund ta konsiderojmë si një revolucion sidomos në fushën e shëndetit riprodhues”, u shpreh znj, Gjermeni.

Çfarë ka ndryshuar në Shqipëri që nga “Konferenca e Kajros”?

Sipas z. Arjan Gjonca, Profesori i Asociuar i Demografisë në  London School of Economics, së pari ka pasur një rënie drastike të fertilitetit nga 7 ne 3 fëmijë për grua. Po çfarë e mbante të lartë fertilitetin në ato vite?

  • Nuk kishte mjete kontraceptive
  • Aborti nuk lejohej me ligj
  • Martesat bëheshin në moshë më të re

Çfarë e uli fertilitetin?

  • Punësimi i grave me kohë të plotë (45% e forcës punëtore)
  • Rritja e nivelit arsimor te gratë (analfabetizmi më pak se 4%)

Ndërkohë që fertiliteti pësoi ulje drastike, gratë po përballeshin me një barrë të dyfishtë në:

  • Punë–punësim me kohë të plotë pa të gjitha të drejtat
  • Shtëpi – kujdesje e plotë për të gjithë familjen (pasoja të një shoqërie patriarkale)

Emigrimi masiv i popullsisë shqiptare gjithashtu ka ndikuar në ndryshimet demografike në Shqipëri.

Në një deklaratë të përbashkët për shtyp, Parlamenti i Shqipërisë dhe UNFPA zbulojnë se “popullsia shqiptare është zvogëluar në numër që nga rënia e regjimit socialist në 1990, nga 3.2 milionë në 1989, në 2.8 milionë në 2011 dhe në 2.6 milionë në 2018; nga një normë e lartë vjetore e rritjes prej 2.06% në vit në vitet 1980, në një rritje negative në vitet 2000, prej -0.91%”.

Ndër shkaktarët kryesor të rrudhjes së popullatës vlerësohet emigrimi masiv që ka çuar në largimin e të paktën 1 të tretës së banorëve prej vitit 1989 deri në vitin 2011.

Vendi po kalon një regjim të ri demografik të jetëgjatësisë afatgjatë, me një jetëgjatësi në lindje të femrave prej 80.6 vjet dhe për meshkujt 77.4 vjet në vitin 2018, dhe fertilitet të ulët me normë totale të fertilitetit 1.4 fëmijë për grua në vitin 2018. Sidoqoftë, përcaktuesit kryesorë demografikë të dinamikës së popullsisë në Shqipëri mbeten deri tani shkalla e lartë dhe e papritur më parë e migrimit. Ulja e popullsisë nga 3.2 milion në 1989 në vlerën e parashikuar prej 2.6 milion në 2018 i detyrohet emigrimit me më shumë se një të tretën e popullsisë së 1989 që ka lënë vendin deri në vitin 2011″, shkruhet në njoftimin për shtyp.

Këto të dhëna përforcohen edhe nga eksperti ndërkombëtar z. Arjan Gjonca, i cili gjatë konsultimit kombëtar të realizuar pranë ambienteve të Kryeministrisë u shpreh se “ndryshimi më i madh demografik dhe më dramatiku me të cilën është përballur Shqipëria është emigracioni, duke çuar në reduktim të popullsisë aktive me 20% dhe në plakjen më të shpejtë të popullsisë”.

“65-vjeçarët përbëjnë rreth 15% të popullsisë, ndërkohë që kjo shifër parashikohet të shkojë në 25% në 15 vitet e ardhshme”, thekson z. Gjonca.

Ndërkohë Shqipëria vazhdon të ketë një raport të paekuilibruar në lindje, referuar 111 lindjeve meshkuj përkundrejt 100 lindjeve femra, duke sugjeruar një aplikim të gjerë të abortit selektiv me bazë gjinore.

“Zhvillimet demografike në Shqipëri kanë dimension gjinor, gjë të cilën nganjëherë e harrojmë. Shqipëria ka një raport të lartë gjinor në lindje, mbi limitin biologjik, ka 111 lindje femra për 100 lindje meshkuj. Studimi tregoi që edhe pse është e ndaluar me ligj, ka akoma aborte me bazë gjinore. Edhe pse është krijuar task forcë, kjo gjë vazhdon të ndodhë dhe kjo është një shkelje e të drejtave të njeriut. U vu re se në zonat urbane janë ato gra me arsim më të lartë që po e aplikojnë abortin selektiv me bazë gjinore. Dhe kjo është shokuese, shumë rrallë mund të ndodhë diku tjetër në botë”, shprehet z. Gjonca.

Politikat e ardhshme në vend duhet të adresojnë politika të rëndësishme të popullsisë që synojnë:
1. Uljen e emigracionit të popullatës së re, përmes zhvillimit të politikave që përqendrohen kryesisht në punësimin dhe mundësitë për të rinjtë.
2. Përmirësimin në mënyrë shumë të ndjeshme të kujdesit shëndetësor dhe kujdesit shoqëror për të moshuarit, pasi thyerja e rrjetit tradicional shoqëror së bashku me plakjen më të shpejtë të popullsisë, do të shtojnë barrën mbi kujdesin shoqëror dhe shëndetësor të shoqërisë.
3. Përmirësimi i fuqizimit të grave në shoqëri, jo vetëm për arsimim dhe punësim, por edhe përmes përmirësimit të pozitës së vendimmarrjes shtëpiake.
4. Një fokus i veçantë urgjent duhet t’i kushtohet eleminimit të plotë të raportit të paekuilibruar në lindje, përmes një legjislacioni të ri më shtrëngues dhe zbatimit të atij ekzistues mbi abortin selektiv.

 

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here