Mjeke/epidemiologe pranë Programit Kombëtar të HIV/AIDS
Të dhënat globale po tregojnë se numri i infeksioneve të reja me HIV si dhe numri i vdekjeve nga AIDS vazhdon të ulet në shumë vende të botës. 2.3 milion infeksione të reja u raportuan në 2012, shifra më e ulët vjetore që është raportuar që nga mesi i viteve ’90. Sigurisht që kjo lidhet ngushtë me programet strategjike që u ndoqën, me rritjen e investimeve dhe angazhimit politik në luftën kundër AIDS. Ulja e kostos se trajtimit bëri që 9.7 milion persona të infektuar të kenë akses në trajtimin me antiretrovirale në vende me të ardhura të ulëta – të mesme. Por pavarësisht nga të gjitha këto, HIV/AIDS mbetet sërish një sfidë.
Po në Shqipëri çfarë po ndodh?
Dhjetëmujori i këtij viti ka diagnostikimin më të madh të personave me HIV/AIDS ndër vite. Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Shëndetit Publik, numri i personave që kanë rezultuar HIV pozitive për vitin 2013 është 96 persona, ku midis tyre pesë janë fëmijë, ndërsa numri total i fëmijëve të infektuar shkon në 33. Nga këta 96 persona, 66 janë meshkuj ndërsa 30 femra, duke e çuar numrin total të të infektuarve me HIV/AIDS në 671 të infektuar.
Grafiku 1. Shpërndarja e rasteve me HIV/AIDS sipas viteve, Nëntor 2013.
Trendi rritës duket qartë në kët paraqitje grafike dhe çdokush do të pyesë: Pse kjo rritje në vendin tonë kur shifrat globale tregojnë ulje të infeksioneve të reja?
Përgjigja lidhet direkt me testimin për HIV, që për të qenë realiste mbetet akoma në shifra të ulëta. Shifrat vjetore janë vetëm shifra të raportuara në vitin përkatës, por infektimi i tyre ka ndodhur vite më parë, kjo është arsyeja pse në vitet e fundit më shumë se një e dyta e rasteve të reja raportohen në stadin AIDS. Për vite me rradhe në kemi vënë re diagnostikimin e vonshëm të rasteve ndaj është shumë e rëndësishme të promovohet testimi vullnetar mbas kryerjes së një sjelljeje me risk dhe jo në stadin e shfaqjes së shenjave dhe simptomave.
Fëmijët e infektuar
Rritja e numrit të femijeve te diagnostikuar me HIV dhe AIDS së bashku me rritjen e numrit të femrave të infektuara (30% e totalit) sugjeron testimin e gruas shtatzënë për HIV, nëse një grua shtatzënë diagnostikohet me HIV ekziston mundësia e parandalimit te HIV-it të fëmija, pra nëse menaxhohet sipas protokolleve të mirëpërcaktuara, atëherë gruaja shtatzënë do të lindë një fëmijë të shendetshëm, në një përqindje sigurie prej 99% .
Kjo përkon me logon e fushatës së UNAIDS-it “Drejt zeros!” 0 infeksione të reja, o vdekje nga AIDS, 0 femijë te infektuar me HIV. Në këto kushte nuk duhet të lindin më fëmijë të infektuar me HIV në vendin tonë.
Në lidhje me mënyrën e transmetimit të HIV mund të themi se në vendin tonë predominon rruga seksuale e transmetimit te HIV në 93 % të rateve (84 % i përket rrugës hetero-seksuale dhe 9% i përket rrugës homo-biseksuale). Ky fakt mbështet edhe nga nga predominimi i grupmoshës 25-45 vjeç, që është një grupmoshe seksualisht aktive. Të rinjtë 16-24 vjeç përbëjnë 9% të totalit të rasteve të infektuara me HIV.
Studimet e ndryshme tregojnë se të rinjtë hyjnë në marëdhënie seksuale ne një moshë më të re ndaj promovimi i përdorimit të kondomit për seks më të sigurte, do të vazhdojë te mbetet një nga strategjitë kryesore të parandalimit te HIV dhe AIDS.
Testimi vullnetar
Në mbarë Europën vëmendja është përqëndruar te testimi për HIV për të rinjtë, ndaj është përcaktuar edhe Java Europiane e Testimit per HIV , 22-29 Nëntor 2013 që i paraprin 1 Dhjetorit, Ditës Ndërkombetare të Luftës kundër HIV/AIDS. Tema e kësaj jave flet qarte: “Bisedo per HIV, Testohu per HIV”. Kjo nismë është përqafuar edhe nga ne dhe janë hapur posaçërisht disa qendra për testimin e të rinjve në vendin tonë.
Testimi në Shqipëri
Në Shqipëri testimi për HIV ofrohet falas në të gjitha qendrat e Këshillimit dhe Testimit Vullnetar në Tiranë, Shkodër, Lezhë, Dibër, Durrës, Fier, Lushnje, Fier, Elbasan, Korçë, Berat, Vlorë, Gjirokastër. Në Tiranë gjithashtu ky testim ofrohet ne Institutin e Shëndetit Publik, QSUT ku ndodhen edhe Laboratoret e Referencës që kryejnë konfirmimin e rastit HIV pozitiv.
Përsa i përket shpërndarjes gjeografike, numri më i madh i rasteve ose 48% e tyre janë raportuar në Tiranë, më pas me një diferencë të madhe nga Tirana paraqiten rrethe të tilla si Durrës (5.7%), Elbasan (5.5%), Vlorë (4.6%), Lushnje (3.4%) etj. Vetëm në 3 rrethe të vogla të vendit nuk kemi raste të raportuara me HIV.
Trajtimi me antiretrovirale është i disponueshëm që nga viti 2004 dhe 296 pacientë marrin këtë terapi në Shërbimin Infektiv pranë QSUT dhe 20 fëmijë e marrin këtë terapi pranë Pediatrisë në QSUT.
18% e rasteve të raportuara me HIV dhe AIDS kanë humbur jeten për shkak të AIDS në vendin tonë, midis tyre edhe femijë, për një pjesë ky fakt lidhet direkt me diagnostikim e vonshëm. Kjo nuk duhet të ndodhë më, pasi sot terapia me antiretrovirale është një realitet, që zgjat jetën dhe cilësinë e saj, e shndërron AIDS-in në një sëmundje kronike.
Terapia me antiretrovirale është sot një nga strategjitë më të suksesshme të parandalimit të AIDS por pavaresisht nga kjo secili prej nesh duhet të jetë më i kujdesshëm në sjelljet seksuale, t’i themi jo përdorimit të drogës dhe sidomos injektimit të saj etj. Sjellje këto që rrisin mundesine e transmetimit te HIV.
“Përballë AIDS-it shëndeti Juaj varet shumë nga ju…” ndaj informohu sot dhe mbro shëndetin tënd.
*Ky suplement është mundësuar nën kujdesin e Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA) dhe specialistët e Institutit të Shëndetit Publik