Nga PMOS te disa lloje kancerash: Sëmundjet që u kanosen grave për shkak të obezitetit

Mjekja endokrinologe Tea Shehu ka folur për pasojat që obeziteti mund të shkaktojë në shëndetin e grave, duke theksuar se disa sëmundje shfaqen më shpesh te gjinia femërore.

Në kuadër të ciklit të podcasteve “Obeziteti, le të flasim për të”, Shehu shpjegoi se obeziteti rrit rrezikun për një sërë problemesh shëndetësore që prekin të dyja gjinitë, mes tyre prediabetin dhe diabetin, dislipideminë, sëmundjet kardiovaskulare, sëmundjet e mëlçisë, osteoartritin dhe disa lloje kanceri.

Megjithatë, sipas endokrinologes, te gratë rreziku është më i lartë për disa patologji specifike, përfshirë disa forma të kancerit.

“Ka sëmundje që shfaqen më shumë tek gratë kur kemi të bëjmë me obezitetin. Ka disa nga pasojat e obezitetit që janë të njëjta për të dyja gjinitë dhe këto janë risku i shtuar për prediabet dhe diabet të sheqerit, padyshim risku për dislipidemi, risku për sëmundje kardiovaskulare, risku për steatohepatitin, pra atë mëlçinë e dhjamosur që njihet në terma popullorë, risku për osteoartrit dhe risku për disa kancere”, u shpreh Tea Shehu.

Mjekja theksoi se, sipas studimeve, gratë me obezitet kanë rrezik të shtuar për kancerin e endometrit dhe kancerin e gjirit, veçanërisht gjatë periudhës së menopauzës. Ajo përmendi gjithashtu edhe disa të dhëna që lidhen me rrezikun për kancerin e vezoreve.

“Por në rastin e grave ka risk të shtuar, sipas studimeve të fundit, për kanceret e endometrit, për kancerin e gjirit, sidomos në periudhën e menopauzës, dhe ka dhe disa studime sporadike për kancerin e vezoreve”, tha endokrinologia.

Një tjetër problem që lidhet me obezitetin te gratë është sindroma e vezoreve policistike, e cila shoqërohet me çrregullime hormonale dhe metabolike.

“Meqenëse sindroma poliendokrine metabolike e vezoreve është një patologji tipike e gjinisë femërore, në këtë popullatë është patjetër më e shpeshtë. Le të themi, ky është variabiliteti që kanë burrat dhe gratë në këtë patologji”, përfundoi Tea Shehu.

Postime të ngjashme

Mjekja shpjegon pse vajzat dhe gratë kanë oreks të shtuar para ciklit menstrual
A ndikon obeziteti në fertilitetin e grave?
Betohet ministrja e Shëndetësisë/ Klodiana Spahiu merr zyrtarisht detyrën, zëvendëson Evis Salën
Check up-i në shtet/ Operatori i Sterilizimit shpall tender 20 mln euro për blerje kitesh dhe reagentësh
Cilat shenja tregojnë mungesë pushimi dhe gjumi?
Mazhoranca voton Klodiana Spahiun si ministre të Shëndetësisë
Projektligji i ri për PAK: parashikohet rritja e aksesueshmërisë, por si do garantohet zbatimi?
U helmuan 139 persona në Fushë-Arrëz, ISHP konstaton ndotje në sistemin e ujit të pijshëm