Kur ngjirja nuk zhduket vetë, gjithnjë shkoni tek specialisti. Sot është e vështirë ta fshehësh se të gjithë rrojmë me frikën e tumoreve. Por tumoret e laringut, që bëjnë viktima duhanpirësit e regjur, kanë (në krahasim me shumë të tjerë) avantazhin që po diagnostikohen në kohë, kurohen kirurgjikisht në mënyrë të
efektshme. Në stadet e para, po të hiqen radikalisht, pacienti shpëton.
Por si ta marrim vesh praninë e tyre? Simptoma më e parë është ngjirja: pas 15 ditësh ngjirje, që nuk e zhdukin dot as kurat, shkoni tek specialisti.
Fatmirësisht, në shumicën e rasteve shkohet kot. Më mirë kështu. Ajo që ka rëndësi, është t’i dalësh të keqes përpara. Të gjithë duhet ta bëjnë këtë. Shumicën e rasteve, e përsërisim, gjendja nuk është dramatike. Ngjirja ndodh shpesh ndërmjet dimrit dhe pranverës si shprehje e një laringjiti pothuajse gjithmonë banal, që mund të hyjë në kuadrin e shqetësimeve të mëposhtme:
Laringjiti akut
Korrente ajri, lodhje, thithje e pluhurave irritues ose e avujve kautikë mund të provokojnë një gjendje inflamatore të fytit me ngjirje, me kollë të shkurtër dhe të bezdisshme, tharje të gojës dhe shtrëngime. Pak infeksion e bën frymëmarrjen fishkëlluese, që shpesh na detyron “të pastrojmë fytin” (gjë që aty për aty bën mirë, por më vonë më shumë keq se mirë, duke e keqësuar gjendjen). Gjatë gripit mund të kemi dhe hemorragji të vogla (pështymë me pak gjak) për shkak të ulcerimeve të vogla laringo-trakealë. Forma të këtij lloji ndodhin dhe në rasin e fundit, skarlatinës dhe lisë së dhenve.
Veçanërisht të rënda janë format që ndeshen në rastin e tifos. Po për fat të mirë, tifo në ditët tona është bërë një sëmundje e rrallë dhe kurat specifike me antibiotikë e shërojnë shpejt, pa lejuar zhvillimin e komplikacioneve. Kurat janë kompresa të ngrohta lokale, tymosje dekongjestionuese, thithje avujsh alkalinë, sedativë kokra kundër kollës. Pas këtyre, zëri kthehet.
Laringjiti flemonoz
Kur mukoza e laringut ulcerohet, duke u mbuluar nga shumë plagëza të hapura, shpesh mikrobet, që janë miq të zakonshëm të fytit, infiltrohen në kordat zanore, bëhen agresivë dhe provokojnë zhvillimin e një absesi. Kjo gjendje është gjithmonë e rëndë. Përveç afonisë dhe dhembjes lokale, shpesh e madhe, ekziston rreziku i mbytjes, aq sa t’i drejtohemi trakeotomisë (dmth prerjes së trakasë poshtë laringut të bllokuar), që të bëhet e mundur frymëmarrja e mjaftueshme.
Kjo formë është pasojë e sëmundjeve të rënda si tifo dhe difteriti; temperatura ngrihet, dobësia është e madhe, është e pamundur të flasësh apo të gëlltitesh (pra të hash apo të pish). Aplikohen borsa me akull rreh qafës, thithje dhe penelatura dizinfektantësh, sulfamide, antibiotikë: në qoftë se këto s’mjaftojnë, duhet bërë çarja kirurgjikale e absesit.
Laringjiti kronik
Episode të përsëritura të laringjitit akut favorizojnë krijimin e gjendjes së laringjitit kronik. Forma mund të shfaqet dhe mbi baza profesionale: mësues, oratorë, predikues, tellallë janë të prirur po aq sa ata që punojnë në avuj dhe në kontakt me substanca irrituese. Mund të zhvillohet një shkallë e atrofisë e mukozës që vesh fytin, që ka të bëjë me kordat zanore: një vizitë me ndriçim të mjaftueshëm konstaton se fyti është i skuqur dhe shkëlqyes, si llak kinez, plot reflekse, sepse mukoza është e shtrirë dhe e hollë (atrofike). Për këtë shërbejnë kura të gjata me vaksina që lëngëzojnë veshjen e trashë të kordave zanore (tripsinë dhe kimotripsinë), kura me thithje avujsh pranë stacioneve termalë të specializuar, të paktën dy herë në vit. Natyrisht, duhet lënë duhani.
Laringjiti hipertrofik
Ekzistojnë forma të laringjitit kronik gjatë të cilave mukoza e veshjes, në vend që të hollohet, shtohet dhe bëhet më e trashë, rreth e rreth ose në trajtë difuze. Simptomat janë pak a shumë të njëjta, por sëmundja mund të shfaqet, në rastin e parë, me formimin e nodulave mbi kordat zanore (të ashtuquajturat nodulat e këngëtarëve); ndërsa në rastin e dytë, mukoza merr një trajtë pushore, të butë, që përfshin në rritjen e saj edhe kordat zanore, që bëhen më të vëllimshme dhe më të ashpra. Në këto raste, shumë herë, terapia e vetme e mundshme, pas një përpjekjeje për “kurë të heshtjes” absolute (që duhet të zgjasë të paktën një muaj) është ndërhyrja kirurgjikale. Edhe nodulat, edhe mukoza hipertrofike hiqen.
Laringjiti polioz
Ngjirja kronike mund të kushtëzohet dhe nga prania e tumoreve të vegjël të laringut, që ndeshen mjaft shpesh dhe nuk shkaktojnë shqetësim tjetër veç ndryshimit të zërit, që favorizohet nga shkaqet e zakonshme banale të irritimit të fytit. Këto tumore të vogla mund të bëhen polipe të mëdha sa një kokërr meli ose hashashi, rozë ose gri, të lëmuar ose papiloma, që arrijnë përmasat e një bizeleje apo thjerrëze dhe kanë syprinë të rrudhosur dhe të çrregullt. Edhe në këto raste kura është kirurgjikale.


