Ngrohja globale, rrezik për epidemi të diabetit?!

Përshtati në shqip: Blertina Koka

Shkencëtarët kanë paralajmëruar prej kohësh se rritja e temperaturave globale mund të ndikojë në shëndetin publik në një mënyrë shkatërruese, duke qenë se ndryshimet klimaterike lidhen me fenomene vdekjeprurëse të motit, përhapje të infeksioneve të rrezikshme, madje edhe mungesa të ushqimeve.

Tani hulumtuesit shkencorë po studiojnë nëse ndryshmet klimatike mund të lidhen me një tjetër shqetësim shëndetësor publik: diabeti i tipit 2.

Sipas një studimi të publikuar këtë të hënë në revistën ‘BMJ Open Diabetes Research & Care’, mes viteve 1996 dhe 2009 pati një rritje të ndjeshme të temperaturave në SHBA, dhe e njëjta gjë ndodhi edhe me përhapjen e diabetit.

Sipas ekspertëve, çdo gradë celsius rritje në temperaturë rezulton në 100 mijë raste të reja me diabet vetëm në SHBA.

Në të gjithë botën rastet me diabet janë shtuar. Shtimi i këtyre rasteve deri tani i është atribuuar rritjes së normës së obezitetit- rreziku i diabetit të tipit 2 është më i madh kur njerëzit janë mbipeshë ose obezë. Tani shkencëtarët kanë zbuluar se edhe ndryshimet klimatike mund të luajnë një rol.

Në studimin e tyre, hulumtuesit shkencorë nga Qendra Mjekësore Universitare Leiden në Holandë u fokusuan tek ndikimi që mund të ketë rritja e temperaturave globale në epideminë aktuale të diabetit.

Ata e arsyetojnë këtë fenomen me faktin që temperaturat e larta mund të ndikojnë në metabolizmin e glukozës, duke penguar aktivitetin e indeve dhjamore. Këto inde kalojnë energjinë e marrë nga ushqimet në nxehtësi, ku, sipas studimeve të mëparshme, ky proces stimulohet nga ekspozimi ndaj të ftohurit, duke çuar në rënie në peshë dhe veprim e ndjeshmëri më të mirë të insulinës.

Në këtë mënyrë një person është më pak i rrezikuar që të preket nga diabeti.

Shkencëtarët vëzhguan rritjen vjetore të temperaturave dhe rasteve me diabet mes viteve 1996-2009 në SHBA. Rezultatet treguan se për çdo 1 gradë celsius rritje të temperaturave, kishte një rritje prej 0.314 për 1000 në numrin e rasteve të diagnostikuar me diabet.

Ekipi thekson se ky është vetëm një studim vëzhgues, prandaj nuk mund të jepen përfundime. Megjithatë, rezultatet e këtij studimi tregojnë një lidhje mes ngrohjes globale dhe diabetit.

Burimi: CNN / https://shendeti.com.al/

Postime të ngjashme

Për herë të parë, turistëve të huaj u vihet tarifë për shërbimet shëndetësore
Reduktim i mjekëve në qendra shëndetësore dhe spitale, reagon Ministria e Shëndetësisë
Vrau 15 pacientë, mjeku dënohet me burgim të përjetshëm! Dëshmia: Mendova se ishte më e mira për ta
Kur një nënë e kuptoi menjëherë se vajza e saj ishte dhunuar, pse nuk u aktivizuan mekanizmat e sistemit shëndetësor?
Raporti i OBSH-së: Rastet e kancerit pritet të rriten ndjeshëm në mbarë botën
E sëmura me kancer në protestë: Jep para për koncert dhe nuk rimburson ilaçet tona
5 kura shtëpiake për pickimet e mushkonjave
5 mënyra për të mbajtur kockat tuaja të forta pas moshës 50 vjeç