Kryefaqja Aktualitet Nisma e USAID-it: Pacienti në qendër të sistemit shëndetësor

Nisma e USAID-it: Pacienti në qendër të sistemit shëndetësor

0
Shpërndaje
Drejtori i spitalit të Lezhës
Drejtori i spitalit të Lezhës
Drejtori i spitalit të Lezhës

RISI: Paneli Këshillimor Qytetar në Spitalin Rajonal Lezhë

Blerina Dudushi: Projekti i USAID “Mbështetje Reformës në Shëndetësi” (MRSH) ofron asistencë teknike për Spitalin Rajonal Lezhë për ngritjen e urave të bashkëpunimit dhe komunikimit për ta bërë zërin e qytetarëve pjesë të vendimmarrjes që lidhen me shërbimin shëndetësor në këtë Spital.

Për të siguruar pjesëmarrje sa më të gjerë të të gjithë aktorëve në këtë proces, MRSH do të punojë për të rritur angazhimin e shoqërisë civile dhe për forcimin e ndërveprimit mes Spitalit Rajonal Lezhë, shoqërisë civile dhe qytetarëve duke krijuar dhe institucionalizuar Panelin Këshillimor Qytetar. Ky parakusht u përfshi në Vendimin me NR. 308 Prot. Nr. 3, që u nënshkrua nga secili anëtar i Panelit Këshillimor Qytetar dhe pjesëmarrës i Spitalit Rajonal Lezhë me datë 17.09.2013.

Paneli Këshillimor Qytetar Lezhë është një grupim vullnetar dhe synon të shërbejë si njësi këshillimore për Spitalin rajonal Lezhë. Ky panel do të jetë gjithëpërfshirës, një angazhim dypalësh me Spitalin Rajonal Lezhë, ai ka përfaqësim të gjerë (madje edhe gjeografike, brenda rajonit Lezhë) me qytetarë që kanë vizion dhe duan të mundësojnë ndryshime pozitive në rajonin/qytetin e tyre.

Paneli Këshillimor Qytetar Lezhë ka 12 anëtarë 5 janë përfaqësues të Spitalit Rajonal Lezhë dhe 7 përfaqësues të komunitetit (drejtues dhe përfaqësues të OJQ-ve vendore, bizneseve, rinisë, grave dhe grupeve të margjinalizuara). Pjesëmarrja e gjerë ka si synim të bëjë të mundur trajtimin e sa më shumë tematikave dhe problemeve me rëndësi për komunitetin që gjithsecili prej tyre përfaqëson. Në diskutimet e Panelit Këshillimor Qytetar marrin pjesë edhe punonjës nga Spitali Rajonal Lezhë. Ky panel do të mblidhet rregullisht për çështje që lidhen me ofrimin dhe cilësinë e shërbimeve, si dhe me përparësisë e SRL.

Projekti MRSH do t’ju krijojë mundësi anëtarëve të panelit për njohjen e nismave të iniciuara nga projekti MRSH, por jo vetëm progresin në zbatim të këtyre inisiativave në SRL, ngritjen e kapaciteteve në tematika që kanë të bëjnë me mbrojtjen e interesave të qytetarëve etj. MRSH do t’i njohë ata me praktikat novatore në angazhimin qytetar, si dhe mbrojtjen me efektivitet të interesave të tyre.

Tonin Rumia, koordinator
Tonin Rumia, koordinator

Paneli këshillimor qytetar zhvilloi takimin e radhës në qytetin e Lezhës në një komunikim shoqëri civile – mjekë. Pritet që puna e tij të krijojë ura lidhëse mes qytetarëve dhe spitalit

Arlinda Gjypi

Në qytetin e Lezhës u zhvillua takimi i radhës me përfaqësues tëprojektit të USAID “Mbështetje Reformës në Shëndetësi”, përfaqësues të shoqërisë civile e organizatave të ndryshme, si dhe përfaqësues të spitalit Rajonal të Lezhës. Një panel i tillë synon të vendosë zërin e qytetarit në pozicion qendror sa i përket përmirësimit të vendimmarrjes, e cila duhet të jetë pasqyrim i nevojave dhe perspektivës së pacientëve, rritjen e cilësisë së shërbimit, duke e vënë në këtë mënyrë pacientin në qendër të sistemit shëndetësor.

Në hapje të takimit drejtori i spitalit të Lezhës, dr. Novruz Bara, informoi të pranishmit mbi nismat e projektit të USAID-it “Mbështetje Reformës në Shëndetësi” të aplikuara të këtë spital, si dhe efektet e secilës nismë në rritjen e kapaciteteve dhe cilësisë së shërbimit.

“Ishte një periudhë kur stafi nuk njihej me njëri-tjetrin dhe nuk kishin dijeni lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre. Kemi pasur dhe raste të veçanta ku infermierja nuk njihte drejtorin, për shembull, dhe kjo sillte pastaj edhe probleme në zbatimin e detyrave përkatëse”, u shpreh dr. Bara.

Ai informoi dhe lidhur me inisiativën e mirëmanaxhimit të vizitorëve, hyrje-daljet e pakontrolluara, të cilat kanë qenë një problem vërtet i madh për një kohë të gjatë dhe për këtë “kemi një vit që kemi filluar t’i manaxhojmë. Me mbështetjen e projektit ne kemi hartuar manualin e mirëmanaxhimit të vizitorëve, gjë e cila ndikon në rritjen e cilësisë së shërbimit, por njëkohësisht edhe në uljen e infeksioneve spitalore. Tashmë ka një rregullore e cila parashikon oraret e hyrje-daljeve, si dhe kohëqëndrimi në dhomën e të sëmurit”.

Sipas dr. Barës, ka edhe raste kur pacientët nuk duan që të kenë vizitorë. Në këtë rast, personeli respekton vendimin e tij/saj e nuk lejon që ai të shqetësohet.

Një tjetër inisiativë që vlen vëmendjen ishte mosraportimi i incidenteve. Ka mbi një vit tashmë që po zbatohet një praktikë e tillë e raportimit të incidenteve, e cila na ndihmon në realizimin me sukses të detyrave tona të përditshme.

Ndërkohë, dr.Tonin Rumia, koordinator i spitalit për projektin u shpreh se ardhja orar-pa orar e vizitorëve sillte probleme edhe në shërbimin ndaj pacientit. “Në çfarëdolloj orari tek i sëmuri kishte 3-4 familjarë që rrinin, dëgjonin, vështronin e sugjeronin ç’po bënin mjeku apo infermierja. Të dy këta të fundit ishin nën vëzhgimin e gjithë fisit. Tashmë që janë rralluar vizitat dhe janë me orar, mjeku është më i qetë. Po ashtu edhe infermierja është më e qetë dhe punon më mirë ndërsa i shërben pacientit. Për më tepër tashmë edhe nuk pengohet, ndërsa bën detyrën e saj”.

Sipas dr. Rumias, për të rregulluar situatën me vizitorët e shumtë një përgjegjësi e madhe i është dhënë edhe mjekut kurues. Ky i fundit komunikon me familjarët dhe u shpjegon atyre rëndësinë e uljes së numrit të vizitave në mënyrë që i afërmi i tyre të jetë sa më pak i ekspozuar ndaj infeksioneve. Duke informuar edhe njerëzit bëhen më bashkëpunues.

“Farmacia ka qenë një tjetër problem yni, – tha drejtori i spitalit në fjalën e tij. – Si rrjedhojë u pa nevoja për një pozicionim të ri të saj konform standardeve bashkëkohore të cilën pritet që ta përurojmë së shpejti.

“Gjatë kësaj periudhe sigurisht ka pasur pakënaqësi për probleme të ndryshme si ushqimi apo çarçafët. Ndaj e menduam si të drejtë që të bënim një ndërhyrje te kuzhina dhe lavanteria. Zgjidhja më e mirë ishte nënkontraktimi i një firme që do të merrej me këto çështje. Tashmë kemi nënkontraktuar lavanterinë gjithmonë me synimin e e përmbushjeve të nevojave të pacientëve ndaj këtij shërbimi dhe punojmë në vijimësi për mbikëqyrjen dhe zbatimin e standardeve të kërkuara”.

Mësohet gjithashtu se ndërkohë po negociohet për nënkontraktimin e një firme për kuzhinën, në mënyrë që të bëhet shpërndarja e ushqimit edhe në bazë të llojit të sëmundjes që ka pacienti, pasi deri më tani një gjë e tillë nuk është bërë.

“Ndërkohë kemi krijuar Departamentin e Shërbimeve Mjedisore. Krijimi i tij ka ndikuar në ndryshimin e rrënjësishëm të situatës, pasi është bërë një shpërndarje më e mirë e burimeve dhe janë ulur infeksionet spitalore”.

Paneli, urë komunikimi mes qytetarit dhe spitalit

Ndërkohë, Blerina Dudushi, përfaqësuese e projektit të USAID-it “Mbështetje Reformës në Shëndetësi” u shpreh:

“Ky projekt është prezantuar fillimisht si ide përpara aktorëve kryesorë të shëndetësisë si përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, urdhrat e mjekut, farmacistit, infermierit, OJF të ndryshme, shoqata pacientësh etj. Ideja e tij është vendosja e pacientit në qendër të sistemit shëndetësor. Pasi pacienti duhet të jetë pjesë e vendimmarrjes.

“Risia është se kjo nismë po pilotohet për herë të parë në Shqipëri në Spitalin Rajonal Lezhë dhe duke pasur parasysh gatishmërinë dhe angazhimin e shprehur nga drejtuesit e stafi i spitalit drejt transparencës dhe shndërrimeve pozitive kemi besim se një nismë e tillë do të ecë mirë”.

Qëllimi i panelit këshillimor është pikërisht të vendosë një urë komunikimi mes qytetarit dhe spitalit. Në një bashkëpunim të parë me spitalin vendosëm se cilët do të ishin përfaqësuesit e qytetarëve dhe pikërisht ata që do të ishim më përfaqësuesit për zërin e tyre.

Paneli ka 12 anëtarë, pesë prej të cilëve do të jenë përfaqësues të spitalit, dhe 7 përfaqësues të komunitetit të rajonit Lezhë.

Anëtarët e panelit zgjidhen një herë në tre vjet, por gjithsesi anëtarët nuk do të ndryshohen të gjithë njëherësh, por me rotacion. Ky panel ka edhe strukturat e veta drejtuese: kryetar, nënkryetar dhe sekretariatin.

Paneli, informim i ndërsjelltë mjekë-qytetar

Pyetjes së gazetarëve të pranishëm në takim se si është përzgjedhur paneli, Mirela Cami, përfaqësuese e USAID-it iu përgjigj se që kur projekti ishte në fillesat e tij dhe ende pa u përzgjedhur Lezha si qytet, ku ky panel do të aplikohej  u bë një studim i plotë mbi grupet dhe organizatat që vepronin në mbështetje të shoqërisë civile.

Më pas, këtyre shoqatave iu kërkua bashkëpunim dhe më pas që të dërgonin përfaqësues të tyre për të marrë pjesë në panel. Por, u shpreh Cami, mbledhjet do të jenë të hapura, dhe nëse shihet se ka një handikap, ose se personat e zgjedhur nuk do ta bëjnë siç duhet detyrën e tyre, sigurisht që kjo do të sjellë ndërrimin e tyre me njerëz më kompetentë.

Dorina Ndreca, përfaqësuesja e Word Vision
Dorina Ndreca, përfaqësuesja e Word Vision

Ndërsa përfaqësuesja e organizatës “Word Vision” në Lezhë, Dorina Ndreca, pyeti lidhur me faktin se ç’pritet që të sjellë ky panel në mbledhjen e radhës. Ishte përfaqësuesja e USAID-it, Blerina Dudushi, e cila u shpreh se në fund të çdo takimi të panelit, vendosen temat për diskutim në takimin e radhës.

“Do të diskutohet për një përballje qytetar – mjek”, u shpreh Dudushi,  duke vijuar se spitali do ta përdorë panelin për t’u lidhur me qytetarin dhe për të ditur se çfarë ai kërkon, por nga ana tjetër edhe për t’i dhënë qytetarit informacionin e duhur lidhur me vendimet e ndryshme apo rregulla të spitalit.

Nga ana tjetër, në diskutim, drejtoresha e gazetës “Shëndet Plus” sugjeroi edhe përdorimin e portaleve të shkollave të mesme për rritjen e komunikimit me të rinjtë, takime në shkollat e mesme për ndërgjegjësimin e tyre mbi të drejtat e pacientëve etj.

Përfaqësuesja e bashkisë: Paneli do të sjellë zërin qytetar

Yllka Brahimi, punonjëse sociale në Bashkinë e Lezhës, është një nga anëtaret e panelit këshillimor. E pyetur lidhur me funksionin që institucioni ku ajo merr pjesë mund të ketë në panel, Yllka thotë se bashkia është në të vërtetë i pari institucion që përballet me qytetarin dhe që ka lidhje të drejtë me të. Për çdo problem qytetarët i drejtohen bashkisë, sidmos shtresat më të varfëra, të cilat gjithashtu tregojnë edhe problemet e tyre.

Bashkia trajton edhe familjet me ndihmë ekonomike që në Lezhë numërohen rreth 550 dhe me të cilët punonjësit takohen çdo muaj. Punonjësit socialë kanë mundësi intervistimi, si dhe vizitash në shtëpi, duke qenë në terren.

Lidhur me idenë e një nisme të tillë, Brahimi thotë se “ta bësh të prekshme mjekësinë është vërtet diçka shumë e mirë, sidomos për shkak të paragjykimeve që ekzistojnë. Ky panel është një vend për të sjellë zërin tonë”.

Ndër problemet më të shumta që njerëzit kanë raportuar në bashki dhe që lidhen me sistemin shëndetësor e që pritet të diskutohen në panel janë: mosmarrja e shërbimit të duhur; pagesa ekstra, edhe pse nuk janë mundësitë; blerja e ilaçeve në farmaci jashtë spitalit; indiferenca apo paragjykimi sidomos për pacientët romë apo egjiptianë.

Pritet që ky panel këshillimor të sjellë zgjidhje të problemeve të qytetarëve të Lezhës.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here