Qendra Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin, në bashkëpunim me UNFPA-në, zhvilloi një konferencë lidhur me infeksionet seksualisht të transmetueshme, barazinë gjinore dhe lufta kundër dhunës në familje
Infeksionet seksualisht të transmetueshme, barazia gjinore, si dhe lufta kundër dhunës në familje ishin shqetësimet e ngritura gjatë një konferencë nga Qendra Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin, e mbështetur nga UNFPA. Gjatë diskutimit, drejtuesit e kësaj shoqate, bashkë me përfaqësues të qeverisë shqiptare u shprehën se duhen marrë masa nga ana e ministrive përkatëse në mënyrë që të ketë një ndërgjegjësim nga popullata në parandalimin e këtyre fenomeneve.
Kryetarja e shoqatës, Lida Grabova, u shpreh se gjatë kësaj periudhe janë zhvilluar afro 170 projekte në Tiranë dhe në tre qytetet kryesore të vendit ku ka nisur puna me palët e interesit. Sipas saj, i është dhënë afat qeverisë shqiptare që deri në vitin 2020 të plotësojë 10 kërkesa thelbësore që kanë të bëjnë me shëndetin riprodhues për të arritur një popullatë më të shëndetshme në të ardhmen. Sipas shoqatës, duhet ndërhyrë në mënyrë urgjente në luftën kundër infeksioneve seksualisht të transmetueshme, në ligjin kundër abortit etj.
“Ligjet që mbrojnë shëndetin e nënës dhe të fëmijës i kemi edhe në Kushtetutë, por përsëri kemi probleme në këtë drejtim, sepse vdekshmëria foshnjore në Shqipëri mbetet akoma e lartë. Ligji për ndërprerjen e shtatzënisë ka mangësi. Akoma nuk është përcaktuar se si do të jetë ky shërbim në sektorin privat apo ofrimi i këtyre shërbimeve në abortin me tableta, pasi në mënyrë ilegale realizohet, por kjo mund të sjellë pasoja të rrezikshme”, tha Grabova.
Ndërsa përfaqësuesja e qeverisë, njëkohësisht dhe anëtare e komisionit parlamentar të shëndetësisë, Klodjana Spahiu, u shpreh se qeveria është e vendosur që të propozojë një sërë projektligjesh për kujdesin e IST-ve në mënyrë që të kemi një brez të shëndetshëm në të ardhmen. Spahiu gjithashtu shtoi se janë shtuar rastet e HIV/AIDS apo të sëmundjeve të tjera dhe për këtë arsye duhet hartuar një buxhet i veçantë në mënyrë që të punohet në luftën kundër këtyre infeksioneve.
E pranishme në këtë diskutim ishte dhe kryetarja e shoqatës kundër HIV/AIDS, Olimpi Hoxhaj, e cila kërkoi nga ana e qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë që të nisë fushatën për parandalimin vertikal të HIV AIDS-it, çka nënkupton që nga prindër të prekur të mos lindin fëmijë me HIV. Sipas saj, lindjet dhe rastet me HIV AIDS janë shtuar, por me shtimin e një buxheti edhe Shqipëria mund të arrijë në të ulë numrin e rasteve të prekura.
“Vitin e kaluar Shqipëria ka pasur numrin më të madh të rasteve të diagnostikuara. Vetëm në vitin e kaluar ishin gjashtë raste, që do të thotë që tek ne akoma nuk funksionon programi i parandalimit të transmetimit vertikal nga nëna tek fëmija i HIV-it. Një test i thjeshtë për HIV gjatë shtatëzënisë do të parandalojë që të kemi pasardhës të infektuar në të ardhmen”, tha Hoxhaj.
Gjithashtu edhe anëtarë të kryesisë së Shoqatës për Popullsinë dhe Zhvillimin u shprehën optimistë se bashkëpunimi i qeverisë me palët e interesit do të bëjë të mundur që edhe vendi ynë të arrijë rezultatet që kanë vendet e zhvilluara.
Brenda vitit 2020 kërkojmë nga qeveritë në mbarë botën:
Të konsiderohet shëndeti seksual dhe riprodhues si një objektiv parësor i zhvillimit.
Të rritet aksesi ndaj shërbimeve seksuale dhe riprodhuese.
Të eliminohet diskriminimi ndaj grave dhe vajzave.
Të garantohen të drejtat mbi shëndetin seksual dhe riprodhues si të drejta njerëzore.
Të sigurohet përfshirja e të rinjve në të gjithë vendimmarrjen politike që ndikon mbi ta.
Të integrohen shërbimet seksuale dhe riprodhuese dhe të HIV-it në shërbime shëndetësore të përgjithshme.
Të përgjysmohen nevojat e paplotësuara për kontraceptivët.
Të ofrohet edukimi seksual gjithpërfshirës për të gjithë.
Të ulet vdekshmëria amtare.
Të investohen burimet e nevojshme për të arritur objektivat e mësipërme.
Ky shkrim është botuar në numrin e 1 qershorit 2014 të gazetës “Shëndet+” dhe mbështetur nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë



