Nga Artur Nura
Në emisionin “Versus” në Report Tv trajtuam në transmetimin e fundit rastin e vetëvrasjes së anestezistit Tefik Zhurda dhe raportet Mjekë – pacientë në Shqipëri. Të ftuar kisha dy nga mjekët më në zë të cilët edhe kishin shkruar ne mbështetje të kolegut të tyre i cili ndodhet në kurim intensiv në Itali dhe, siç thotë fjala popullore me “një këmbë në jetë dhe tjetrën në varr”, respektivisht Lida Shosha kirurge e përgjithshme dhe Apostol Vaso anestezist i përgjithshëm. Përballë dy mjekëve të njohur dhe me eksperiencë të gjatë ishin dy gazetare të fushave sociale dhe shëndetësisë, respektivisht Egla Bardhi Gazeta Shëndet Plus dhe Mirilda Tili, Report Tv.
Gjatë transmetimit live në mënyrë profesionale u debatua mbi problematikat e shëndetësisë dhe mjekësisë dhe nga panelistët u cilësua qartazi që raportet Mjekë-Pacientë nuk mund të qartësohen nëse shteti nuk është funksional dhe nuk kryen rolin e tij për të cilit qytetarët paguajnë në mënyre të rregullt me taksat e tyre.
Mjekët dhe gazetarët në studio thanë se shteti, Ministria e Shëndetësisë ka përgjegjësinë themelore në këtë raport problematik midis mjekëve dhe pacientëve të tyre dhe, u shtua se mjekët tanë janë heronj, por puna çalon për shkak të një sistemi kryesisht irracional dhe aspak transparent dhe i politizuar!
Në fakt, një qasje e tillë kritike vërtetohet më së miri, kur sillet në vëmendje fakti qe anestezisti i njohur Apostol Vaso në studion e Report Tv tha: “Edhe unë do të bëja te njejten gjë qe beri shoku dhe kolegu im i pasionuar, Dr. Tefik Zhurda. Do te vet-vritesha me anestezi.” dhe askush nuk reagoi dhe e lanë ne heshtje me paturpësinë me te madhe dhe papërgjegjshmëri te plote absurde!
Vaso argumentoi se kolegu i tij nuk kish tentuar një vetëvrasje, por nje Eutanazi (E drejta për te vdekur me dinjitet) sepse sipas Vasos, anestezistet në Shqipëri për shkak të këtij specialiteti shumë të vështire, i cili shpëton nê vazhdimësi jetën e mijëra pacientëve shqiptare si kudo në botë, bashkëjetojnë në mënyre permanente me vdekjen e mundshme të pacientëve të tyre, dhe se kjo qartazi ja bën çdo mjeku anestezist jetën dhe profesionin shumë dramatik.
Anestezisti Apostol Vaso tha se ai çdo mëngjes kur nisej për ne spital dhe deri sa kthehej ne shtëpi, shoqërohej nga ky stërmundim profesional dhe jetësor, ndërsa dhimbja dhe drama e çdo anestezisti behet tragjike si ne rastin e anestezistit Tefik Zhurda, nga indiferentizmi institucional dhe njerëzor i shoqerise!
Ministria e Shëndetësisë dhe autoritet përkatëse të ministrisë së linjës deri tani nuk kanë reaguar aspak dhe me siguri po merrem si të ndihmojnë partitë e tyre të marrin sa më shumë vota dhe të garantojnë pushtetin!
Një paciente e re dhe fatkeqe nuk jeton më, fati i zi ja ndërpreu në mes ëndrrat e saj rinore dhe pas saj mund të shkojë edhe një mjek i nderuar me eksperiencë dhe me kontribute të jashtëzakonshme në mbrojtje te jetës dhe shëndetit te njerëzve dhe, askush prej atyre që drejtojnë sistemin shume miliardësh nuk reagon, nuk ofron zgjidhje, mbështetje dhe sensibilizim…!
Por a mund të qëndrojmë kështu dhe të lejojmë që profesionistët që shpëtojnë mijëra jetë të kryejnë Eutanasi kolektive dhe të lejojmë që përgjegjësit politike të vazhdojnë ndërrimin e pushtetit, sikur të mos ketë ndodhur asgjë?!
Nuk duhet kurrsesi dhe kjo varet nga sensibiliteti i çdo njërit prej nesh, pa u bërë akoma viktimë e këtij sistemi të kalbur. Kemi mjekë heronj dhe sistem të mbyllur dhe jo transparent. Nesër, fjala e urte: “më mirë vonë se kurrë” nuk do te ketë vlerë…

