Kryefaqja Aktualitet Nxënës që respektojnë rregulla brenda shkollave, prindër që i thyejnë ato jashtë...

Nxënës që respektojnë rregulla brenda shkollave, prindër që i thyejnë ato jashtë gardhit/ A janë shembull prindërit për fëmijët e tyre?

0
Shpërndaje

Gazetare: Klevisa GJIKA

Shkollat 9-vjeçare dhe të mesme hapën dyert, ditën e sotme, pas një periudhe 6-mujore të shoqëruar me vështirësi si pasojë e COVID-19. Masat anti-covid janë kryefjala e kësaj rihapjeje, mirëpo sa po zbatohen ato? Sa respektohet protokolli i vendosur nga qeveria?

Gjatë vëzhgimeve të bëra ditën e sotme nga gazeta “Shëndeti” sytë të kapnin menjëherë grumbullimet, sidomos në hyrjen e shkollave. Mungesa totale e organizimit duket lehtësisht në imazhet e siguruara në këto ambiente të shkollës “Ahmet Gashi” në Laprakë.

Matja e temperaturës, distancimi fizik, dezinfektantët, mësime me turne janë disa elementë shtesë për nxënësit në këtë vit të ri shkollor, masa këto që i bashkëngjiten emocioneve të përvitshme të fillimit të shkollës dhe që praktikisht vështirësojnë një fillim normal të procesit mësimor.

Ndryshe  nga më parë, këtë vit 480 mijë nxënësve të sistemit parauniveristar do t’u duhet të zbatojnë protokollet e veçanta të Ministrisë së Shëndetësisë, në mënyrë që të shmangin infektimet masive.

Mirëpo, kjo gjë rezulton e dështuar që në ditën e parë. Rregullat thyhen fillimisht nga prindërit që dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë. Ata nuk i shmangen grumbullimeve masive dhe respektimi i masave nga fëmijët vetëm në hapësirën e shkollës nuk përbën vlerë kur jashtë saj të gjithë rrinë kokë  më kokë.

Sado të përpiqen të mbrohen fëmijët dhe sado të përpiqen prindërit t’i kërkojnë atyre të bëjnë kujdes, janë vetë ata që tregohen të papërgjegjshëm. Kjo sjell që fëmijët të mos jenë të mbrojtur nga prindërit e tyre.

Edhe në gjimnazin “Qemal Stafa” situata paraqitet e njëjtë. Grumbullimet nuk mungojnë, edhe pse në këtë rast kemi të bëjmë me nxënës të grupmoshës 15-18 vjeç.

Kujtojmë se në shkollat me mbi 1000 nxënës, mësimi do të bëhet në 4 turne në mënyrë që në një klasë të jenë të paktën 20 nxënës. Këtë vit, në disa shkolla do të aplikohet edhe mësimi në ambientet e jashtme, vetëm në ato shjkolla ku kjo e fundit është e mundur.

Çdo ditë para nisjes së shkollës, çdo prind dhe fëmijë duhet të plotësojë një formular, ku deklaron se nuk është i prekur me COVID apo që nuk ka shenja të ngjashme me ato të virusit.

Asnjë nga fëmijët nuk do të lejohet të dalë nga shkolla pa mbaruar procesin mësimor.

Krahas kësaj, plot 94 shkolla nuk kanë hapur dyert për nxënësit këtë vit për shkak të pasojave të rënda që la pas tërmeti i 26 nëntorit në godinat e tyre.

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here