Oponenca e interesave të Tritan Shehut?!

Albana Vokshi Tritan Shehu

Arlinda Gjypi, gazeta “Shëndet+”

Disa prej deputetëve të PD-së të cilët merren me çështjet shëndetësore, vendosën dje që të shkonin në spitalin onkologjik dhe të denonconin mungesat në këtë spital. Ndërkohë, kreu i Departamentit të Shëndetësisë në PD, Tritan Shehu, u vendos në krah të ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj për një konferencë mbi farmaceutikën, zhvilluar në Universitetin e themeluar prej tij dhe ku ai vetë është zv.rektor.

Sigurisht, secili është i mirëpritur që të mbrojë interesat e tij personale, por në këtë rast, kur vihen në balancë interesat personale me ato të gjithë zgjedhësve të partisë së zotit Shehu, këto të fundit duhet të jenë të parat në listë.

Ish-kryetari i PD-së, njëkohësisht edhe kreu i Departamentit të Shëndetësisë në këtë parti, duhet të ishte në krah të deputetëve të tjerë të djathtë të cilët ngritën çështjen e problemeve me të cilat ndeshen çdo ditë të sëmurët me kancer në trajtimin e tyre. Megjithatë, ai zgjodhi një tjetër çështje.

Ndoshta, përfaqësuesi i djathtë, që për një kohë jo të shkurtër ka mbajtur postin e deputetit me një rrogë jo pak, por 150.000 lekë (të rinj) çdo muaj, pa përfshirë këtu paratë e tjera për punët e tij të tjera në parti, duhet të kujtohet për të sëmurët në onkologjik. Këta të fundit jo vetëm e ëndërrojnë rrogën e tij, por edhe vdesin mes dhimbjesh për shkak të mungesës së trajtimit.

Kur kreu i Departamentit të Shëndetësisë në PD flet për cilësinë medikamentoze si përgjegjësi e shtetit, bën mirë të përmendë që në Shqipëri të sëmurët e onkologjikut i blejnë barnat kontrabandë, sepse spitali nuk ua siguron. Ndoshta ministri i Shëndetësisë, i pranishëm në konferencën e organizuar nga Shehu në universitetin e tij, nuk dëshiron ta pranojë. Por është detyrë pikërisht e kësaj opozite që ta bëjë të ditur një fakt të tillë, jo duke mbrojtur interesat personale, por interesat e atyre mijëra shqiptarëve që vuajnë nga kanceri.

Në të kundërt, mund të thuhet pa drojë se ish-kryetari i PD-së bën opozitë vetëm kur i preken interesat e universitetit të tij mjekësor.

Postime të ngjashme

U plagos me plumb gome në sy gjatë protestës, MSHMS: Erjon Vishkulli kalon me sukses operacionin në Romë
Check-up falas për qytetarët, por sa kushton për buxhetin e shtetit?
Minutat e errësirës dhe paniku për jetën e pacientëve! KLSH zbulon faktin e rëndë, Trauma ka vetëm 1 gjenerator në punë dhe pa servis
U lëndua në sy gjatë protestës në Tiranë, Prokuroria e Tiranës nis hetimin për Erjon Vishkullin
Ministria e Shëndetësisë përditëson bilancin e të lënduarve nga protesta, katër persona të paraqitur në spitale
“Në Itali kanë çuar familja dhe miqtë, jo shteti”/ Rama i përgjigjet motrës së protestuesit: Iniciativën e mora unë, i kam uruar të shkuara para se të nisej
Çfarë ndodh me foshnjën nëse diabeti i shtatzënisë nuk mbahet nën kontroll
13 të lënduar pas protestës në Tiranë! Si paraqitet gjendja e të riut të goditur në sy