Kryefaqja Të rinjtë Aktivitete Pacientët kanë të drejtën e informimit. Dervishi: Ka mangësi, por përpiqemi të...

Pacientët kanë të drejtën e informimit. Dervishi: Ka mangësi, por përpiqemi të jemi korrekt

0
Shpërndaje

Denisa Canameti

“Shpeshherë tek ne nuk bën lajm interesi publik, por interesi për publikun. Duke shpërdoruar kështu jetën private të pacientëve, ku në vend se të japin një kontribut, qoftë edhe moral për pacientët, i cenojnë jetën duke i shtuar problemet që kanë.

“E drejta e informimit është e rëndësishme, sepse krijon një hapësirë, krijon një diapazon të ri për t’u njohur. Mbase vijmë nga një kulturë ku pacienti duhej mbajtur në errësirë, por kemi ndryshuar nga ky lloj mentaliteti, ku është e drejtë që pacienti të ketë sa më shumë informacion të jetë e mundur. Aq më tepër kur bëhet fjalë për informacion publik.

“Ju falënderoj për iniciativën dhe shpresoj që institucioni jonë të ketë shërbyer dhe të ketë kënaqur pritshmëritë tuaja, megjithatë, në çdo rast mbetemi në dispozicion. Ky bashkëpunim do të vazhdojë për të mirën e përbashkët. Jemi institucion publik, kemi mangësitë tona, por dua të na besoni kur them: vullnetin e kemi për të qenë sa më korrekt”. Kështu është shprehur Besnik Dervishi –  Komisioner për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në një takim të mbajtur sot në zyrat e Komisionerit midis përfaqësuesve të këtij institucioni dhe pacientëve.

E drejta për informacion është e drejtë e çdo personi, kur ky informacion ka të bëjë me veprimtarinë e organeve shtetërore dhe të personave që ushtrojnë funksione shtetërore, pa qenë i detyruar të shpjegojë motivet. Autoriteti publik është i detyruar të japë çdo informacion në lidhje me një dokument zyrtar, përveç rasteve kur me ligj parashikohet ndryshe.

Çdo informacion për një dokument zyrtar, që i është dhënë një personi, nuk mund t’i refuzohet asnjë personi tjetër që e kërkon atë, me përjashtim të rastit kur ky informacion përbën të dhëna vetjake të vetë personit, të cilit i është dhënë informacioni.

Ardita Shehaj, drejtoreshë e Drejtorisë për të Drejtën e Informimit, e pranishme në takimin e sotëm, u ndal gjatë te e drejta që çdo pacient ka për marrjen e një informacioni të drejtpërdrejtë në institucionet shëndetësore.

“Ju me të drejtën e informimit mund të kërkoni informacion të përgjithshëm, por duhet të bëjmë kujdes me të dhënat personale. Sepse pjesa e shëndetësisë përmban të dhëna shumë të ndjeshme”, tha Shehaj.

Gjithashtu ajo përmendi disa praktika konkrete që shoqata “Together for life” ka depozituar pranë këtij institucioni,  për të shpjeguar llojin e informacionit të kërkuar dhe rëndësinë e formulimit të pyetjes.

Pjerina Gaxha, drejtoreshë e Drejtorisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, i njohu të pranishmit me detyrimin që kanë institucionet publike dhe sektorit privat për mbrojtjen e të dhënave personale në përputhje me legjislacionin kombëtar në fuqi në këtë fushë. Në këtë kontekst, tha Gaxha, pacientët kanë të drejtë të kërkojnë çdo informacion që nuk cenon respektimin e privatësisë së qytetarëve.

Të pranishëm në aktivitet ishte gjithashtu Besa Velaj , Këshilltare e Komisionerit dhe Edrin Fidhe, Inspektor në Drejtorinë e Mbrojtjes së të Dhënave Personale.

Vetë pacientët u shprehën se në ndjekjen e çështjeve të tyre, përfaqësuese për komunitete më të gjëra, kërkohen informacione të cilat kanë menduar se nuk mund ti kenë. Ata ngritën shqetësime dhe pyetje, si dhe morën garancinë e institucionit të Komisionerit për lehtësimin e tyre në procesin e vjeljes së dokumentacionit/informacionit që do mund t’i shërbejnë çështjeve me interes publik. Komisioneri gjithashtu inkurajoi pacientët që të bëhen aktiv dhe ta përdorin të drejtën për informim.

Po kur kërkohet informacion, që as vetë institucionet nuk i disponojnë? Kjo pyetje u ngrit nga pacientët, pasi për kategori të caktuara sëmundjesh nuk ekzistojnë regjistra të saktë.

“Kjo është një çështje gjithashtu e diskutuar dhe e zgjidhur nga Komisioneri. Në këtë rast nuk mohohet e drejta për informim, por Komisioneri del me vendim-urdhërimi, duke detyruar kështu institucionet që t’i prodhojnë këto informacione”, tha drejtoresha Ardita Shehaj.

Ky aktivitet u realizua në kuadër të Projektit “Fuqizimi i pacientëve: Luftë kundër korrupsionit në sistemin shëndetësor përmes fuqizimit të pacientëve dhe institucioneve të pavarura”, mbështetur financiarisht nga USAID/Albania./ Shendeti.com.al

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here