Kryefaqja Aktualitet Pandemia sjell vonesa vdekjeprurëse në depistimin dhe diagnostikimin e kancerit

Pandemia sjell vonesa vdekjeprurëse në depistimin dhe diagnostikimin e kancerit

0
Shpërndaje
Lufta kundër kancerit gjatë COVID-19 | Ilustrim grafik nga Jurgena Tahiri

Kontrollet e munguara gjatë vitit 2020 për shkak të pandemisë së COVID-19 mund të rezultojnë në të ardhmen në diagnoza të vonuara dhe më të rënda të kancerit.

Bardha Nergjoni

Lufta kundër kancerit gjatë COVID-19 | Ilustrim grafik nga Jurgena TahiriBesa Zhupa, mjeke në qendrën shëndetësorë të fshatit Vidhas – vetëm 5 kilometra larg nga qyteti i Elbasanit, duhet të realizojë çdo vit rreth 850 depistime për kancer gjiri për gratë e moshës mbi 35 vjeç.

Pavarësisht përpjekjeve të saj, numri i kontrolleve të realizuara gjatë vitit të fundit ra në mënyrë drastike dhe nuk i afrohet shifrës së planifikuar.

“Ne jemi munduar t’i referojmë dhe i kemi kontaktuar, por kemi hasur refuzim për shkak të virusit,” tha Zhupa, ndërsa shpjegoi se depistimi  është hapi i parë i diagnostikimit që ndiqet përpara se pacientët të referohen për mamografi.

Përvoja e doktoreshë Besës nuk është e izoluar. Të dhënat e siguruara nga BIRN nëpërmjet ligjit për të drejtën e informimit nga Instituti i Shëndetit Publik, ISHP tregojnë se numri mamografive të relizuara në spitalet rajonale u përgjysmua gjatë vitit 2020, krahasur me një vit më parë. Ngjashëm, ISHP raporton edhe një rënie me gati 30 % të kontrolleve për depistimin e kancerit të qafës së mitrës.

Ky trend negativ në diagnostikimin e kancerit nuk është vetëm një fenomen shqiptar. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, OBSH, lufta kundër kancerit u dobësua në 1/3 e vendeve europiane për shkak të pandemisë së COVID-19.

OBSH thekson se pandemia ka sjellë vonesa në diagnostikimin dhe kurimin e sëmundjes, duke ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë shanset për mbijetesë të qindramijëra pacientëve me kancer në Europë.

“Ndikimi i pandemisë në [sëmundjen] e kancerit në Europë është katastrofik,”  tha Dr. Hans Henri P. Kluge, drejtor i OBSH-së për Europën gjatë një konferencë për shtyp me 3 shkurt. “Na ka bërë të kuptojmë koston njerëzore të neglizhimit të sëmundjeve të patrasmetueshme siç është kanceri,” shtoi  ai.

Një vit pas shpërthimit të pandemisë në Shqipëri, më shumë se 115 mijë persona janë infektuar nga koronavirusi i ri dhe mbi 2 mijë pacientë kanë humbur jetën nga COVID-19. Ndërkohë që COVID-19 bënë kërdinë, edhe kanceri nuk ka qenë me pushime.

Sipas mjekut Ilir Qefalia, i cili punon për Shërbimin Onkologjik në Banesë, gjatë viti 2020 janë diagnostikuar rreth 580 raste me kancer në stad të avancuar ose shumë të avancuar.

Përveç problemeve me depistimin, pandemia e COVID-19 ka ngritur barriera edhe për kurimin e pacientëve të diagnostikuar, për shkak të kufizimit të lëvizjeve gjatë karantinës dhe rrezikut të infektimit të pacientëve me koronavirusin e ri.

“Gjatë pandemisë dhe karantinës totale u bë akoma më e vështirë për mua, pasi nuk kishte mjete as për të bërë ekzaminimet e thjeshta,” tha Fiqirie Kokunja, e cila iu nënshtrua një operacioni në fund të shkurtit në Spitalin Onkologjik në Tiranë. “Pandemia m’i ka shtuar vështirësitë,” shtoi ajo.

Fiqirie Kukunja, paciente me kancer | Foto nga : BArdha Nergjoni

Ngjashëm me Fiqirien, edhe E. Bahja ka kryer një ndërhyrje kirurgjikale në vitin 2019, pas së cilës ka vazhduar me seanca kimioterapie. Aktualisht po mjekohet me medikamente dhe bën kontrolle çdo tre muaj. Megjithë vështirësitë e krijuara nga pandemia, gruaja nga fshati Vidhas i Elbasanit nuk i ka lënë pas dore kontrollet, edhe pse ka pasur frikë se infektohet me COVID-19.

“Vendos maskën, marr dezinfektant në në ditën e kontrollit, bëj analizat dhe konsultën me doktoreshën,” shpjegoi ajo.  “Sigurisht që jemi frikësuar më shumë se të gjithë, por nuk kam shumë mundësi zgjedhjeje.”

Sipas një studimi të realizuar nga organizata ‘Together for Life’, në vitin 2020 humbën jetën për shkak të kancerit 3,978 persona, mes të cilëve edhe 1,319 femra. Kanceri i gjirit zë rreth 14.5% të vdekshmërisë nga sëmundjet kancerogjene.

Raporti thekson se depistimi nëpërmjet mamografisë si dhe ndjekja e individëve me rezultate pozitive apo të dyshimta do ta reduktonte vdekshmërinë nga kanceri i gjirit tek gratë e moshës 50-69 vjeç me pothuajse një të tretën.

Sipas OBSH-së, qëllimi i depistimit është të kapë sëmundjen para shfaqjes së simptomave klinike dhe paraqitjes së pacientit për ndihmë mjekësore.

Megjithatë, për shkak të vendosjes se karantinës për disa muaj gjatë vitit 2020 dhe frikës së pacientëve nga infektimi me COVID-19, shifrat e depistimit dhe mamografisë kanë rënë në mënyrë drastike.

Sipas të dhënave të Drejtorisë Rajonale të Shëndetit në Elbasan, gjatë vitit 2020 janë realizuar 471 mamografi, ose 70 % më pak se në vitin 2019.

Edhe ekzaminimet e mamografisë të kryera nga njësitë e lëvizshme të Institutit të Shëndetit Publik ranë nga 4261 në vitin 2019 në 3087 në vitin 2020, ose 27 % më pak.

Rënie ka pasur edhe numri i mamografive stacionare të realizuara nga spitalet rajonale. Sipas ISHP-së në vitin 2020 u realizuan 5339 mamografi në këto spitale ose 9826 më pak se në vitin 2019, duke shënuar një rënie vjetore prej 65%. Për shkak të pandemisë është shtyrë edhe programi kombëtar për depistimin e moshës 50 me 69 vjeç për kancerin e gjirit, i cili pritet të rifillojë gjatë vitit 2021.

Ndërkohë, edhe programi kombëtar i depistimit të kancerit të qafës mitrës – i cili ka filluar në pranverën e vitit 2019 hasi pengesa gjatë vitit 2020, duke realizuar 5 mijë teste më pak se në vitin paraardhës.

“Sigurisht që pasojat e pandemisë sa i përket kancerit të gjirit dhe qafës së mitrës do shikohen në të ardhmen dhe është shumë e vështirë ta masësësh tani,” tha doktoresh Besa Zhupa.

“Unë besoj se do të sjellë pasoja si për depistimin e hershëm ashtu edhe në stadin e rënduar në të cilin përfundojnë gratë në spital, duke rrezikuar jetën e tyre,” paralajmëroi ajo.

Ky botim u realizua në kuadër të Projektit “Të luftojmë dezinformimin dhe të rrisim transparencën dhe llogaridhënien në sektorin e shëndetësisë”, i cili po zbatohet nga shoqata “Together for Life” dhe BIRN Albania  dhe mbështetet financiarisht nga British Embassy Tirana.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here