Kryefaqja Lajm kryesor Përfitimet e terapisë së artit për ankthin

Përfitimet e terapisë së artit për ankthin

0
Shpërndaje

Kur mendojmë për terapinë e artit, shumë prej nesh përfytyrojnë imazhet e fëmijëve të vegjël në një dhomë, me një këshillues, duke vizatuar mbi ndjenjat dhe emocionet e tyre. Por, në realitet, përfitimet e terapisë së artit nuk ndalen në moshën 10, 12 ose 16 vjeç. Terapia e artit për të rriturit mund të jetë një metodë mjaft efektive e përdorur më vete ose së bashku me metoda të tjera për të trajtuar një sërë sfidash të shëndetit mendor, duke përfshirë ankthin.

Artistët shprehen se një pjesë e arsyes pse ata krijojnë, është se ju jep atyre një mundësi shkarkimi emocional. Ndërsa pothuajse të gjithë ne krijojmë në një farë mënyre si fëmijë, shumë prej nesh ndalojnë së bëri këtë kur rritemi. Terapia e artit për ankthin mund të jetë një mjet i dobishëm për vetë-shprehje, veçanërisht kur terapia përmes komunikimit/të folurit është e vështirë.

Çfarë është Terapia e Artit?  

Sipas terapistit të artit Jess Kimmel, MSAT, LLPC, terapia e artit për ankthin “është një metodë e trajtimit të shëndetit mendor që bazohet në metaforë dhe introspeksion (ekzaminimi ose vrojtimi i proceseve mendore dhe emocionale të vetes)”. Përgjatë procesit të trajtimit, terapistët zakonisht bëjnë bashkë terapinë e artit dhe metodat më tradicionale terapeutike në mënyrë që t’ju ofrojnë klientëve të tyre mundësi optimale për vetë-shprehje.

Çrregullimi i Ankthit të Përgjithësuar

Çrregullimi i Ankthit të Përgjithësuar (GAD – Generalised Anxiety Disorder) karakterizohet nga “shqetësimi i vazhdueshëm dhe i tepruar për një sërë gjërash të ndryshme”, sipas Shoqatës së Ankthit dhe Depresionit të Amerikës (ADAA – Anxiety and Depression Association of America). Ky çrregullim ndryshon sipas ashpërsisë së simptomave të ankthit.

Personat që jetojnë me çrregullimin e ankthit të përgjithësuar mund ta kenë ekstremisht të vështirë ta kontrollojnë shqetësimin e tyre, deri në atë nivel sa jeta e përditshme e tyre bëhet sfiduese. Ata hasin gjithashtu vështirësi për të mbajtur marrëdhëniet personale dhe profesionale. Për këtë arsye, një terapist i fushës klinike mund të rekomandojë programe trajtimi multidisiplinare për të trajtuar personat që vuajnë nga çrregullime të tilla.

Çrregullime të tjera Ankthi

Përveç Çrregullimit të Ankthit të Përgjithësuar, janë gjithashtu 4 tipe të tjera çrregullimi ankthi:

  • Çrregullimi i Panikut – Është një çrregullim që përfshin episode intensive të papritura dhe të përsëritura të frikës.
  • Çrregullimi i Ankthit Social – Përfshin një frikë intensive ndaj të qënit i gjykuar negativisht ose i refuzuar në ndërveprimet sociale.
  • Çrregullimi Obsesiv Kompulsiv (OCD) – Një person me OCV vuan nga mendime të përsëritura të vazhdueshme dhe të pakontrollueshme.
  • Çrregullimi i Stresit Post-Traumatik (PTSD) – Zhvillohet pas një traume të rëndë (psh. lufta, përdhunimi, fatkeqësitë natyrore, etj.). Personat me çrregullim të stresit post-traumatik mund të përjetojnë manthe të përsëritshme të lidhura me ngjarjen si dhe simptoma të rënda ankthi.

Personat që vuajnë nga ankthi mund të kenë njëkohësisht disa diagnoza ankthi si çrregullimi i ankthit të përgjithësuar dhe çrregullimi obsesiv kompulsiv për shembull. Kjo, për shkak se çështjet e shëndetit mendor shpeshherë grumbullohen së bashku, individët mund të përjetojnë edhe çrregullime të tjera si çrregullime të përdorimit të substancave ose episode depresive që përparijnë diagnozës.

Terapia e Artit për Çrregullimin e Ankthit

Një përdorim i mundshëm i terapisë së artit është edhe në trajtimin e çrregullimit të ankthit të përgjithësuar.

Terapistët e artit besojnë se mund të ndikojë në reduktimin e simptomave të ankthit duke i lejuar pacientët të arrijnë emocionet e tyre më lehtë sesa terapia tradicionale përmes komunikimit/të folurit. Ata besojnë se terapia e artit është një mënyrë që njerëzit që jetojnë me çrregullimin e ankthit të përgjithësuar të shprehin intensitetin e shqetësimit të tyre kur fjalët nuk janë të mjaftueshme. Përdorimi i një ndjesie të ndryshme të trupit për të shprehur emocione me një ngjyrim të caktuar, mund të ndihmojë që mesazhi të kalojë më qartë.

Terapia e artit për trajtimin e ankthit, nuk ka të bëjë me komponentin teknik të bërjes së artit.

Nuk kërkohet aftësi. Gjithçka që klienti kërkon është që të krijojë. Ndjenjat shpesh thjeshtë shprehen natyrshëm mbi art pa asnjë qëllim të drejtpërdrejtë nga artisti.

Për të parë nëse terapia e artit mund të ndikojë në uljen e ankthit, studiuesit studiuan efikasitetin e saj në trajtimin e grave të rritura me çrregullime ankthi si çrregullimi i ankthit të përgjithësuar dhe çrregullimi i panikut.

Në provat e kontrolluara të rastësishme, pjesëmarrësit plotësuan vlerësime online. Pas krijimit të artit, ata raportuan më shumë vetë-vlerësim pozitiv. Rezultatet pas trajtimit treguan gjithashtu një reduktim të simptomave fizike të ankthit, të tilla si ulje të rrahjeve të rritura të zemrës.

Përfitimet

Terapia e artit për trajtimin e ankthit ka qënë prej kohësh një mjet i njohur i ndërlidhur me metodat tradicionale të terapisë për shkak të përfitimeve të shumta. Ajo shërben si një mënyrë alternative e komunikimit.

Gjithashtu, mund të përqendrojë mendimet, të thyejë ciklin e përsiatjes, të sigurojë drejtimin e dialogut, të lehtësojë klientët nervozë dhe të ketë një efekt të përgjithshëm qetësues.

Plotëson të shprehurin verbal

Disa njerëz që kalojnë ankth dhe depresion janë gjithashtu introvertë.

Introvertët mund të ndihen më pak rehat për të qënë të hapur për t’u shprehur, veçanërisht nëse janë ende në fazat e hershme të krijimit të një marrëdhënieje me një terapist të caktuar. Terapia e artit për ankthin është një mënyrë që personat të mund të shprehin se si ndihen në një moment të caktuar, pa pasur nevojë ta artikulojnë atë me fjalë. Në rastin e atakut të panikut, për arsye se shkaku i saktë i atakut të panikut mund të jetë i vështirë për t’u identifikuar ose verbalizuar, terapia e artit për ankthin ndihmon në “ristrukturimin kognitiv” të atakut pa pasur nevojë për ta artikuluar atë verbalisht.

Përmirëson shëndetin fizik

Një studim i botuar në Gazetën e Shkencës Mjekësore Koreane vlerësoi efektet e terapisë së artit të bazuar në ndërgjegjësimin e kryer me pacientë që kishin sëmundje të arterieve koronare (CAD – Coronary artery disease), ankth dhe depresion.

Studiuesit zbuluan se një numër i konsiderueshëm i pacientëve që morën pjesë në studim raportuan përmirësim të simptomave të depresionit dhe ankthit për shkak të terapisë, ulje të indeksit të masës trupore dhe ulje të ndjeshme të presionit të gjakut.

Ndërpret ciklin e ripërsëritjes së të menduarit mbi ngjarjet shqetësuese

Të menduarit rreth ngjarjeve të së kaluarës ose burimeve të shqetësimit mund të jetë një nga faktorët kryesorë që kontribuojnë në çrregullimin e ankthit të përgjithësuar. Është një cikël i përsëritur i të menduarit mbi një ngjarje ose kujtim të vetëm, i vështirë për t’u thyer. Nëse prishet, mund të kthehet lehtësisht. Terapia e ankthit angazhon shqisa dhe ndjesi të tjera që kërkojnë që mendja ta shkëpusë vëmendjen nga e shkuara dhe ta kthejë atë në të tashmen. Duke e angazhuar mendjen të vizualizojë dhe krijojë diçka përmes duarve, ka më pak të ngjarë që të përqëndrohet energjia tek mendimi ose kujtimi i shkuar.

Mundëson një drejtim dialogu

Ndonjëherë, terapia e komunikimit verbal e përdorur veçmas midis klientit dhe pacientit, mund të jetë e vështirë nëse klienti has vështirësi në përcaktimin e saktë të asaj çfarë ndjen. Klientët mund të ndihen jo rehat duke u hapur plotësisht në një mënyrë verbale. Ose, ata mund të duan të shprehin me fjalë se si ndihen, por e kanë të vështirë ta bëjnë këtë.

Kij parasysh! 

Nëse po përjeton ankth, mos ngurro të flasësh me një profesionist për ndihmë. Terapia mund të vijë në mënyra dhe forma të ndryshme, qoftë kur bëhet fjalë për terapi tradicionale, terapi arti ose diçka krejt tjetër. Ajo mund të zhvillohet ballë për ballë, nëpërmjet internetit ose në telefon. Përpiqu të vihesh në kontakt e të flasësh me një këshillues dhe zbuloni së bashku alternativat e shumta për trajtimin e efektshëm të ankthit.

Përshtati në shqip: Redina Çanaku / Burimi: Thttps://www.betterhelp.com/advice/anxiety/the-benefits-of-anxiety-art-therapy/

 

 

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here