Petrit Bara: Shërbimi ynë i zemrës, në nivel evropian

Fakulteti i Infermierisë ka si synim që të nxjerrë infermierë të aftë për punë. Studentët e fakultetit tonë punësohen në çdo vend të globit, në Amerikë, në Itali, Gjermani etj

Denisa Canameti, gazeta “Shëndet+”

Petrit Bara është një nga emrat më në zë të kardiologjisë. Pedagog pranë Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë në Universitetin Shtetëror të Tetovës që nga viti 2003 për lëndën e fizio-patologjisë, prej dy vitesh shef i pavionit të kardiologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” të Tiranës, si pedagog dhe dekan i Fakultetit të Shkencave Mjekësore.

Në një intervistë për lexuesin e gazetës “Shëndet+”, profesor Bara prek disa çështje të diskutuara për infermierinë në Shqipëri.

Petrit Bara

Dr. Petrit Bara duke folur për gazetën “Shëndet+”

Doktor, ju jeni një njeri me biografi të pasur dhe i vlerësuar për kontributin në shëndetësi…

Mendoj se puna ime, bashkëpunimi, sjellja korrekte me pacientët, me njerëzit e zonave ku unë kam punuar më kanë bërë të ndihem i vlerësuar. Meqë e nisët me biografinë e nderimeve që më janë bërë, unë për herë të parë jam nderuar në Tetovë, ku kam marrë titullin e parë “Qytetar Nderi”.

Në Tetovë kemi kontribuar shumë, pasi kemi dërguar pedagogët tanë për të dhënë leksione, seminare, praktika. Madje, unë bashkë me disa emra të tjerë, si: Shezai Rrokaj, kemi qenë kundër mbylljes së Universitetit të Tetovës. Madje na kanë arrestuar, na kanë mbyllur për faktin që shkonim dhe jepnim mësim. Pra, i bie mbi 15 vjet që vazhdojmë në universitetin e Tetovës.

Kontributin tim në Tetovë e kam shtrirë  në fushën e mjekësisë, pasi aty kishin edhe më shumë nevojë, në praktikat, në kualifikimet. Studentët kanë ardhur dhe në Tiranë në spital për të bërë praktikat, sepse problemi i mjekësisë atje ishte i cunguar dhe nuk kishin shumë mundësi. Përveç teorisë, kemi udhëhequr doktoratura të Tetovës, të Gostivarit, ndonjëherë dhe nga Shkupi për t’i futur në rrjedhën e pedagogëve. Një universiteti i duhen tre kolona që të funksionojë:

Studentët, që kishin nevojë për këtë shkollë; pedagogët, të cilët nuk i kishin; objektet (infrastruktura) që sërish nuk e kishin. Tani, falë revolucioneve që janë bërë këto vite, falë qeverisë dhe ndërhyrjeve së programeve dhe kartës së Ohrit, në Tetovë është bërë një universitet shumë modern, që mund të konsiderohet si më i miri në trojet shipfolëse.

Unë vetë në fakultetin që e drejtoj prej 12 vjetësh (3 mandate), kam pranuar pedagogë dhe mjekë nga trojet, ndonjëherë dhe duke shkelur kriteret e numrit, por duke zbatuar gjithnjë direktivat.

Veç kontributit në Tetovë, ku përqendrohet kontributi juaj si dekan i fakultetit të infermierisë dhe shef i shërbimit të kardiologjisë në QSUT?

Kontributi kryesor konsiston në hapjen e Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike siç është sot, ish-Fakulteti i Infermierisë. Kështu, ka qenë një godinë 1-katëshe me një kurs 1-vjeçar dhe me dy pedagogë, të cilët futën jashtë kritereve, bënë shkelje që u analizuan nga qeveria para se unë të merrja detyrën. Me hapjen e fakultetit, na u desh që të bashkëpunojmë, të lobojmë me Universitetin e Tiranës. Ne morëm fonde dhe buxhete nga studentët dhe nuk na i ka dhënë asnjë parti. Ky ka qenë buxheti dhe fondet e studentëve të cilat u morën, morëm dhe nga fakultete të tjera fonde që arritëm të bëjmë godinën e madhe të Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike, që është në mes të spitalit.

Lufta ime ka qenë për të marrë këtë objekt, për të marrë lejen e ndërtimit, për të ndërtuar një universitet që ka bërë epokë në infermierinë shqiptare. Dhe infermieret tona nga të paditura, me kurse 6-9 mujore, tani janë me universitet, me 3+2, bachelor+master.

Por Urdhri i Infermierit që i licencon, vazhdon të ankohet për nivelin e infermiereve…

Urdhri i Infermierit nuk ka pse ankohet, sepse infermieret e fakultetit tonë janë shumë të mira. Natyrisht që një përvojë 12-vjeçare nuk është si një përvojë 60-vjeçare që e ka Fakulteti i Mjekësisë. Por mund të them pa drojë që është në të njëjtin standard sot, me një rregull, me një disiplinë, me kurrikula të sakta, të akredituara nga qeveria, sepse çdo degë të re që kemi hapur, e kemi akredituar paraprakisht.

Në kurrikula a ka një ndërthurje të teorisë me praktikën, duke qenë se një nga pretendimet e tjera të Urdhrit është se infermierët nuk “ia kanë haberin” praktikës?

Patjetër. Kjo është pyetje me vend dhe ky problem qëndron. Është një mangësi në raport me nivelin e fakultetit. Por, kurrikula ka programe të sakta praktike dhe teori në mënyrë të drejtë. Fakulteti i Infermierisë ka si synim që të nxjerrë infermierë të aftë për punë. Studentët e fakultetit tonë punësohen në çdo vend të globit, në Amerikë, në Itali, Gjermani etj.

Meqë përmendët Gjermaninë, është vënë re një dyndje  e infermierëve këto kohë. A orientohen nga fakulteti, si funksionon?

Nuk është ndonjë dyndje. Pati një hapje në fillim, por jo vetëm për infermierët, sepse shumica e infermierëve tanë shkojnë në Itali. Duhet të jemi realistë se atje kanë kushte më të përshtatshme, mësojnë më lehtësisht dhe dinë gjuhën.

Gjermania ka hapur fonde, ka ardhur një kompani e madhe gjermane këtu, të cilët kanë kontaktuar dhe me ne dhe ata seleksionojnë, marrin infermiere jo vetëm nga fakulteti ynë, por nga të gjitha fakultetet.

Domethënë, ka një rrugë për të vajtur në Gjermani që orientohet nga Fakulteti i Infermierisë?

Jo, ne kemi diplomuar studentët dhe ata kanë të drejtë që ta kërkojnë tregun e punës vetë. Nuk kanë lidhje me ne. Nuk kanë orientim nga ne. Ne i përgatisim për tregun shqiptar.

A ka tregu shqiptar nevojë për kaq infermierë sa dalin çdo vit?

Po! Në raport me fakultetet publike, ka. Ato që prishin tregun, janë universitetet private të tilla, si “Vitrina” apo “Kristali”, që fatmirësisht u mbyllën.

Një tjetër pikë që është parë si problem në çështjet e arsimimit infermieror, është fakti që infermierët marrin mësim nga mjekët, kur në fakt duhet të marrin nga infermieret, ju si e vlerësoni këtë?

Ky pretendim nuk qëndron në asnjë bazë. Ata që e kërkojnë këtë, do të thotë që nuk kanë nivelin bashkëkohor të një infermieri të lartë. Infermierët me kurse 6-9-mujore apo 2-vjeçare kanë marrë fund si histori. Mjekët këtu nuk u japin atyre praktikën. Stafi pedagogjik ka një kurrikul të miratuar nga qeveria në bashkëpunim me infermier, personel akademik dhe të gjithë. Pra, duke pasur këtë bashkëpunim, mjekët japin lëndët teorike-bazike.

Japin anatomi normale që nuk mund ta japë një infermier, biokimi që nuk mund ta japë një infermier,  fispatologji që nuk mund ta japë një infermier, kirurgji etj etj. Infermieret japin praktikë infermierore, atë pikë që ju e thatë që është e mangët. Këto lëndë që thashë, nuk mund t’i japin infermierët që flasin andej nga Urdhri, që nuk e kanë as vetë shkollën e duhur e që ne u kemi ofruar kushte duke u hapur shkollën me kohë të pjesshme që të vijnë e të marrin njohuritë e duhura.

Ndonjë emër konkret?

Nuk është me emër konkret, as me mundësi. Fakulteti ka 4 vjet që ka edhe programin me kohë të pjesshme. Ka 800 studentë aktualisht që vazhdojnë shkollën part-time. Është veprim korrekt , për t’u hapur rrugën këtyre që thonë: Pse japin mësim doktorët?

Sepse koncepti ka qenë i kundërt dhe unë këtë luftë kam bërë dhe kjo është një meritë imja, s’ka nevojë që ta diskutojë njeri. Ka infermierë që kanë mbaruar këtu, kanë dalë shkëlqyer, kanë bërë degë të dytë mjekësi dhe kanë dalë shkëlqyer dhe sot punojnë kryeinfermiere. Infermieret tona kanë shkëlqyer edhe në Nju Jork e kudo tjetër.

Testimi i infermierëve, ju si e keni vlerësuar?

Qeveria ka pasur edukimin në vazhdim, që është për të certifkuar dhe vlerësuar infermierët nëpërmjet Urdhrit të Infermierit, nëpërmjet institucioneve akademike, universitare që jemi ne. Pra, është një sistem i tillë që nuk ka funksionuar në nivelin e duhur. Për të korrigjuar këtë punë dhe për të testuar infermierët dhe edukimin e tyre, është e drejtë e institucioneve akademike universitare, jo e Ministrisë së Shëndetësisë, nga ana ligjore. Kurset e edukimit në vazhdim ky Fakultet i ka patur me Gjenevën 5 vjet, që ka pregatitur të gjitha infermieret.

Këto kurse kanë qenë suksesive. Është ndjekur një politikë shumë e keqe, sepse këto infermieret e mira që janë këtu, duhet të thithen nga vetë qendrat terciare. Spitalet  punojnë me dixhitalizim, punojnë me hemodinamikë dhe nuk është koha t’i lajmë filmat me dërrasa.

Këta infermierë që ne përgatisim janë kontigjent i parë për spitalin terciar dhe për spitalet e rretheve dhe për shërbimin ambulator. Spitalet  vazhdojnë dhe marrin infermierë të nxjerrë nga universitetet që qeveria i ka mbyllur me vendim. Ndodh që prishet tregu dhe të aftët pastaj kërkojnë emigracion.

Sëmundjet kardiake janë problematikë në të gjithë botën… Ku është shkenca kardiovaskulare sot?

Shkenca kardiovaskulare është në nivelin bashkëkohor evropian, me mangësitë që ka çdo vend, si dhe vendi ynë. Një herë mungon kontrasti, një herë mungon diçka tjetër. Niveli bashkëkohor i kryerjes së hemodinamikës, i të gjithë ekzaminimeve është në nivel bashkëohor. Cilësia e shërbimit vjen duke u rritur, me rritjen e  cilësinë së stafit, të cilët e shtojnë këtë vlerë.

Tani u hap dhe hemodinamika që bën 24 orë shërbim, nuk gjëmojnë njerëzit për të shkuar nëpër privat, por ka shërbim 24 orë në shtet. Edhe privati sigurisht që është zgjedhje për pacentët që e zgjedhin për arsye të tilla, si hoteleria, por si staf është i njëjtë me shtetin. Nuk ka ndonjë nivel tjetër shkencor. Nga ana e hotelerisë dhe kushteve sociale, edhe në të gjithë botën kështu janë.

Çfarë ka ndryshuar në pavionin e kardiologjisë gjatë këtyre viteve?

Unë kam 3 vjet në krye të atij pavioni. Këtu është ndryshuar gjëja më e rëndësishme për të cilën unë kam luftuar shumë vite: Që koronarografia dhe hemodinamika të jenë shërbime emergjence. Nëse nuk ke emergjencë hemodinamike, nuk ke emergjencë fare në Shqipëri. Se urgjenca numër 1 është zemra.

I sëmuri nëse vjen në shtratin e spitalit për të bërë koronarografinë në 6 orët e para të shfaqjes së infarktit, shpëtohet dhe largohet sikur nuk ka ndodhur asgjë. Nëse nuk vjen 6 orët e para, i sëmuri shtrohet në reanimacion, vazhdon dy javë atje, vjen dhe në pavion.

Folëm për kontributin tuaj që shkon përtej kufijve, po një kontribut që hemodinamika dhe koronarografia të shtrihet në të gjitha spitalet, në të gjithë vendin duke e ditur rëndësinë?

Janë bërë ndryshime, po hapet në sanatorium hemodinamika, po hapet në Shkodër hemodinamika. Pra, ky shërbim po bëhet në disa spitale të tjera, të cilat ulin edhe fluksin. Për këto 2-3 vjet kemi pasur zgjidhje të këtyre fenomeneve. Nuk pritet 6 muaj për të bërë një koronarografi, tani pret 2-3 ditë.

Po mangësi?

Mangësi ka si kudo. Mangësi në trajtimin e të sëmurëve nuk ka. Nuk kam asnjë rast ku flitet për trajtim jashtë kritereve, për vdekje të papritur, nuk di shkelje të etikës.

Postime të ngjashme

Dërgonin pacientët e Onkologjikut në klinika private, Prokuroria mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim zyrtarë dhe mjekë të QSUT (EMRAT)
Pse luleshtrydhet myken kaq shpejt? Gabimi që bëjmë të gjithë
Shifra shqetësuese: Vdekjet nga kanceri i rektumit po trefishohen te të rinjtë
Rriten importet e ilaçeve, KLSH: 80% janë kopje e origjinalit, pa cilësi dhe më shtrenjtë
Ndahet nga jeta akademiku Rexhep Qosja
Pas një viti sfidash, vaksinat mRNA japin shpresë të re në luftën kundër kancerit
Raporti i HIV 2025: Shqipëria përballë një vale të re infeksionesh, rekord që nga 2016-a
AKU bllokon çokokremin "Nudossi" me përmbajtje salmonele