Kryefaqja Box 6 Politika e plane veprimi efikase për të mbështetur gratë sipërmarrëse drejt suksesit

Politika e plane veprimi efikase për të mbështetur gratë sipërmarrëse drejt suksesit

0
Shpërndaje

Rritja e numrit të sipërmarrëseve gra përgjatë viteve të fundit në botë konsiderohet “e frikshme”. Sipas Bashkimit Evropian, një e treta e të gjitha bizneseve të reja krijohen nga gratë. Kjo është e vërtetë për shumë shtete anëtare të BE, ku gratë janë duke formuar një pjesë gjithnjë e më të rëndësishme të sektorit të ndërmarrjeve të vogla të mesme, i cili është burimi kryesor i vendeve të reja të punës. Megjithatë, gratë vazhdojnë të përballen me pengesa në aktivitetin sipërmarrës në krahasim me burrat. Që vendet e BE-së të përfitojnë plotësisht nga potenciali i grave për krijimin e vendeve të punës dhe rritjen ekonomike, sugjerohet që vendimmarrësit në nivelin lokal, kombëtar dhe evropian të bien dakord për masat që duhet të merren për të siguruar kornizën më të mirë të mundshme për mbështetjen e sipërmarrjeve të ngritura dhe të drejtuara nga gratë. 

Zgjerimi i bizneseve të vogla dhe rritja e të qëndrueshmërisë së tyre vlerësohet si një burim i rëndësishëm i vendeve të reja të punës, madje po aq i rëndësishëm sa edhe krijimi i bizneseve plotësisht të reja.

Është e rëndësishme që gratë të ngrejnë kapacitetin dhe njohuritë e tyre, në mënyrë që t’i bëjnë sipërmarrjet e tyre më konkurrente në treg. Ato duhet të sigurohen që planet e biznesit të përgatitura prej tyre të jenë profesionale dhe të përmbushin kërkesat e bankave dhe agjencive të financimit. Gratë duhet të presin dhe të kërkojnë që të trajtohen në të njëjtën mënyrë me burrat dhe të kërkojnë shpjegime nëse përballen me refuzim. Krijimi dhe përdorimi i rrjeteve nga ana e grave sipërmarrëse, për të çuar përpara objektivat e tyre të biznesit, është një pikë e rëndësishme e arritjes së suksesit në fushën e sipërmarrjes.

Bashkimi Evropian kërkon nga agjencitë për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe ofruesit e trajnimit në vendet përkatëse, që të marrin parasysh nevojat specifike të grave gjatë hartimit të programeve të ndërmarrjeve. Shumë e rëndësishme vlerësohet veçanërisht puna me komunitetin e biznesit lokal për të promovuar një qëndrim më pozitiv dhe mbështetës ndaj grave sipërmarrëse.

Bankave dhe institucioneve mikrofinanciare u kërkohet të rrisin mbështetjen për gratë sipërmarrëse. Edhe pse bizneset e krijuara dhe të drejtuara nga gratë shpesh nuk i përshtaten modeleve tradicionale, ato mund të jenë plotësisht të zbatueshme, të sigurojnë të ardhura për vetë gruan dhe familjen e saj, si dhe të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik lokal. BE kërkon që institucionet bankare dhe mikrofinanciare të sigurohen që politikat, produktet dhe sjellja e stafit të tyre nuk janë diskriminuese për gratë. Bashkëpunimi i tyre me agjencitë mbështetëse të sipërmarrjeve të vogla e të mesme dhe me ofruesit e trajnimit do të zgjerojë aksesin e grave në informacion dhe fonde.

Në vendosjen e përparësive për financimin e SME-ve ose subvencionimin e tyre, kërkohet që shtetet të bëjnë kujdes dhe të marrin parasysh plotësisht dhe veçmas sektorët dhe aktivitetet e bizneseve të drejtuara nga gratë. Po ashtu, shumë e rëndësishme vlerësohet që vendet anëtare të BE, dhe jo vetëm, të sigurojnë që gratë të mund të hyjnë në inkubatorë dhe qendra për bizneset e vogla në të njëjtat kushte me burrat.

Në nivel kombëtar, statistikat e azhurnuara gjinore, për krijimin dhe rritjen e biznesit do të sigurojnë që politikat dhe iniciativat të shfrytëzojnë në mënyrë më efektive potencialin e krijimit të vendeve të reja të punës dhe rritjen dhe qendrushmërinë e BVM. 

Mbledhja e të dhënave gjinore dhe publikimi i azhurnimeve vjetore mbi situatën e grave sipërmarrëse në shkallë vendi e më të detajuara për qark e bashki, për të evidentuar pengesat rajonale, si dhe progresin e politikave publike në këtë drejtim, është një nga rekomandimet e studimit “Klima e përgjithshme e biznesit dhe ndikimi i tërmeteve të vjeshtës 2019 e pandemisë COVID-19 te gratë sipërmarrëse”, realizuar nga shoqata ‘Together for Life” me mbështetjen e Agjencisë Austriake për Zhvillim. Një rekomandim tjetër i këtij Studimi është realizimi i studimeve periodike për sipërmarrjen femërore, në të cilat të evidentohen periodikisht vështirësitë me të cilat hasen sipërmarrëset dhe nevojat që ato kanë, me qëllim për t’u thelluar në ecurinë e tyre dhe për të ndërtuar politika e plane veprimi efikase për t’i mbështetur ato drejt suksesit.

Për BE është shumë e rëndësishme mbështetja e biznesit në përgjithësi, përmes zvogëlimit të taksimit për produktet dhe shërbimet me intensitet të lartë të punës, përmes sigurimit të të ardhurave dhe subvencioneve të pagave dhe duke vënë në dispozicion fonde për kredi të vogla pa kolateral. Pas dy goditjeve të njëpasnjëshme që mori biznesi në Shqipëri në vitin e fundit nga tërmetet e vjeshtës 2019 dhe krizës së pandemisë së COVID 19, gratë sipërmarrëse kanë kërkuar si masa lehtësuese nga ana e qeverisë ndërmarrjen e aksioneve që kanë në qendër të tyre reduktimin e taksave, tatime dhe sigurimeve shoqërore për të paktën një vit, kohë që gratë sipërmarrëse e konsiderojnë të nevojshme për rikuperimin e efekteve negative në biznese. 

Pas prezantimit të problemeve me të cilat u përball biznesi i drejtuar nga gratë dhe rekomandimeve të Studimit, pritet që institucionet përgjegjëse të reagojnë nëpërmjet marrjes së masave konkrete që vijnë në një linjë edhe me politikat e BE.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here