Premtimet për shëndetësinë: Rehabilitojmë 300 qendra shëndetësore, blejmë autoambulanca dhe…

Premtimet madhore të Ministres së Shëndetësisë: Rehabilitojmë 300 qendra shëndetësore, blejmë autoambulanca dhe rrisim gamën e analizave

A do të mund të realizohen brenda këtij mandati?!

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu prezantoi strategjinë e Shëndetësisë 2020 në ditën Botërore të Mbulimit Shëndetësor Universal. Sa i përket investimeve, ajo premtoi se gjatë 4 viteve të ardhshme do të rehabilitohen 300 qendra shëndetësore.

“Nga viti 2018, ne do te fillojmë ne 4 vite programin e rehabilitimit te 300 qendrave shëndetësore dhe ambulancave në të gjithë vendin! Do lehtësojmë aksesin dhe do sigurojmë kujdes cilësor ne filtrin e parë te sistemit, që është kujdesi parësor! Deri në vitin 2021, do të kemi transformuar 11 spitalet rajonale duke i akredituar dhe rankuar, bazuar në cilësinë e shërbimeve. Ne tre vitet e ardhshme, do te transformojmë spitalet bashkiake në qendra 24 orëshe të urgjencës dhe shërbimeve bazë”, u shpreh ministrja Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale foli edhe për hapat ku do të ndërhyhet për përmirësimin e shërbimit në spitale.

“Monitorimi dhe bashkëpunimi me spitalet rajonale në vend, duke plotësuar mbi baza ditore nevojat me mjekë specialistë. Çdo të thotë kjo? Incentivat financiare dhe bonuset që kemi përcaktuar do të jetë instrumenti që do mundësojë shpërndarjen e mjekësve aty ku është nevoja, pra spitalet universitare do të dërgojnë në ditë të caktuara mjekë specialistë për të dhënë shërbim të specializuar në spitalet rajonale, e për të shmangur kështu mbingarkesën në spitalet e Tiranës, por mbi të gjitha për të afruar shërbimin mjekësor aty ku është nevoja. Asnjë spital nuk do të dergojë pacientë direkt në spitalet universitare, pa ndjekur sistemin e brendshëm referimi dhe pa u konsultuar me mjekët e shërbimit terciar. Konsultat do te kryhen përmes sistemeve si telemjekësia, përjashtuar këtu rastet urgjente, të përcaktuara qarte në protokollet e miratuara”, pohoi ministrja.

Ministrja premtoi gjithashtu se urgjenca kardiake do të shtrihet brenda 2 viteve të ardhshme edhe në dy spitale të reja.

“Plani ynë për Urgjencën kardiake është qe brenda vitit 2019 trajtimi i rasteve te urgjencës kardiake te shtrihet në Spitalin Shefqet Ndroqi dhe Spitalin e Shkodrës. Gjatë 2018 do të hapim hemodinamikën në spitalin e Fierit për të mbuluar zonen e jugut te vendit, duke krijuar kështu një hartë të re të shërbimeve të kardiologjisë invasive publike. Ndërsa flotës së shërbimit të urgjencës kombëtare do t’i shtohen 35 autoambulanca te reja gjatë vitit 2018, për një shërbim të shpejtë dhe dinjitoz”, përfundoi Manastirliu.

Ministrja premtoi gjithashtu zgjerimin  e gamës së analizave në sektorin privat si dhe eliminimin e burokracive dhe procedurave të panevojshme që i detyron qytetarët të udhëtojnë qindra km ose të presin me orë të zgjatura vetëm për shërbime të thjeshta.

12 dhjetori shënon Ditën Botërore të Mbulimit Shëndetësor Universal, ku në të gjithë botën promovohet rritja e cilësisë së shërbimeve ndaj pacientëve./E.S. Pro Pacientit

Postime të ngjashme

Asambleja e OBSH, ministrja Sala prezanton prioritetet e Shqipërisë në shëndetësi
Polifenolet: Sekreti i të ushqyerit të shëndetshëm dhe mirëqenies
'Çohu o dreq mos bëj si e sëmurë'/ Infermierja te Psikiatria keqtrajton pacientët, reagon QSUT: Rast i papranueshëm, janë marrë masa për punonjësen
Qetësia mendore në punë: 6 mënyra për të ulur stresin dhe për t’u përqendruar
Mashtronin njerëzit me ilaçe false për sëmundje të rënda, goditet rrjeti kriminal që operonte në 15 shtete të Europës
Shkarkohet drejtori i Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor! Ja kush emërohet
Kastraveci: Këto janë përfitimet e tij më të rëndësishme
Çfarë dihet për rastet e hantavirusit të lidhura me shpërthimin vdekjeprurës në anijet turistike