Kryefaqja Aktualitet Prezantohet Raporti/ Popullsia po plaket, lindshmëria ka rënë, ligj i mangët

Prezantohet Raporti/ Popullsia po plaket, lindshmëria ka rënë, ligj i mangët

0
Shpërndaje

Denisa Canameti

Shoqata Together for Life, me mbështetjen e Westminster Foundation for Democracy (WFD)  ka përfunduar hartimin e raportit “Normat e ulëta të lindshmërisë dhe tkurrja e popullsisë së Shqipërisë në shifra”.

Qëllimi i këtij raporti përfshin konstatimin e gjendjes aktuale, ku sipas të dhënave zyrtare raportohet një tkurrje e ndjeshme e popullsisë në vite, çka është një lajm i keq për shoqërinë dhe ekonominë shqiptare. Sipas INSTAT-it, në vitin 1989, popullsia e Shqipërisë vlerësohej në 3.2 milionë banorë. Ajo ka pësuar rënie të vazhdueshme, për të kulmuar në minimumin e 2.8 milionë banorëve këtë vit. Popullsia e Shqipërisë për vitin 2019, ishte me moshë mediane 35.2 vjeç. Të dhënat zyrtare tregojnë se ajo do të vazhdojë procesin e plakjes dhe pritet që mosha mediane e saj të arrijë në 42,1 vjeç, në vitin 2031.

Ndryshimi i këtij numri është pasojë direkte e normave të ulëta të lindshmërisë dhe shpërndarja gjinore e emigrantëve.

Nëse nuk do te kemi një ndërgjegjësim të menjëhershëm të institucioneve përkatëse me anë të politikave të shëndetshme afatgjata të zbatueshme dhe funksionale, sipas projeksioneve të rritjes së popullsisë në vendin tonë, në vitin 2050 do të kemi një popullatë me moshë mediane 50 vjeç, respektivisht me një rritje popullsie – 0.88 %.  Kjo do të krijojë problematika të rënda socio-ekonomike dhe jo vetëm, deri në një tkurrje drastike dhe të paimagjinueshme të popullsisë në vend.

Ky proces i plakjes së popullsisë shoqërohet me rritjen e shpejtë të koeficientit të varësisë së të moshuarve nga rreth 20,5 të moshuar për 100 persona në moshë pune në vitin 2019, në rreth 35 të moshuar për çdo 100 persona në moshë pune ne vitin 2031.

Rritja e numrit të të moshuarve do të ndikojë rëndësishëm jo vetëm statistikat demografike, por gjithashtu do të jetë një faktor i rëndësishëm social dhe ekonomik me nevoja dhe kërkesa specifike. Plakja e popullsisë sigurisht që do të shoqërohet me pasoja në ekonomi, duke kërkuar rritje të numrit të kapaciteteve për kujdesin shëndetësor. Shpenzimet për pensione do të rriten dhe në të njëjtën kohë do të ulet numri i kontribuuesve. Edhe pse nga pikëpamja e moshës mesatare ne nuk jemi ndër listën e vendeve me popullsi me moshë të plakur, shqetësues është ritmi i lartë i procesit të plakjes, ndër më të lartët në Europë.

Nga ana tjetër, kemi një rënie progresive të lindjeve, ku në vitin 2019 (28.561 lindje), ose e thënë ndryshe kemi afro 1/3 e lindjeve ose 30% te lindjeve ne krahasim me lindjet ne vitin 1990 (82.125 lindje), pra një rënie të lindjeve me gati 2/3.

Numri i lindjeve ka pësuar një rënie progresive në këto 3 dekadat e fundit, vetëm duke iu referuar lindjeve të vitit 2017 ku ishin 30.869 lindje, dhe në vitin 2019 ishin 28.561 lindje, një diference prej 2308 lindje në 2 vite, ose  e thënë ndryshe kemi një rënie me 8 %.

Ligji për Shëndetin Riprodhues (2002, i përditësuar) ka mangësi të dukshme në aktet nënligjore, në specifikat përkatëse, në përditësimin në respekt të zhvillimeve që kanë pësuar sot metodat diagnostikuese dhe trajtuese, si dhe aksesueshmërinë e popullatës ndaj këtij shërbimi, sikurse përcaktohet në ligj.

Ofrimi i Fekondimit in Vitro  dhe teknologjive riprodhuese të asistuara nga një strukturë shtetërore do të ishte një ndihmë e jashtëzakonshme për dhjetëra individë/çifte në këtë vend, duke pasur një impakt pozitiv afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë në aspektin socio ekonomik, të zhvillimeve pozitive në tërësi.

Gjithashtu, qëllimi i këtij raporti është edhe dhënia e rekomandimeve për institucione përgjegjëse.

Raporti evidenton mangësi ligjore sa i takon Shëndetit Riprodhues, sidomos në pikën ku flitet për Riprodhimin Mjekësor të Asistuar.

Raporti përcjell këto mesazhe kyçe:

  • Zbatimi i Ligjit për Shëndetin Riprodhues Nr.8876, datë 4.4.2002, i ndryshuar 56/2013, ku garantohen të drejtat riprodhuese në Institucionet Publike, sipas përcaktimeve të neneve përkatëse të këtij Ligji.
  • Rishikimi i Ligjit për Shëndetin Riprodhues, plotësimi me akte nënligjore sipas praktikave më të mira të Legjislacionit Europian.
  • Vënia në funksion të Qendrës së Riprodhimit të Asistuar me metodat bashkëkohore diagnostikuese dhe trajtuese të infertilitetit, nëpërmjet Shërbimit Shëndetësor Publik, në Qendrën Terciare/Universitare.

Në përfundim të këtij raporti dalim në konkluzionin se ndërgjegjësimi i menjëhershëm i institucioneve përkatëse për të vënë në zbatim makropolitika të shëndetshme afatgjata, është një emergjencë e shëndetit publik.

Gjatë një takimi me përfaqësues të Avokatit të Popullit, Shoqata Together for life ka kërkuar ndërhyrjen e Avokatit pranë Institucioneve përgjegjëse, për marrjen e masave  për vënien në vend të së drejtës për  trajtimin e infertilitetit, përfshirë zbatimin e metodave dhe teknologjive moderne për riprodhimin;.si dhe të nxiten institucionet shtetërore që të të hartohen/zbatohen politika pro-nataliste.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here