Tani që është holluar edhe shtresa e ozonit rrezet ultravjollcë dhe ultra të kuqe janë shumë të dëmshme për pjesët e ekspozuara siç është lëkura apo edhe sytë
Sytë janë një pjesë e ekspozuar e trupit që mund të dëmtohen nga rrezet e diellit. Për të na dhënë disa këshilla për mbrojtjen e syve gjatë periudhës së verës, gazeta “Shëndet+” iu drejtua mjekes okuliste Suzana Zhuka. Ajo shpjegon se cilat janë problematikat më të mëdha të syve gjatë kësaj periudhe, cili është kujdesi që duhet të tregojmë, si dhe rëndësia e syzeve të diellit.
Klori i pishinave
Klori i pishinave edhe në studimin që është bërë, problemin e kanë në dozën e hollimit. Sepse ndikon tepër tek konjunktiva e fëmijëve duke dhënë hiperemi ( zgjerim të enëve të gjakut) dhe skuqje. Prandaj rekomandohet përdorimi i syzeve mbrojtëse gjatë zhytjeve. Ose sytë duhet të jenë patjetër të mbyllur.
Një element shumë i rëndësishëm gjatë verës janë edhe syzet. Vihet re një tendencë për t’i parë syzet si luks, jo si domosdoshëmri…
Është e vërtetë që syzja shikohet si aksesor, por nuk është kurrë kështu. Akoma nuk po bëhet ndërgjegjësimi i njerëzve që syzja nuk është aksesor, por është element shumë mbrojtës për syrin. Syzja e diellit duhet të jetë me elemente sigurie. Ata kanë një filtër mbrojtës të polarizuar nga pjesa e brendshme e xhamit, e cila bën që të kthehen mbrapsht rrezet e dëmshme ultravjollcë dhe ultra të kuqe. I thyen, i përthyen ato rreze dhe nuk i lejon që të depërtojnë në shtresat e syrit. Dëmet nuk janë të momentit, por shfaqen më vonë, me shfaqjen e kataraktit. Që është një problem shumë i përhapur.
Është shumë më e thjeshtë të marrim një syze origjinale, mbrojtëse, sesa të shkojmë deri në këto komplikacione. Nëse ne planifikojmë në 12 muajt e vitit pushimet e verës, duhet të planifikohen edhe syzet e diellit. Vëmë re gjithashtu që prindërit nuk kujdesen shumë për fëmijët, kur në fakt është shumë herë më e domosdoshme sesa tek të rriturit.
Vlen justifikimi se janë të shtrenjta?
Jo. Sikur të kursehet gjithë vitin minimalisht një kafe në ditë, do të ishte e mjaftueshme për t’i blerë syzet. Është tamam justifikim. Femrat për shembull blejnë nga 3-4 palë rroba banje, çfarë vlere kanë?
Një një intervistë që kemi bërë vitin e kaluar, keni thënë se syzet e tregut janë më të dëmshme sesa qëndrimi pa syze…
E kam thënë dhe e konfirmoj. Më mirë mos t’i kesh fare syzet e tregut. Syzja e marrë në rrugë bën efektin e kundërt të mbrojtjes, është plastike, pa elemente mbrojtëse dhe i thith më shumë rrezet e diellit. Po e thjeshtoj dhe po them se të gjithë e përdorin shprehjen: mos vish të zeza se thithin nxehtësi, kështu ndodh dhe me syzen plastike.
Lentet e kontaktit gjatë periudhës së verës…
Nuk këshillohen. Shumica e të rinjve jashtë kanë kulturën për të pasur lentet paralel dhe syzet optike paralel. Janë persona që janë të mirinformuar. Kanë informacion pa fund duke lexuar edhe vetë nëpërmjet internetit. Lentja nuk mund të mbahet kategorikisht kur je në pishina, kur je në plazh. Dhe nëse do të kesh një konjunktivit apo një infeksion të syve, ti nuk bën dot mjekimin me terapi që japim ne nëse ke lentet e kontaktit. Duhet të heqësh lentet, pastaj të bësh mjekimin.
Nëse gjatë periudhës që jemi në plazh ndodh një aksident që ka të bëjë me futjen e rërës në sy për shembull, ç’duhet të bëjmë?
Ndodh shpesh. Duhet në moment të bëhet një lavazh meqë nuk kemi luksin që të kemi mjek okulist atje ku jemi. Prandaj do të thoja që organizatorët e shëndetësisë, të paktën mjekun e familjes ta lënë afër plazhit, sidomos në periudhën e pikut. ( Intervista e plotë u botua në nr. e datës 17 Gusht 2015 të gazetës “Shëndet+”)


