Proteinat në urinë, kur shfaqen dhe dëmet që i sjellin veshkës

Prof. Alketa Koroshi, nefrolog

Detyra kryesore e veshkave në organizmin e njeriut është të nxjerrin “helmet e trupit”, pra mbetjet e proceseve metabolike që ndodhin në gjithë indet e organet e trupit . Bashkë me to veshkat nxjerrin nëpërmjet urinës sasitë e tepërta të ujit dhe kripërat e ndryshme. Në veshka kalon një sasi e madhe e gjakut që veshka dhimbjeqarkullon në organizëm. Gjaku futet në disa pjesë të vogla brenda veshkës që quhen nefrone. Çdo nefron është i përbërë nga glomeruli dhe tubujt. Çdo veshkë përmban disa qindra mijëra nefrone.

Në glomerule filtrohet gjaku dhe aty dalin e hiqen nga gjaku mbetjet e organizmit. Aty ka një membranë që bën këtë filtrim, por kjo membranë nuk filtron gjithçka. Ajo pengon daljen nga gjaku në urinë të proteinave. Kur glomerulat dëmtohen, atëherë ndodh dalja e proteinave në urinë .

Normalisht njeriu nuk duhet të nxjerrë më shumë se 150 miligramë proteina në urinë gjatë një dite. Kur kjo sasi është më e madhe, atëherë quhet proteinuri. Njerëzit që kanë një sasi të vogël proteinash në urinë, përgjithësisht  nuk kanë shenja ose simptoma. Megjithatë disa njerëz kanë edema (fryrje) në fytyrë, në këmbë ose në të dyja kur kanë dalë shumë proteina në urinë.

Mjekët i grupojnë proteinuritë në tre lloje:

  1. intermitente (e përkohshme, por që mund të përsëritet) ,
  2. ortostatike (që shfaqet vetëm kur rri në këmbë ose ndenjur)
  3. persistente (që është e pranishme gjithmonë).

Proteinuria intermitente është forma më shpeshtë e të gjitha proteinurive. Zakonisht ajo kalon pa ndonjë mjekim të veçantë.  Kjo proteinuri shfaqet  kur pacienti ka ethe, temperaturë,  gjendje gripale apo kur bën sforcime të mëdha fizike.

veshkatProteinuria ortostatike shfaqet kur njeriu rri në pozicion në këmbë ose ndenjur në karrige dhe zhduket kur rri shtrirë. Kjo lloj proteinurie ndodh në 2-5 përqind të adoleshenteve, por është e rrallë pas moshës 30 vjeç. Zakonisht kjo lloj proteinurie ndodh në të rinj që janë të gjatë e të dobët. Shkaku i kësaj proteinurie nuk dihet mirë. Në fakt proteinuria ortostatike nuk është e dëmshme për shëndetin e njeriut dhe nuk kërkon trajtim të veçantë. Mendohet që kjo lloj proteinurie shkaktohet nga ngushtimi i venave renale në pozicionin në këmbë. Me kalimin e viteve ajo nuk dëshmohet më (zhduket).

Kjo lloj proteinurie verifikohet duke marrë dy mostra urine: një kur njeriu është në këmbë dhe një pasi individi ka fjetur disa orë me radhë (pra menjëherë pas gjumit).

Proteinuria persistente (e qëndrueshme) ndryshe nga proteinuria intermitente apo ortostatike, ndodh në njerëz që kanë një sëmundje të veshkave ose probleme mjekësore të tjera. Sëmundjet që mund të japin këtë lloj proteinurie, janë: sëmundjet e veshkave, sëmundje të përgjithshme që prekin edhe veshkën, si: diabeti dhe sëmundje që prodhojnë në organizëm disa tipe të veçanta proteinash.

Në fëmijët proteinuria është një fenomen i shpeshtë.  Afro 10 % e tyre në moshën shkollore kanë proteinurinë të pranishme, por duhet pasur parasysh se përsëritja e analizës  e ul shpeshtësinë e kësaj gjetje. Shpeshtësia e proteinurisë rritet me moshën, arrin kulmin në adoleshencë dhe është me frekuente tek femrat.

Si provohet qenia e një proteinurie te njeriu ?

Kjo bëhet thjesht me anë të testit “dipstick”. Kjo bëhet duke futur në një porcion urinë një strishë që merr një ngjyrë karakteristike nga prania e proteinave në urinë. Kjo është një metode kolorimetrike, domethënë sipas ngjyrës që merr shiriti (strishë) që futet në urinën e pacientit, përcaktohet edhe sasia e proteinave në të.

Duhet patur parasysh që testi “dipstick” nuk është shumë i saktë.

Përveç kësaj, për të vërtetuar që proteinuria është intermitente apo persistente, testi duhet përsëritur disa herë.

Dr. Alketa Koroshi

Dr. Alketa Koroshi

Mënyra më e mirë për të vërtetuar praninë në urinë edhe të elementeve të tjera është pamja në mikroskop e një sasie urine ku përcaktohen prania ose jo e qelizave,  e kristaleve, e bakterieve ose e disa strukturave të quajtura cilindra. Kjo gjë na ndihmon për të përcaktuar më mirë llojin e dëmtimit në veshka, duke e specifikuar problemin dhe duke ndihmuar më saktë në vënien e diagnozës.

Nëse në dy ose më shumë analiza urine rezulton se ka proteina në to, atëherë hapi tjetër që duhet bërë, është të përcaktohet sakte sa shumë proteina ka në urinë. Kjo gjë bëhet:

ose me një mostër të vetme urine të marrë në një kohë të caktuar, ose duke grumbulluar urinën e 24 orëve (që është më e saktë si metodë, por më pak praktike). Duhet pasur parasysh që nëse mjeku ose infermierja ju kërkon që ta mblidhni urinën e ditës në shtëpi, atëherë kjo urinë duhet grumbulluar në një vend të freskët ose në frigorifer.

Nëse dëshmohet prania e një sasie të konsiderueshme në urinë, mjeku ose infermierja mund të kërkojnë analiza të mëtejshme të gjakut (urea në gjak dhe kreatininemia) dhe pas kësaj mund të llogarisin me anë të formulës se sa është aftësia filtruese e veshkës.

Në disa raste, kur proteinuria vazhdon disa javë me sasi të mëdha, atëherë mjeku mund të kërkojë të bëhet punksion biopsia e veshkës. Gjatë bërjes së biopsisë, mjeku merr një copë të vogël të indit renal dhe e sheh atë në mikroskop.

Por jo të gjithë njerëzit me proteinuri kanë nevojë domosdoshmërisht për biopsinë e veshkës.

Një metodë e thjeshtë, por efikase për të zbuluar shkakun e proteinurisë është EKO-ja e veshkave, e cila është një metodë e e përshtatshme në çdo moshë, jo invazive dhe që vë në dukje shumë mirë anomalitë e ndryshme të rrugëve urinare e të veshkave.

Po pse ndodh proteinuria?

Së pari, ajo shkaktohet nga prishja e integritetit të membranës filtruese në glomerula dhe rritja e përshkueshmërise së kësaj membrane. Veç asaj, proteinuria mund të shkaktohet kur tubujt renalë ku kalon urina e parë nuk janë në gjendje të bëjnë në mënyrë adekuate reabsorbimin e proteinave që kanë dalë në sasi të pakët nga filtri glomerular. Në disa raste vetë tubujt sekretojnë në hapësirën brenda tyre disa proteina në sasi të mëdha  siç janë për shembull Tamm-Horsfall proteinat.

Si mund të mjekohet proteinuria dhe cila është prognoza e saj?

Në pacientët me proteinuri intermitente ose ortostatike nuk ka nevojë për ndonjë trajtim të veçantë, nuk bëhet kufizim dietetik dhe këshillohet të bëjnë aktivitet fizik normal.

Pacientët që kanë një shkallë të pakët proteinash persistente  në urinë dhe që nuk kanë ulje të funksionit të veshkave ose sëmundje sistemike , si rregull nuk kanë komplikacione në një periudhë afatgjatë, madje edhe kur rrinë pa mjekuar.

Shumë nefrologe përdorin një ilaç antihipertensiv, siç është një inhibitor i enzimës konvertuese (enalapril ose lisinopril) për të reduktuar ose eliminuar proteinurinë.

Kurse në pacientët që kanë një sëmundje veshkash të caktuar, për shembull një glomerulonefrit, atëherë mjekohet sëmundja bazë me mjekim konservativ simptomatik ose patogenetik. Në këto raste mund të përdoren kortizonuket ose në rast nevojë edhe imunosupresorët si endoksani ose ciklosporina që kanë për qëllim të ulin reagimin imun të organizmit dhe të përmirësojnë dëmtimet e membranës filtruese në veshka.

Në rastet kur ka një diabet, duhet mjekuar mirë i sëmuri në drejtim të normalizimit të nivelit të sheqerit në gjak,  të yndyrnave të çrregulluara apo të hipertensionit arterial nëse ekziston. Kur në urinë evidentohen proteina atipike (përshembull proteinat e Bence –Jones) siç ndodh  në sëmundjet e gjakut, atëherë mjekohen këto sëmundje gjaku me ilaçe më specifike.

Postime të ngjashme

5 ushqime që mund të bëhen të rrezikshme nëse nuk gatuhen siç duhet
Gjashtë këshilla të provuara shkencërisht për një tru të shëndetshëm
 Nga bananet te çokllata e zezë, 6 ushqime që ulin nivelet e stresit
Çfarë i bën kafja trupit dhe sa zgjat efekti i saj
Studimi i ri: Dieta me bazë bimore ul rrezikun e demencës
6 përfitimet e panxharit
Lëngu i panxharit ndihmon në uljen e tensionit? Ja çfarë thonë mjekët
Pse uthulla e mollës nuk duhet të mungojë në dietën dhe jetën tuaj të përditshme?