Psikologët vërejnë se rikthimi në jetën normale, pas pushimeve, është në vetvete shumë më i vështirë se ç’mund të përfytyrohet.
Disa prej statuseve që zënë hapësirën kryesore në rrjetet sociale, edhe në këto festa të fundvitit, janë ato të pushimeve. Sepse, fatkeqësisht, pushimet ikin sa hap e mbyll sytë dhe më pas fillon stresi i përditshëm.
Në psikologji, në fakt, njihet simptoma e depresionit gjatë pushimeve e quajtur ndryshe “Holiday blues”. Ky lloj depresioni kalohet më së shumti tek njerëzit që pushimet i konsiderojnë një moment të përshtatshëm për të reflektuar mbi atë që kanë bërë dhe atë që nuk kanë mundur dot të bëjnë.
Sipas psikologëve, duhet të pranojmë idenë se pas pushimeve duhet t’i kthehemi përsëri rutinës së punës dhe marrëdhënive me kolegët, atyre me të cilët, me shumë gjasa do të kalojmë 12 muajt e ardhshëm të një viti të ri.
Psikologët këshillojnë se për të përballuar stresin që mund të shkaktojë puna, është mirë që të shkëputeni çdo një orë, të paktën pesë minuta. “Kjo do t’ju ndihmojë që të rinisni gjithçka me më shumë energji. Bëni kujdes, shfaqja e stresit mund të sjellë edhe probleme të tjera shëndetësore dhe psikologjike. Simptomat e stresit janë fizike dhe të dukshme. Disa prej tyre janë dhimbja e kokës, dhimbja e mesit, lodhja kronike dhe vuajtja nga klaustrofobia. Shkaktarët janë të shumtë, duke filluar që nga gjendja psikologjike, puna e rëndë, marrëdhëniet e tendosura me kolegët” shprehen ekspertët e shëndetit mendor, duke këshilluar “Mos bëni që puna t’ju mundë”.
Një sërë letrash mbi tavolinë dhe rregulla pa fund. Si do t’ia dal?
Më mirë të mos i mendoni këto gjëra. Të gjitha duhet të përballohen gradualisht, duke filluar nga gjërat më të thjeshta dhe më pak impenjative. Tavolina juaj do nisë të zbrazet menjëherë dhe ju do të ndiheni më mirë sesa e kishit menduar.
“Mos harroni që pushimet do të vijnë sërish. Në dimër, apo verën e ardhshme do të kaloni sërish moment të bukura dhe të paharrueshme, larg stresit dhe monotonisë së përditshme. Ama, koha që jeni duke jetuar nuk ka për t’u kthyer asnjëherë. Kështuqë, jepini forca vetes dhe mos lejoni që të ikë kot asnjë moment”, ndihmojnë psikologët



