Kryefaqja Artikull Psitakoza dhe ornitoza, sëmundje infektive të nënvlerësuara dhe të padiagnostikuara

Psitakoza dhe ornitoza, sëmundje infektive të nënvlerësuara dhe të padiagnostikuara

0
Shpërndaje
Prof.Ass.Tritan Kalo Specialiteti: Mjek Infeksionist

Janari ishte një muaj plot viroza stinore dhe infeksione bakterore të vijave respiratorë. Në mjediset tona familjare, në mjediset ku një pjesë e jona punon, por edhe në mjediset ku kalojmë, shëtisim apo pushojmë kemi kontakte jo të nënvlerësueshme me zoqjtë e shpendët shtëpiakë ose jo.

PSITAKOZA/ORNITOZA është një zoonozë, një infeksion i transmetuar nga kafshët në rastin konkret nga zogjtë e shpendët tek njerëzit. Zogjtë ku qarkullon më shpesh ky infeksion janë papagajtë, pëllumbat, kanarinat, pulat e pulat e detit, bilbilat, etj. Shkaktari i sëmundjes është mikroorganizmi i quajtur: Chlamydia psittaci.

Ne mundet të infektohemi nga kontakti me grimcat të cilat e bartin atë si glasat e thara, puplat ose sekrecionet respiratore të zogjve apo shpendëve të infektuar, të cilët vetë nuk shfaqin në përgjithësi ndonjë shenjë sëmundjeje.

Më të rrezikuarit janë personat që kanë zogj “argëtues” në mjediset e tyre familjare, apo profesionet si veterinerët, personeli i klinikave apo i spitaleve veterinare, punonjësit e laboratorëve, fermerët e punonjësit e pularive.

Shenjat klinike të një rasti me Psitakozë janë mjaft të variueshme, më shpesh ato janë grip-ngjasuese por edhe ato të një pneumonie apo një sëmundje sistemike.

Këto shenja fillojnë 5-14 ditë pas ekspozimit të ngjashme me ato të një infeksioni të vijave të sipërme të frymëmarjes me temperaturë shpesh të lartë, ethe, dhimbje koke, dhimbje muskujsh, këputshmëri, kollë, vështirësi në frymëmarje, të përziera apo të vjella.

Një tablo e tillë klinike nuk është specifike për Psitakozën, andaj mjeku orientohet vetëm nëse merr me kujdes anamnezën epidemiologjike të të sëmurit duke evidentuar praninë e zogjve të lartëpërmëndur në mjediset e tij familjare, ose kontaktet me to ose shpendët për arsye profesionale.

Më të ralla në rastet me Psitakozë janë prekjet e muskulit të zemrës (myokarditet), të cipës së saj (perikarditet), encefalopatitë, pamjaftueshmëria akute respiratore çka kërkon hospitalizimin dhe kujdesin në terapinë intensive të të sëmurit, hepatitet, artritet dhe sepsis.

Me diagnostikimin e drejtë dhe mjekimin në kohë të rasteve, vdekshmëria në rastet serioze të Psitakozës nuk e kalon 1% të tyre.

Chlamydia psittaci është një mikroorganizëm intracelular ndaj edhe mjekimi  duhet të bëhet me Antibakterial/Antibiotik, të cilët kanë një përqëndrim të lartë në to.

Kujdes kolegë në përshkrimin e ekzagjeruar të Ceftriaksonit ose të Cefalosporiave të tjera të gjeneratave të dyta, të treta apo të katërta (një “sëmundje e përbotëshme”, kjo por më e thuktë shqiptare), në rastet e dyshuara me pneumoni bakteriale parësore apo dytësore, sepse këto antibiotikë nuk “shquhen” në përqëndrimin intracelular të tyre, çka edhe kërkohet në rastet e dyshuara me Psitakozë dhe jo vetëm.

Radiografia e gjoksit apo CZ-scan, ndihmojnë në diagnostikimin e shpejtë në rastet e prekjeve pulmonare, por ato nuk janë specifike dhe të dallueshme nga pneumonitë virale si Gripi, VRS-të (infeksionet nga Virusi Respirator Sinsicial) apo Covid-19, apo nga pneumonitë bakteriale nga Pneumokoku, Hemofilus, Moraksella, Stafilokoku, Mykoplazma, etj.

Testet serologjike apo kqyrjet e kujdesshme mikroskopike të sekrecioneve respiratore ndihmojnë në përcaktimin etiologjik të rasteve.

Antibakterialët/Antibiotikët e parapëlqyer në rastet e dyshuara me PSITAKOSIS/ORNITOSIS janë:

1- nga grupi i Ciklinave, Doxyciclina,

2- nga grupi i kinolonëve, Levofloxacyna dhe Moxifloxacyna, dhe

3- nga makrolidët, Azitromycina dhe Charytromycina.

Kohëzgjatja e antibioterapisë si për çdo pneumoni tjetër bakteriale është nga 10 deri në 14 ditë. Parandalimi bazohet kryesisht në evitimin kur është e mundëshme, të kontaktit me zogjtë dhe me shpendët. Personat e infektuar nuk ka arsye për t’u izoluar, sepse përhapja e psitakozës nuk ndodh në mes të njerëzve. Kurrë nuk janë të pavlefshme njohuritë për sëmundjet infektive, epidemiologjinë, Klinikën, Mjekimin dhe Parandalimin e tyre.

Dikur në kohën e dijedhënies edhe nga unë në Auditoret e Fakuktetit të Mjeksisë në vitet 1982-1998, PSITAKOZA ishte temë ligjërate dhe e praktikave klinike.  Sot prania e zogjve në mjediset familjare, ose kontaktet me to dhe shpendët për arsye profesionale janë shtuar, ndaj bëhet edhe më e domosdoshme ofrimi i njohurive për të.

ZOO-ANTROPONOZAT, infeksionet e transmetuara nga kafshët te njerëzit sot me shtimin e pranisë së tyre në mjediset familjare apo komunitare, duhet të rrisë më shumë shkallën e informimit dhe të formimit profesional dhe qytetar ndaj tyre.

Një mantelbardhë kurrë nuk pensionohet mendërisht, profesionalisht dhe mbi të gjitha nuk i humbet kontaktet me publikun, si dhe detyrimin e tij të dijedhënies dhe të ofrimit të eksperiencës së tij klinike.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here