Nga Shkëlqim Hajno
Komandanti këputi një kokërr mollë. Dhe ushtarët e shkulën nga rrënja!
Kështu thuhet në një proverb për kohët më të hershme, në Mesjetë. Por qasja institucionale e viteve të fundit në vendin tonë ndaj pyjeve, ta sjell vetiu në vëmendje këtë situatë.
Për atë çka ndodhi me kalimin e pyjeve komunale vetëm me një VKM (Vendim i Këshillit të Ministrave) të vitit 2000 në administrim (prone) të komunave, thjesht nga një vullnet ndoshta i mirë për kohën, por krejtësisht pa një parapërgatitje për kapacitetet menaxheriale të komunave tona me shumë paterica; dëmet janë ende të pallogaritshme.
Sipas burimeve zyrtare në vitin 1989, sipërfaqja e përgjithshme e pyjeve raportohej me 1.046.780 ha. Pas dëmtimeve të jashtëzakonshme në vitet e rrokullimës së tranzicionit të pafund shqiptar, vështirë është të dihet një inventar i saktë për atë çka ka mbetur. Dhe po t’i shtojmë kësaj edhe keqmenaxhimin nga komunat të fondeve pyjore në administrim të tyre pas vitit 2000, kur u jetësua në praktikë menaxhimi i ri i mbi 50% të pyjeve tona, atëherë situata bëhet edhe më e mjegullt dhe e trishtë. Kjo, jo vetëm nga ritmet e sopatave dhe sharrave në pyje, por edhe nga furia e zjarreve kur zotërit e vërtetë të pyjeve dhe kullotave u bënë barinjtë; a thua, se jemi vetëm fis nomadësh, në dorë të barinjve që s’u hyri kurrë gjemb në këmbë falë korrupsionit dhe idiotësisë që vjen prej eunukllëkut të zbatimit të ligjit për zhdëmtimin e pyjeve.
Pak fokus në jugperëndim
Pas vitit 2000, me VKM –në “bujare”, komunave në jugperëndim të vendit si gjithandej; iu dorëzua me menaxhim rreth 80 për qind e fondit pyjor dhe kullosor. Thënë ndryshe, vetëm në rrethin e Sarandës, 10 000 ha pyje dhe 21 000 ha kullota prej vitit 2000 do të menaxhoheshin nga komunat. Sipas inxhinierit të njohur të pyjeve dhe mjedisit, Kristo Kauri, “komunat nuk kishin as vullnetin dhe as kapacitetet për menaxhimin e pyjeve dhe kullotave”. Kauri shprehet se “ tranzicioni i njohur i zhvillimit të vendit, pati edhe një tranzicion dërrmues për pyjet dhe kullotat nga kalvari i keqmenaxhimit të tyre nga komunat.
“Nëse pas gati 25 viteve pyjet e vendit tonë janë zvogëluar me 37.000 ha, – thekson ing. Kristo Kauri, – këtu ka pjesën e vet edhe rajoni jonë i Sarandës. Dëmtimet më të mëdha janë konstatuar në pyjet e Fterrës dhe Corrajt, ku u tolerua me leje prerja e drurëve deri edhe hilqe, si dru i rrallë, për t’u shndërruar në qymur druri e për të furnizuar lokalet për paidhaqe, si në Sarandë e Delvinë, edhe përtej kufirit, në Greqi”.
Sipas burimeve zyrtare, dëmet në pyje nuk kanë kursyer as masive në pyje të tjerë, si në komunat Livadhja, Mesopotam, Markat e gjetkë.
Një tjetër shifër shqetësuese që pohohet nga specialistët e pyjeve në jug të vendit, është edhe faki i pakësimit të drurëve pyjore për ha. Ndërsa në vitin 1990 dendësia e drurëve për ha ishte 500 drurë mesatarisht, sot kjo shifër ëshët zvogëluar dukshëm në 150-200 drurë për ha.
Militantët, sekserët e pyjeve dhe kullotave.
Pyetjes së kush ia ka bërë dëmin më të madh pyjeve dhe kullotave edhe në jugperëndim të vendit, ing. Kristo Kauri i përgjigjet shkurt: “Dëmin më të madh ia kanë bërë si paaftësia dhe mungesa e vullnetit të vendimmarrësve edhe produkti i punës së sekserëve, militantë partish”.
Sekserë për parcelat me pyje, sekserë për kullotat, sekserë për kontraktorë, nënkontraktorë, gjithandej sekserë!
“Dukuria e sekserëve, – pohon Kauri, – nuk lindi sot, as një vit me parë. Ajo u trashëgua si një traditë e keqe, si një sistem që duhet shkulur me rrënjë”.
Dhe kësisoj vijuan disa praktika negative komunale për pyjet. Burime të zyrës së shërbimit pyjor e kullotave në Sarandë vënë në dukje se “nuk janë të rralla rastet, madje janë rëndom, që një qytetar paguan në komunë psh., për 3 m/kub dru dhe pret me dhjetëra dhe askush nuk e verifikon masën e prerë. Dhe më keq akoma, askush nuk ndëshkohet për dëmin e sjellë”.
Pyetjes se sa oxhakë ka rajoni i Sarandës, specialistët e pyjeve dhe kullotave sjellin shifrën 4500. Por, sipas tyre, komunat nuk kanë gjëkundi asnjë plan operacional për plotësimin e nevojave të banorëve të tyre me dru zjarri së pari, por edhe për menaxhimin efektiv të kësaj pasurie pyjore, që është pasuri kombëtare.
Bimët medicinale, në tkurrje galopante
Pjesë e masakrës në keqmenaxhimin e pasurive të pyjeve dhe kullotave padyshim janë edhe resurset e shumta të bimësisë medicinale. Rajoni jugperëndimor i vendit në hapësirën gjeografike Sarandë-Delvinë përbën trevën me pasuritë më të mëdha të bimëve medicinale në Shqipëri, në llojshmëri, po edhe në sasi. Me ndonjë përjashtim sporadik si në komunën Dhivër, ajo që është vënë re vitet e fundit; dyndjet për ta shkulur me rrënjë bimësinë medicinale, për ta prerë rëndshëm atje ku kanë pasur mundësi individë e grupe jo vetëm nga hapësira gjeografike e jugut të vendit, por edhe nga rrethe shumë më të largëta.
Rastet e lidhjes së kontratave me individë apo grupe të interesuara për shfytëzimin e sherebelës, psh, numërohen me gishtat e njërës dorë në dy komuna.
Pjesa dërmuese e shfrytëzuesve të bimësisë medicinale e merr lejen te “bishti i drapërit” dhe me ndonjë lekë që përfundon ne xhepat e ndonjë punonjësi të administratës komunale. Përkundër këtyre, rasti i komunës Dhivër kur kryekomunari Soktrat Kalcuni lidhi kontratë me subjekte të interesuara për shfrytëzim, madje edhe magazinim me kapacitete ekzistuese të vetë komunës, kundrejt qirave të vjela dhe detyrimeve financiare në arkën e kësaj njësie vendore, mund të zgjojë interes si një praktikë pozitive përballë shumësive të rasteve neglizhente e korruptive që lulëzojnë gjithandej.
Sugjerimi i specialistëve
Ajo për të cilën specialistët e pyjeve dhe kullotave bien dakord plotësisht, është rishikimi i VKM-së së vitit 2000 për kalimin e pyjeve dhe kullotave në pronësi të komunave. Sipas tyre, rasti më oportun është reforma administrative territoriale.
Në këtë klimë ndoshta, do të ishte më e udhës të rishikohej për një VKM të re, e cila do të mbante parasysh efektet që solli zbatimi i VKM prej vitit 2000, çfarë duhet bërë për menaxhimin e pyjeve dhe kullotave sipas qasjeve që ka bota perëndimore ku kemi trokitur tashmë.
***
Këto informacione mbështeten nga programi SENiORA-a drejtuar nga REC, rrjeti ECIM, grupim i shoqatave mjedisore, duke vijuar denoncimin e masakrave mjedisore


