Drejtoresha e UN Women, Phumzile Mlambo-Ngcuka
“Në vitin 1995, në Konferencën IV Botërore të Grave në Pekin, liderët botërorë u përkushtuan për një të ardhme ku gratë janë të barabarta.
“Njëqind e nëntëdhjetë e tetë vende, si edhe 4.000 organizata të shoqërisë civile, morën pjesë në këtë konferencë. Gratë u larguan nga Pekini me shpresa të mëdha, me një udhërrëfyes të mirëpërcaktuar drejt barazisë dhe me angazhime të forta në nivelet më të larta. Shpresa e tyre ishte që këto rezultate do të arriheshin deri në vitin 2005.
“Sot, asnjë shtet nuk e ka arrirë barazinë. Si kurrë më parë ka ardhur momenti që ne të përcaktojnë dhe të respektojmë një afat kohor.
“Edhe pse gjatë 20 viteve të fundit ka pasur përparime, ai ka qenë i ngadaltë dhe i pabarabartë mes vendeve. Shtetet kanë ulur nivelin e pabarazive gjinore në fushën e arsimit dhe disa prej tyre madje kanë arritur barazinë gjinore lidhur me regjistrimin në shkolla. Ata kanë ulur nivelin e vdekshmërisë dhe sëmundshmërisë së nënave. Tashmë më shumë gra i mbijetojnë shtatzënisë dhe lindjes së fëmijës krahasuar me vitin 1995.
“Shumë shtete kanë ngritur institucione që trajtojnë pabarazinë gjinore. Shumë prej tyre kanë miratuar ligje kundër diskriminimit. Shumë prej tyre e trajtojnë dhunën në familje si një vepër penale. Këto janë të gjitha lajme të mira. Por gjithsesi ne jemi akoma shumë larg arritjes së një barazie ndërmjet burrave dhe grave, djemve dhe vajzave.
“Zbatimi i politikave të mira ka qenë i fragmentizuar. Alokimi i burimeve, i nevojshëm për zbatimin efikas, ka qenë i pamjaftueshëm në financimin e ministrive që mbrojnë çështjet e grave, komisioneve të barazisë gjinore, pikave fokale të barazisë gjinore dhe për buxhetimin që i përgjigjet nevojave të përkatësisë gjinore.
“Për shumë gra, sidomos në vendet më pak të zhvilluara, nuk ka pasur shumë ndryshime. Në Afrikë, 70 % e prodhimit të drithërave bëhet nga gratë ndërkohë që gratë zotërojnë vetëm 2 përqind të tokës.
“Dhuna ndaj grave vazhdon të marrë jetë në shumë vende të botës. Asnjë shtet nuk e ka arritur barazinë gjinore. Gratë kanë nevojë për ndryshim dhe njerëzimi ka nevojë për ndryshim. Këtë ne mund ta arrijmë së bashku, gratë dhe vajzat, burrat dhe djemtë, të rinj dhe të moshuar, të pasur dhe të varfër.
“Tashmë është provuar se përfitimet janë shumë të mëdha nëse do të kemi barazi. Ekonomitë zhvillohen, niveli i varfërisë ulet, përmirësohet shëndeti dhe komunitetet janë më të qëndrueshme ndaj krizave humanitare dhe mjedisore.
“Gratë duan prej drejtuesve të tyre të përtërijnë premtimet që u janë bërë atyre, ato duan që liderët të angazhohen përsëri për Deklaratën e Pekinit, Platformës për Veprim dhe të përshpejtojnë dhe të kenë vendosmëri për zbatimin e tyre.
“Ato duan që shumë prej liderëve të tyre të jenë gra. Dhe ato duan që këto gra, së bashku me burrat, të kenë guximin për të ndryshuar modelet ekonomike dhe politike. Barazia gjinore duhet të arrihet përpara 2030-s, në mënyrë që ne të përshpejtojmë trajektoren e progresit e cila dënon një fëmijë që lind sot të presë 80 vite përpara se të shikojë një botë ku të gjithë janë të barabartë.
“Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, ne i bëjmë thirrje shteteve tona që të punojnë për barazinë gjinore, dhe që të kemi sukses të prekshëm deri në vitin 2020. Synimi ynë është të arrijmë “Planeti 50:50” përpara vitit 2030.
“Bota ka nevojë për barazi të plotë në mënyrë që njerëzimi të shkojë përpara. Fuqizoni gratë, fuqizoni njerëzimin. Jam e sigurt që ju mund të përfytyroni një botë të barabartë”.


