U përurua para një viti, QSUT nuk hap dyert e saj. Kryetarja e kësaj qendre thotë se janë ende në pritje të vendimit nga drejtoresha e QSUT-së
Esido Barkaj
Edhe pse u përurua me 17 prill të vitit të kaluar, Qendra Kombëtare e Hemofilisë nuk i ka hapur asnjëherë dyert e saj për të pritur pacientët në nevojë. Me sa duket, përurimi i saj ishte një shfaqje mediatike në kohën e para zgjedhjeve, duke i dhënë shpresë rreth 300 të sëmurëve me hemofili në Shqipëri, por që asnjë ditë nuk morën shërbimin në këtë qendër.
Në një intervistë të dhënë për gazetën “Shëndet+”, kryetarja e kësaj qendre Vera Minga shprehet se shkaku kryesor i moshapjes së kësaj qendre është drejtoria e QSUT-së. Mësohet se drejtoresha i ka vlerësuar si të pamjaftueshme ambjentet e vëna në dispozicion, pretendim që hidhet poshtë nga Minga, e cila shprehet se për të realizuar shërbimin mjafton edhe thjesht një dhomë.
Znj. Vera, edhe pse ka kaluar një vit nga përurimi i Qendrës Kombëtare të Hemofilisë, ajo nuk ka funksionuar asnjë ditë. Cili është shkaku?
Unë kam qenë nismëtarja e hapjes së një qendre të tillë, kuptohet me miratimin e Ministrisë së Shëndetësisë. Gjithsesi, mjekët hematologë menduan që kjo qendër të ishte më e plotë dhe me ambjente më të mëdha dhe u vendos që të merreshin disa ambjente të tjera. Kam kohë që pres dhe tani shpresojmë që të marrim një ambjent të ri dhe asgjë s’ka ndodhur ende. Në fakt, të gjithë ekspertët që e njohin mirë situatën e Shqipërisë, janë shprehur se ai ambient që u vendos që në fillim të ishte qendra e hemofilisë është e mjaftueshme për të përballuar situatën e vendit. Kjo për faktin se për hemofilinë nuk është e thënë të jetë një qendër shumë e madhe. Edhe një dhomë mjafton, pasi mjekimi bëhet ambulatorisht. Mjafton të jenë ilaçet, një krevat, një mjek hematolog profesionist dhe i përkushtuar në punën e tij, si dhe një infermiere. Mjafton të dihet që këtë mjekim në të gjithë botën pacientët e bëjnë vetë në shtëpitë e tyre. Për më tepër, duke qenë në ambjentet e brendshme të qendrës spitalore më të madhe në vend, ajo ka afër laboratorin, fizioterapinë dhe të gjithë mjekët që janë pjesë e ciklit që ndihmojnë pacientët në nevojë.
(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e 1 majit 2014 të gazetës “Shëndet+”)


