Denisa Canameti, gazeta “Shëndet+”
Tre vite pas miratimit të projektvendimit për financimin e paketës së implantit koklear nga Fondi i Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor, në shërbimin e ORL-së në QSUT, u bë i mundur realizimi me sukses i ndërhyrjeve të para kirurgjikale. Falë mbështetjes së Fondacionit “Lichtenstein”, falë mbështetjes të kompanisë “MED-EL”, QSUT-ja i hapi rrugën implanteve kokleare dhe kryerjes së tyre në QSUT që, siç premtojnë edhe mjekët, do të ketë vazhdimësi. Vazhdimësia e këtij projekti do t’u kthente shpresën 30-40 fëmijëve që lindin çdo vit në Shqipëri me probleme të dëgjimit, problem ky i ngritur tashmë prej një viti nga gazeta “Shëndet+” (lexo këtu). Implanti koklear, e cila është një pajisje e kompjuterizuar që mund të rivendosë dëgjimin e dobishëm për personat me humbje të rënda ose të thella të dëgjimit (shurdhim nervor), implantohet në fëmijët që kanë shurdhësi të thellë dhe nuk përfitojnë më nga asnjë ndihmesë tjetër dëgjimi. Të tre fëmijët tek të cilët është realizuar kjo ndërhyrje, deri më tani janë në një gjendje shumë të mirë.
Besim Boçi: Në 2017-n do të kryhen ndërhyrje të tjera
I kontaktuar nga gazeta “Shëndet+”, shefi i shërbimit të ORL-së në QSUT “Nënë Tereza”, Besim Boçi, tha se fëmijët janë në gjendje shumë të mirë, dhe se nuk kanë pasur asnjë ndërlikim gjatë ndërhyrjes. Midis të tjerash Boçi theksoi se për QSUT-në kjo tanimë është ndërhyrje rutinë.
“Është një ndërhyrje rutinë që kryhet në veshin e brendshëm. I tërë problemi i implantit është mbrapa sesa procedura”.
Pyetjes nëse QSUT-ja është e përgatitur për t’i ndjekur më vonë këta pacientë, Boçi iu përgjigj: “Jemi të përgatitur sepse kemi audiologë këtu. Ajo çfarë nuk kemi për momentin janë logopedët. Sepse ata fëmijë jo vetëm që nuk dëgjojnë, por as nuk flasin dhe, nëse kjo punë fillon dhe bëhet rutinë këtu, ne do na duhet që të marrim një logoped që ta kemi në shërbim. Herë pas here na duhet asistencë teknike që mund të ketë një problem me implantin, që besoj se kur, të tenderohet, duhet të vihet te kushtet e tenderit. Që kompania të përgjigjet për këto defekte”.
Ndërkohë, nëse do të ketë vazhdimësi ky program, pra, nëse do vazhdohet të kryhen implante, shefi i ORL-së u shpreh se aktualisht ka përfunduar procesi i kostifikimit në FSDKSH-në: “Tani po presim që të hapet buxheti. Me siguri që brenda këtij viti do të kryhen edhe ndërhyrje të tjera”.
Dritan Vasili: Shërbimi i implantit koklear duhet të rikthehej në QSUT
Pavarësisht asistencës së huaj, puna në sallë u udhëhoq nga mjeku otorinolaringolog-
“Ne kemi 8 vjet që merremi me projektin e implantit. Mbase nuk është numri i duhur i rasteve për të thënë që jemi plotësisht të pavarur, por gjithsesi me ndihmën e partnerëve tanë austriakë dhe kroatë siç ishte rasti i operacioneve që u kryen në QSUT, besoj se ecuria do të jetë e mirë.
“Ecuria e pacientëve pas implantimit është normale, pa ndërlikimet teorike. Pas 4 javësh vjen inxhinieri austriak përsëri, i cili vendos pajisjen e jashtme dhe bën programimin e aparatit. Aty fillojnë dëgjojnë për herë të parë. Më pas, fëmija duhet të ndiqet dhe nga një logoped për edukimin e të folurit.
“Qëllimi ishte që implanti nisi në Qendrën Universitare Spitalore dhe duhet të rikthehej në Qendrën Universitare Spitalore. Përfitoj të falënderoj dhe Ministrinë e Shëndetësisë për mbështetjen që i dha projektit”.
Prindi i njërit prej fëmijëve: Kishim humbur shpresat
Prindërit e fëmijëve të implantuar tregojnë për emocionet e ditës kur fëmijët iu nënshtruan ndërhyrjes.
“4 orë zgjati një operacion. Ishte e tmerrshme. Kishim besim që gjërat do të shkonin mirë, megjithatë… Akoma nuk e besoj se ka ndodhur. Sepse që kur u protezua vajza me aparat të thjeshtë, e dija që nuk ishte e mjaftueshme. Dhimbja që ndieja për këtë ishte e madhe pasi nuk mund ta përballoja si ndërhyrje. Nuk ka mbaruar gjithçka, se fëmija do të ketë gjithmonë nevojë për kujdesje. Sot nuk kam asnjë peng, se atë që ofroi shkenca u bë e mundur që të ndodhë.
“Ende jemi të panjohur për atë që do të ndodhë më pas. Mendoj që do të thirremi më vonë, se vajza do ketë nevojë për kontrolle të aparatit, për bateri e shërbime të tjera.
Prindërit janë të painformuar për mundësitë që kanë për fëmijët e tyre. Ndiej përgjegjesi morale që të ndërmarr nisma që të paktën të gjithë prindërit të informohen. Prindi nuk duhet dorëzohet sa kohë që ka alternativa”./ https://shendeti.com.al/



