Raporti i TFL: Probleme me kostifikimin e shërbimeve dhe raportimin e efektivitetit të shpenzimeve

Vetëm 4% e fondit vjetor të planifikuar për paketat e kardiologjisë dhe kardio-kirurgjisë, janë shpenzuar deri në fund të prillit 2026, edhe pse është realizuar rreth 35% e volumit vjetor të planifikuar të shërbimeve në këtë zë. Kostoja për njësi për kardiokirurgjinë dhe kardiokirurgjinë në sistemin spitalor rezulton rreth 87% më e ulët nga ajo e planifikuar, ndërsa Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqënies Sociale (MSHMS) nuk ofron asnjë shpjegim për këtë diferencë.

Kjo është vetëm një nga gjetjet e evidentuara në raportin e Together for Life (TFL), “Monitorimi i Shpenzimeve të Sektorit të Shëndetësisë për 4-mujorin e parë të vitit 2026”. Raportiidentifikon mangësi në raportimin e kostove të shërbimeve shëndetësore, realizimin e investimeve publike dhe vlerësimin e efektivitetit të shpenzimeve nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

Mospërputhja ndërmjet volumit të shërbimeve të realizuara dhe shpenzimeve faktike ngre pikëpyetje mbi saktësinë e kostove të parashikuara në buxhet dhe nevojën për të ofruar shpjegime të plota dhe të qarta për arsyet e këtyre devijimeve nga buxheti i parashikuara për vitin 2026. Në mungesë të të dhënave të qëndrueshme dhe të krahasueshme që lidhin buxhetin e planifikuar, shpenzimet faktike, volumin e shërbimeve dhe koston për njësi, nënvizon Raporti, është e vështirë të vlerësohet nëse fondet publike po përdoren me efikasitet dhe nëse alokimet buxhetore pasqyrojnë koston reale të ofrimit të shërbimeve shëndetësore.

Një tjetër shqetësim madhor i evidentuar në Raport është realizimi i investimeve publike. Gjatë katër-mujorit të parë të vitit 2026, MSHMS kishte realizuar vetëm 13% të planit vjetor të shpenzimeve kapitale, ku për investimet me financim të brendshëm në kujdesin shëndetësor dytësor, realizimi rezulton vetëm 4%. Ky ritëm i ulët rrezikon të vonojë investimet e planifikuara në infrastrukturën shëndetësore dhe pajisjet mjekësore, duke penguar zbatimin në kohë të projekteve që synojnë forcimin e shërbimeve publike shëndetësore.

Raporti evidenton gjithashtu mungesë transparence mbi koston e shërbimit të sterilizimit pas përfundimit të koncesionit. Më 10 mars 2026, Ministria transferoi 200 milionë lekë si kapital fillestar për OSHIS-in, operatorin shtetëror përgjegjës për shërbimin e sterilizimit. Megjithatë, informacioni publik nuk paraqet një pasqyrë të konsoliduar të pagesave të spitaleve, kostove operative, investimeve dhe volumit të shërbimeve për muajin prill 2026, kur përgjegjësia për ofrimin e shërbimit të sterilizimit kaloi te OSHIS-i.

Bazuar në gjetjet e Raportit, TFL i kërkon MSHMS-së të forcojë llogaridhënien publike përmes publikimit të të dhënave të plota, të krahasueshme dhe të verifikueshme mbi shpenzimet shëndetësore dhe shërbimet e ofruara. Këto të dhëna duhet të përfshijnë fondet e planifikuara dhe shpenzimet faktike, numrin e shërbimeve të ofruara, kostot për njësi, burimet e financimit dhe shpjegimet për devijimet e konsiderueshme nga objektivat e planifikuara. TFL rekomandon gjithashtu rishikimin e metodologjisë së llogaritjes së kostove të planifikuara dhe publikimin e një analize të plotë financiare për shërbimin e sterilizimit përmes OSHIS-it, në mënyrë që të mundësohet një krahasim kuptimplotë me modelin e mëparshëm koncesionar.

Llogaridhënia publike kërkon që MSHMS të raportojë jo vetëm sa para publike janë shpenzuar, por edhe sa efektivisht janë përdorur ato për të ofruar shërbime shëndetësore cilësore, të aksesueshme, të përshtatura me nevojat dhe financiarisht të përballueshme për çdo pacient dhe qytetar.Raportimi transparent dhe i besueshëm është thelbësor për të vlerësuar nëse shpenzimet publike po përmbushin objektivat e synuara, për të identifikuar mangësitë në ofrimin e shërbimeve dhe për të garantuar që burimet publike të përdoren me efikasitet dhe në mënyrë të barabartë, në funksion të nevojave shëndetësore të popullatës.

Shikoni këtu raportin e plotë

Postime të ngjashme

Tragjedi në Spitalin e Traumës në Tiranë/ Pacienti hidhet nga kati i tretë dhe humb jetën, policia nis hetimet
INSTAT: Bien vizitat për fëmijët dhe nënat në konsultore në 2025! Ja arsyeja
Ish ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj mbërrin në GJKKO
U plagos me plumb gome në sy gjatë protestës, MSHMS: Erjon Vishkulli kalon me sukses operacionin në Romë
Check-up falas për qytetarët, por sa kushton për buxhetin e shtetit?
Minutat e errësirës dhe paniku për jetën e pacientëve! KLSH zbulon faktin e rëndë, Trauma ka vetëm 1 gjenerator në punë dhe pa servis
U lëndua në sy gjatë protestës në Tiranë, Prokuroria e Tiranës nis hetimin për Erjon Vishkullin
Ministria e Shëndetësisë përditëson bilancin e të lënduarve nga protesta, katër persona të paraqitur në spitale