Reagojnë kardiokirurgët e QSUT-së: Jemi më të varfër se privati, por suksesin e kemi njohur para tij

Denisa Canameti, gazeta “Shëndet+”

Duke u shitur si lideri i shëndetësisë në vend, Spitali Amerikan në Prishtinë promovoi para disa ditësh realizimin, sipas tyre, për herë të parë në rajon të rekonstruktimit të Valvulës Aortale me metodën “David Operation”.

Sigurisht që lajme të tilla me në fokus promovimin e privatit, me teorinë e “të parit”, janë të njohura për vendin tonë. Ky lajm ka nxitur dhe vënë në lëvizje gjithë shërbimin e kardiokirurgjisë në QSUT, me kërkesë të shefit të këtij shërbimi, Edvin Prifti, për të hapur dosjet e për të dëshmuar pavërtetësinë e këtij lajmi.

Prifti ka treguar për gazetën “Shëndet+” se ajo që është shkruar është një e pavërtetë e madhe, ku edhe nëse bëhet fjalë thjesht për reklamë, nuk mund të lejojmë të hidhet poshtë apo të “errësohet” puna e palodhur që bëjnë mjekët në spitalet shtetërore. Shefi i këtij shërbimi u është drejtuar sot mediave me një letër, ku sqaron se ky operacion është kryer për herë të parë në Shqipëri më 2 dhjetor 2011, në shërbimin e kardiokirurgjisë së QSUT-së, me sukses të plotë.

Edvin Priti

Më poshtë reagimi i plotë i mjekut:

Duke marrë shkas nga një artikull i publikuar te Shqiptarja.com në datë 29 janar 2016, se në një spital privat në Tirane është realizuar për herë të parë në vend dhe në rajon interventi i David ose “David Operation”, mendova (së bashku me stafin e shërbimit të kardiokirurgjisë në QSUT), që në radhë të parë të falënderoja kolegët tanë të këtij spitali për ecurinë e tyre në fushën e kardiokirurgjisë dhe sigurisht që çdo “input” dhe ndihmesë e kujtdo në këtë specialitet kaq kompleks është i mirëpritur dhe i mbështetur nga ne.

Por, nga ana tjetër, nuk mund të mos vëmë në dukje pavërtetësitë të cilat janë shprehur në këtë artikull. Këto pavërtetësi sigurisht që janë nga mosnjohja e realitetit shqiptar dhe më gjerë, dhe nuk duam të besojmë që thuhen për arsye  të tjera. Në bazë të të gjitha të dhënave të deri tanishme, të gjitha procedurat kardiokirurgjikale të kryera për herë të parë në Shqipëri, janë kryer pikërisht në shërbimin e kardiokirurgjisë në QSUT, i cili realizon gamën e plotë të interventeve karidokirurgjikale.

Çdo procedurë e re, risi, modifikim apo alternativë teknikash të aplikuara në Shqipëri në fushën e kardiokirurgjisë, janë kryer për herë të parë në shërbimin universitar të kardiokirurgjisë në QSUT, dhe sigurisht kjo është krenari për gjithë stafin tonë. Ka qenë objektivi ynë permanent që aplikimet kirurgjikale, “device” të rinj, teknika të reja të aplikohen për herë të parë në QSUT, kjo për të vetmen arsye pasi është e vetmja qendër universitare e cila duhet të jetë edhe motori dhe promotori i zhvillimit, paçka vështirësive të panumërta dhe varfërisë së saj të dukshme.

Sigurisht, që kjo nuk do të pengonte askënd nga kolegët tanë brenda dhe jashtë vendit të sjellin risi të tjera në qendrat private, përkundrazi do të gjenin mbështetjen tonë maksimale, pasi do të jenë pacientët shqiptare ata të cilët realisht do të përfitonin. Por nuk është etike dhe profesionale që të modifikohet e vërteta…

Interventi i David, ose “David operation” që përmendet në artikullin në fjalë, është realisht një intervent kompleks i cili konsiston në zëvendësimin e aortës ngjitëse, por duke ruajtur valvolën e aortës, e cila është edhe një nga valvolat kryesore të zemrës së njeriut. Ky operacion është kryer për herë të parë në Shqipëri më 2 dhjetor 2011, tek pacientja L. M., me numër kartele 755205, e cila u operua për shkak të çarjes së aortës (diseksion akut i aortës ascendente) në shërbimin e kardiokirurgjisë në QSUT me sukses të plotë. Bashkangjitur është faksimilja e notës operatore e pacientes(1).

Pikërisht, përfundimi i suksesshëm i kësaj procedure kirurgjikale ishte edhe një nga temat e diskutuara nga mas-media shqiptare në atë kohë. Që nga kjo periudhe janë kryer një sërë interventesh të tilla si në QSUT ashtu edhe në spitale të tjera private në Tiranë. Në ndryshim nga promovimi i publikuar më 29 janar 2016, përfitimi i këtij interventi nuk është vetëm në faktin që nuk ka nevoje për hollues gjaku, por aspekti më i rëndësishëm i ruajtjes së valvolës së aortës së vetë pacientit lejon që ai të kryejë një jetë normale, kosto më të ulët, flukse normale të gjakut dhe perfuzionim pothuajse normal të arterieve koronare, dhe rrezik më të ulët për reintervente me daljen me sukses nga kjo procedurë.

Ky është një operacion që do një shkallë trajnimi të caktuar, por sigurisht që kryhet në pothuajse të gjitha vendet e rajonit, si Serbia, Greqia, Bullgaria dhe Maqedonia. Gjithashtu, më poshtë shkruhet që po me të njëjtën logjikë është kryer operacioni i bypasit off-pump, ndërkohë që kjo është një procedurë e kryer për herë të parë në shërbimin e kardiokirurgjisë, QSUT në 8 dhjetor 2006, pacienti I. Z., nr. kartele 500167, sipas notës operatore të bashkangjitur(2).

Tashmë kjo procedurë është një procedurë e rutinës e cila aplikohet vetëm në pacientë të veçantë dhe jo në rastet e zakonshme. Bypasi off-pump ka një kosto shumë më të ulët kundrejt operacionit me zemër të ndaluar dhe përfitimi prej tij është i kufizuar. Më poshtë akoma në artikullin në fjalë,  përmendet kirurgjia kardiake me anestezi epidurale me pacientin zgjuar. Në vitin 2011 dhe më pas në maj 2012, në një konferencë ndërkombëtare në Kosovë është referuar pikërisht nga grupi ynë i anestezisë realizimi i kësaj procedure dhe konsideratat teknike që duhen pasur parasysh. Përfitimi nga kjo procedure është shumë i limituar.

Më poshtë akoma përmendet aplikimi i valvolës Freestyle, që është realizuar në shërbimin e kardiokirurgjisë në QSUT në vitin 2005.
Dëshiroja të ndaja këtë informacion me lexuesit e uebsajtit tuaj për të sjellë nga afër vërtetësinë e fakteve, të cilat kur janë prezente, çojnë në konkluzione kokëforta. Pikërisht, aplikimi i këtyre procedurave, por edhe qindra procedurave të tjera kirurgjikale, e kanë bërë shërbimin e kardiokirurgjisë në QSUT si një nga shërbimet klinike më të avancuara, duke realizuar mbi 730 operacione kardiake në vit, ose afërsisht 70% të aktivitetit kombëtar dhe me një vdekshmëri 2.8%, ndërkohë që në normativat e Komunitetit Evropian një qendër që realizon 500 intervente në vit, konsiderohet një  qendër mesatare, dhe kur mesatarja evropiane e vdekshmërisë në kardiokirurgji është 4.5% që varion nga 1.2%-7.4%.

Ky shërbim është i vetmi që ofron kardiokirurgjinë e fëmijëve, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Kosovën dhe Maqedoninë, të cilat nuk e disponojnë atë. Është një kënaqësi për ne si kardiokirurgë, kur krahasojmë të tashmen, kur pacientët mbajnë radhën për t’u operuar pranë këtij shërbimi, me të kaluarën  kur po këta pacientë shqiptarë merrnin rrugën për në Turqi duke shitur shtëpitë e tyre për të realizuar operacionet në zemër dhe për të mbijetuar. Ky është treguesi më i mirë i ndryshimit nga mosbesimi në besim, pikërisht për shkak të përmirësimit të rezultateve dhe progresit të vazhdueshëm.

Tashmë në këtë shërbim operohen bebet e sapo ardhur në jetë dhe deri tek 80-vjeçarët. Futja rishtazi e kirurgjisë mininvazive valvolare, kirurgjisë së aritmive, kirurgjisë së aortës, kirurgjisë së transpozicionit të enëve të mëdha të gjakut etj ka bërë që të plotësohet afërsisht 85-90% e gamës së interventeve kardiokirurgjikale. Kthimi i besimit në strukturat mjekësore shqiptare dhe rritja e standardit shkencor dhe klinik është edhe qëllimi i të gjithëve ne.

Nga ana tjetër, edhe mas media duhet të konfirmojë të dhëna të caktuara për të mos u dezinformuar opinioni publik. Pikërisht, ky akt i publikimit të këtyre fakteve që ne po demonstrojmë, nga Shqiptarja.com, është një tregues i seriozitetit tuaj si gazetarë, që kanë për detyrë jo vetëm të informojnë publikun, por njëkohësisht edhe të korrektojnë informacionin e dhënë, dhe do doja t’ju falënderoja për këtë.

Në përfundim do dëshiroja të shtoja që edhe pse shumë gazetarë, analistë të opinionit publik etj, mendojnë që mjekët e QSUT nuk kanë fuqi për të reaguar apo nuk duan të reagojnë ndaj problemeve të shumta që ata përballen,  mendoj që është e kundërta. Ky akt në këtë artikull është një reagim ndaj të vërtetës shkencore, dhe unë kam besim të plotë që stafi mjekësor akademik i QSUT thellë, thellë i njeh problemet e tij, dhe nuk do t’i mungojë aspak dëshira dhe kurajo për të reaguar për çështje kardinale të së ardhmes së tij profesionale dhe akademike.

Ata janë një staf thellësisht profesional dhe shkencor, i cili meriton plotësisht të trajtohet si i tillë, dhe jo të nëpërkëmbet nga blasfemitë obskurantiste të ndonjë qebaptore, ku mbruhet barazitizmi dhe parazitizmi klasor i shoqërisë sonë. Ky është një staf që pa dyshim ka të drejtat e tij legjitime të ecë në rrugën e të vërtetës shkencore, të dënojë ashpër plagjiaturën, të shikojë në sy të drejtën e tij për të punuar me ndershmëri në spitalin publik, dhe pa dyshim të qëndrojë në të drejtën e tij për të punuar në struktura private jashtë orarit të punës, pasi ka plotësuar të gjitha detyrimet që i takojnë, duke mos lejuar askënd që ta diskriminojë.

Ky do të ishte një staf akademik mjekësor evropian, modern, progresist, i vërtetë dhe i ndershëm me veten, shtetin e tij dhe me publikun që e rrethon, por mbi të gjitha etik ndaj pacientit që i beson.

(Shefi i Shërbimit të Kardiokirurgjisë, QSUT)*

Postime të ngjashme

Ngacmoi seksualisht pacienten 21-vjeçare, arrestohet kirurgu
Këto 3 vitamina që ekspertët rekomandojnë të mos i merrni me stomak bosh
Rimbursimi në mars, sëmundjet kardiovaskulare dhe diabeti përhapje në masë
Helmohen 56 studentëve të Akademisë së Sigurisë, reagon AKU
Sa kafe mund të pimë në ditë pa rrezikuar shëndetin? Ja çfarë thonë studimet
Alarm në Zvicër dhe Francë, identifikohen rastet e para me Hantavirus
Alarm në det: Shpërthen hantavirusi në anije turistike, 3 të vdekur
Brokoli apo lulelakra: Cila ka më shumë fibra dhe cila është më e shëndetshme?