Daniela Bardhi
Hashurja është një ëmbëlsirë turke dhe është quajtur ndryshe Pudingu i Noes. Ekziston një legjendë, që kur banka e Noes u ndal për të pushuar në malin Ararat në verilindje të Turqisë, familja e tij festoi me një pjatë të vogël të veçantë. Duke qenë se rezervat e ushqimit ishin drejt fundit, produktet e pakta të mbetura ishin frutat e thata dhe gruri. Ato u gatuan së bashku dhe formuan një pjatë që sot quhet hashure. Tradicionalisht, sidomos në vendin tonë, kjo pjatë përdoret për festën e Sulltan Nevruzit apo, siç quhet, ndryshe Dita e Hashures.
- 300 gr grurë për ashure
- 100 gr sheqer i bardhë
- 100 gr arra, lajthi, stika, bajame (këto mund të jenë opsionale)
- 50 gr rrush i thatë
- 2 lugë të vogla kanellë
- 2 lugë niseshte
- Pak kripë
Përgatitja
Si fillim, vendosni grurin në 2 litra ujë dhe lëreni të zihet për 2 orë në një zjarr të ngadaltë derisa gruri të zbutet tërësisht. Më pas shtoni sheqerin, një majë luge kripë, rrushin e thatë. Në një tas të vogël me ujë të nxehtë tretni 2-3 lugë niseshte, derisa të formohet një lëng i trashë dhe pa kokrriza. Hidheni në tenxheren me hashure dhe përziejeni fort me një lugë druri që lëngu i hashures të trashet dhe e lini dhe pak minuta në zjarr të ngadaltë. Pasi hashurja të jetë përfunduar, hidheni në tasa të vegjël qelqi dhe hidhini sipër pak kanellë dhe fruta të thata, si: arra, bajame, lajthi etj. Lëreni të ftohet pak dhe futini tasat në frigorifer, pasi kjo ëmbëlsirë konsumohet e ftohtë./ www.shendeti.com.al /