Regjimi pasuror martesor sipas ligjit aktual

Martesa është një nga institucionet më të rëndësishme sociale dhe juridike. Momenti i lidhjes së martesës shoqërohet me lindjen e të drejtave dhe detyrimeve të ndërsjella për bashkëshortët, të cilat janë me karakter personal dhe pasuror.

Bashkëshortët sjellin në bashkësinë martesore pasuri të fituar më parë, ndërsa në martesë mund të krijojnë dhe fitojnë bashkërisht pasuri të tjera.

E drejta pasurore sipas kanuneve

Historia e të drejtës pronësore, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë ka ndikuar dhe ndikon në statusin e të drejtave pronësore të grave në ditët e sotme.

Zgjidhja e martesës krijon disa probleme juridike ndërmjet palëve për rritjen e fëmijëve, si dhe për pasurinë që bashkëshortëve u takon të marrin në shtëpinë bashkëshortore.

Që në kohën e Kanunit, gruas nuk i njihej asnjë e drejtë, asnjë kontribut, si në pasurinë e luajtshme, ashtu edhe në atë të paluajtshme.

Sipas Kanunit të Mirditës (neni 314) si rregull, “gruaja merrte me vete vetëm teshat e shtatit”. 

Ndërsa sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit (KLD) (Gjeçovi O.F.M Shtefën,fq 19), gruaja asht shakull për me bajtë” .

Kjo tregonte haptazi pozitën inferiore të gruas ndaj burrit, ajo shihej si “pronë” e tij, nuk kishte asnjë të drejtë, por vetëm detyrime për mirëmbajtjen e familjes, shtëpisë, burrit etj.

Gruaja nuk gëzonte të drejta as mbi fëmijët, as mbi shtëpinë dhe nuk gëzonte të drejta trashëgimore.

Në rastin kur gruaja mbetej e ve dhe akoma nuk kishte bërë asnjë fëmijë, ajo duhej të largohej nga dera e burrit, sipas kanunit “petkat, qi pat pru si nuse e arkën me dry i merr me vedi” (KLD, fq. 20). Pra, nuk merrte as pajën që kish sjellë. Si rrjedhojë, Kanuni i Lekë Dukagjinit dhe Kanuni i Mirditës nuk diskutonte aspak ndarjen e pasurisë në rast divorici apo vdekje të burrit

Kodi Civil i Mbretërisë për Regjimet Pasurore Martesore (1 prill 1929) 

Kodi Civil i 1929-s ishte një kod me frymë më të moderuar, kjo jo vetëm sepse vetë Mbreti Zog donte që mbretëria e tij të kishte pamjen e mbretërive më të përparuara të kohës, por edhe sepse ai u hartua duke u bazuar në Kodin Civil Francez të vitit 1804, i njohur ndryshe si kodi i Napolonit.

Themi se Kodi i 1929-s ishte modern për kohën pasi synonte barazinë e qytetarëve, emancipimin e pronësisë mbi tokën dhe lirinë për angazhimin në aktivitete ekonomike.

Kështu, do të kuptohet që burri dhe gruaja tashmë do të ishin të barabartë jo vetëm në marrëdhëniet e tyre familjare por edhe në marrëdhëniet e tyre pasurore

Ajo që ishte e veçantë dhe tepër largpamëse për kohën ishte dhe Kontrata e Martesës. Që të ishte e vlefshme kjo kontratë duhet të nënshkruhej para noterit (Kodi Civil 1929, cit., neni 1325) dhe në këtë kontratë do të parashikohej mënyra e rregullimit të pasurisë midis bashkëshortëve.

Kodi Civil i vitit 1929 parashikonte vetëm bashkëpronësinë mbi fitimet, pavarësisht nga fakti, nëse ishte parashikuar “konstituimi” i dotës në kontratën e martesës ose jo.

Në Kodin Civil të vitit 1929 ka mjaft dispozita që na theksojnë pozicionin e pabarabartë të gruas, siç mund të ishte parashikimi se burri ishte kreu i familjes, gruaja ndiqte pozitën civile të burrit, merrte mbiemrin e tij dhe detyrohej ta shoqëronte atë kudo që ai e shihte të arsyeshme të caktonte vendbanimin e vet (neni 188).

Pra, me gjithë karakterin emancipues të tij, Kodi nuk i shpëtoi cënimit të vullnetit të gruas në zgjedhjen e profesionit që i pëlqente dhe/ose i interesonte. 

Duhet thënë se pavarësisht se Kodi Civil i Mbretërisë Shqiptare të vitit 1929 ishte Kod modern, ai nuk gjeti zbatim jo në pak raste në fushën e marrëdhënieve familjare për shkak të shoqërisë patriarkale që vazhdonte të kishte Shqipëria e atyre vitev

Regjimi pasuror martesor sipas ligjit aktual (Nr.9062, date 8.5.2003) 

Këto rregulla i japin përgjigje një sërë pyetjesh mbi paqartësitë që mund të kemi lidhur me pasuri të caktuara, të krijuara para, gjatë ose pas martesës ose pasuri të fituara bashkërisht ose individualisht, të dhuruara ose të trashëguara, të luajtshme ose të paluajtshme, etj. Çasti/koha e lidhjes së martesës ka ndikim në kategorizimin e pasurisë në pasuri para martesore ose pas martesore.

Nga ana tjetër, regjimi pasuror, i cili mund të jetë me ligj ose me kontratë, ndikon në kategorizimin e pasurive si vetjake apo të përbashkëta.

Dispozitat e Kodit të Familjes parashikojnë se, në regjimin e bashkësisë ligjore, çdo pasuri e fituar gjatë martesës qoftë nga njëri bashkëshort apo nga të dy bashkëshortët është pjesë e bashkësisë ligjore. Pasuria e bashkëshortëve prezumohet e përbashkët, me përjashtim të rastit kur bashkëshorti provon karakterin e saj vetjak.

Siç mund të shikojmë e drejta e gruas mbi pronën ka evouluar bashkë me kohën. Nëse në të drejtën zakonore, shikojmë gra që s’kishin të drejtë mbi asgjë, sot shikojmë gra që ligjërisht janë të barabarta dhe gëzojnë të drejta pronësore si burrat, por faktikisht kërkohet akoma shumë punë në ndërgjegjësimin e shoqërisë që “gruaja dhe burri të kenë të drejta të barabarta për pronën.

Ky material është plotësisht i financuar nga Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri – AWEN, nëpërmjet fondeve të Agjencisë Ndërkombëtare për Zhvillim dhe Bashkëpunim – Sida.

AWEN dhe Sida nuk janë domosdoshmërisht dakord me opinionin e shprehur. Vetëm ‘Together for Life’ është përgjegjës për përmbajtjen.

Postime të ngjashme

"Shet produkte të rrezikshme"- Komisioni Europian gjobit TEMU-në me 200 mln dollarë
8 fruta me përmbajtje të ulët sheqeri
Shpërthimi i Ebolas, OBSH shpall emergjencë globale
“Sterilizimi”/ Shtyhet gjyqi për ish-ministrin Ilir Beqaj, ja kur do të mbahet seanca e radhës
Asambleja e OBSH, ministrja Sala prezanton prioritetet e Shqipërisë në shëndetësi
'Çohu o dreq mos bëj si e sëmurë'/ Infermierja te Psikiatria keqtrajton pacientët, reagon QSUT: Rast i papranueshëm, janë marrë masa për punonjësen
Mashtronin njerëzit me ilaçe false për sëmundje të rënda, goditet rrjeti kriminal që operonte në 15 shtete të Europës
Shkarkohet drejtori i Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor! Ja kush emërohet