Kryefaqja Lajm kryesor Renato Muçaj: Një idealist nuk mund të mbyllë sytë drejt një padrejtësie

Renato Muçaj: Një idealist nuk mund të mbyllë sytë drejt një padrejtësie

0
Shpërndaje

Bisedoi: Kesilda Gjoka

Renato Muçaj është kreu i Sindikatës së Punonjësve të Postë – Telekomit Shqiptar, post të cilin e ka mbajtur prej 5 vitesh.

Ndonëse e dinte shumë mirë që ishte një përgjegjësi e madhe të përfaqësoje me mijëra punonjës, ai mori vendimin të bëhej pjesë e garës për kryetar me synimin për të sjellë një frymë të re dhe moderne për sindikatën. I diplomuar për Menaxhim Biznesi në Stamboll dhe nga eksperiencat e fituara nga sindikatat ndërkombëtare, Muçaj ka arritur që ta ndryshojë rrënjësisht konceptin dhe funksionin e një sindikate, që të jetë një faktor i rëndësishëm kur flitet për të Drejtat në Punë, të çfarëdolloj sektori.

Në veprimtarinë e tij të shumanshme shohim modelin e një idealisti të përshtatur me frymën e kohës, gjithmonë në front të parë kur flitet për mbrojtjen e të drejtave të punonjësve.

Në një intervistë për Gazeta Shëndet Plus, Renato flet më shumë për këtë idealizëm dhe pasion të tij për profesionin, punën, por edhe vendin e lindjes.

Renato, nga një student ekselence, tani jeni kryetari i SPPTSH. Mund të flisni pak për hapat tuaj të parë?

Si fillim, më lejoni t’ju përgëzoj për punën e mirë që bëni në gazetën Shëndet +.

Mbas përfundimit të studimeve në Turqi, jam kthyer në Shqipëri, ku kam filluar të punoj për kompaninë Albtelecom, për të cilën vazhdoj të kontribuoj edhe sot. Duke njohur gjuhën turke, në fillimet e karrierës kam punuar pranë menaxhimit të lartë të kompanisë dhe më pas në projekte dhe pozicione të ndryshme brenda kompanisë. Në vitin 2012 ka filluar dhe angazhimi im pranë sindikatës së Punonjësve të Postë-Telekomit Shqiptar, në fillim si anëtar, e pastaj si përfaqësues i kësaj sindikate, ku kam menaxhuar marrëdhëniet ndërkombëtare të sindikatës. Në vitin 2014, pas daljes në pension të kryetarit, Sindikata zhvilloi kongresin e 6-të të saj, ku do të zgjidhte dhe kryetarin e ri. Në fillim nuk kam pasur dëshirë të përfshihesha në garë për kreun e sindikatës, pasi e konsideroja një punë tepër me përgjegjësi për moshën që kisha (isha vetëm 28 vjeç) dhe e dija që ishte një barrë dhe një përgjegjësi e madhe të përfaqësoj 1200 punonjës. Vendimin tim e kam peshuar shumë, dhe mbasi jam konsultuar me disa kolegë dhe miq të mi, të cilët më ofruan mbështetjen e tyre në këtë rrugëtim, vendosa të kandidoj. Ka qenë një garë e fortë, sepse mbas kaq shumë vitesh drejtim nga ish kryetari aktual, ishte shumë e vështirë të bindje delegatët për ndryshime dhe modernizimin e sindikatës, të cilin unë planifikoja të kryeja. Përballë në këtë garë kisha zëvendës kryetarin e sindikatës, i cili kishte një eksperiencë më të gjatë se unë në sindikatë dhe një njohje më të madhe tek delegatët. Kemi punuar fuqishëm me grupin që më mbështeste, dhe deri në ditën e Kongresit kemi arritur t’i bindnim delegatët që ndryshimet që ne paraqisnim ishin të rëndësishme dhe jetike për t’i dhënë një dinamik tjetër sindikatës sonë. Ky ishte dhe çelësi i suksesit tonë, pasi, siç duket, edhe delegatët e kongresit kishin kaq shumë vite që prisnin këto ndryshime. Në Kongresin e 6-të kam fituar bindshëm dhe jam zgjedhur kryetari i sindikatës. Sot, si kryetar i sindikatës, mund të them që sindikata ka ndryshuar rrënjësisht. Ajo sot është në funksion të anëtarit të thjeshtë, shumë aktive, dhe ka arritur të jetë faktor i rëndësishëm dhe një partner social i besueshëm.

Keni kryer studimet në Turqi, si ka qenë si eksperiencë? Kthimi ishte i paramenduar apo erdhi nga situatat dhe rrethanat e jetës.  

Turqia ka qenë një eksperiencë e veçantë. Unë i kam kryer studimet në Stamboll për Menaxhim Biznesi, dhe gjatë këtyre viteve i kam shijuar pafund kënaqësitë që të jep ky qytet magjik. Është një qytet ku çdo ditë ti eksploron diçka të re, një qytet i pafund. Ne shqiptarët kemi aftësinë që të përshtatemi shumë mirë në çdo vend, por në Stamboll ti ndihesh si në shtëpi, pasi shumë gjera janë të ngjashme me traditat dhe kulturën tonë. Çdokush në Stamboll mund të gjejë diçka që i pëlqen, sepse ky qytet është sa në lindje aq edhe në perëndim. Kthimi ka qenë i paramenduar, pasi gjithmonë kam dashur të kontribuojë për vendin tim. Kjo ka qenë edhe arsyeja kryesore pse kam dashur të jem pjesë aktive e shoqërisë dhe të jap sa më shumë për zhvillimin e vendit tim. Kjo duket shumë patriotike për kohën kur jetojmë, por ndoshta kjo është diçka e trashëguar edhe nga familja, ku gjithmonë na është ushqyer ideali për ta dashur vendin dhe të mos largohemi prej tij.

Jeni shumë aktiv kur flitet për të asistuar dhe këshilluar për të drejtat e punës në çdo sektor. Vjen si pasojë e pasionit dhe dëshirës për profesionin, apo diçka e fituar nga puna?

Unë jam një njeri idealist dhe nuk mund të mbyllë sytë kur bëhet një padrejtësi, por ky idealizëm është shtuar edhe më shumë mbasi jam angazhuar edhe me organizatat e punonjësve. Kam pasur shume eksperienca me sindikatat ndërkombëtare dhe kam parë përpjekjet e tyre dhe historitë e tyre të suksesit në zgjidhjen e problemeve të punonjësve. Dhe gjithmonë kam menduar, derisa arrihen atje, pse jo edhe këtu. Por kjo lloj pune kërkon shumë vullnetarizëm, pasi jo gjithmonë mund të paguhesh për këtë lloj pune, prandaj idealizmi dhe pasioni është pjesa më e rëndësishme e këtij profesioni. Nëse mund të arrijmë të sensibilizojmë sa më shumë punonjës për të drejtat e tyre dhe për kontraktimin kolektive, kemi bërë një investim shumë të madh për të ardhmen.

Udhëtimet, shohim që je shumë i dhënë pas tyre. Cili është ai udhëtim që do e mbash mend gjatë dhe cili ka qenë më i lodhshëm?

Duke qenë se kam kryer edhe studimet jashtë, ky pasion sa ka ardhur dhe më është shtuar. Kjo lidhet dhe me natyrën time eksploruese. Më pëlqen që të vizitoj vende të reja të cilat nuk i kam shkelur më parë, dhe mundësisht të qëndroj në zona ku qëndrojnë vendasit, për ta kuptuar më mirë jetesën e atij vendi. Udhëtimi më i gjatë dhe më mbresëlënës ka qenë në Amerikë dhe në Republikën Domenikane, isha bashkë me familjen. Republika Domenikane ka një bregdet fantastik me pamje magjepse. Pavarësisht kohës së bukur që kaluam, kthimi ishte tepër i lodhshëm, pasi për shkak të një defekti në avion, jemi detyruar të kthehemi mbrapsht edhe të qëndrojmë edhe një natë në Punta Cana, për t’u rinisur të nesërmen.

Si i keni marrëdhëniet me ushqimin? Gatuani vetë? Ndiqni ndonjë dietë?

Shumë e mirë (qesh). E vetmja gjë që si them asnjëherë jo (qesh). Gjithsesi kujdesem që mos ta teproj me ushqimin, pasi sot në çdo moment jemi të rrethuar nga ushqimi dhe gjithmonë jemi në presion për të konsumuar më shumë seç duhet. Më pëlqen të gatuaj, edhe ata që i kanë provuar gatimet e mia kërkojnë t’ju gatuaj përsëri (qesh). Aktualisht nuk jam duke ndjekur ndonjë dietë, pasi ushtrohem në palestër dhe mundohem të harxhoj kaloritë e tepërta.

Palestër apo ushtrime në natyrë?

Gjatë periudhës së dimrit ushtrohem në palestër, ndërsa në periudhën e pranverës dhe verës më pëlqen më shumë natyra, sidomos vrapi në natyrë. Gjithashtu një aktivitet tjetër fizik është edhe eksplorimi i zonave malore dhe ngjitje në mal. Është një aktivitet shumë i mirë fizik për të gjithë ne që kemi një punë me kohë të gjatë ulur.

Shëndetësia shqiptare, si do ta përshkruanit?

Shëndetësia shqiptare, është larg asaj që presin shqiptarët. Largimi i mjekëve po kthehet në një problem serioz, prandaj qeveria duhet të marri masa për të përmirësuar kushtet, jo vetëm për pacientët, por edhe për mjekët. Mjekësia vjen e para në çdo vend, ashtu duhet të jetë dhe për vendin tonë. Pavarësisht përmirësimeve që mund të ketë pasur ky sektor, pritet që të bëhet më shumë. Ndoshta Shqipëria duhet të punojë për të ndryshuar edhe sistemin e siguracioneve shëndetësore, pasi paguajmë siguracione dhe shpeshherë nuk mbulohemi dhe kjo skemë nuk funksionon siç duhet. Sistemi Anglez apo Kanadez janë nga sistemet më të mira shëndetësore, ku të gjithë ata që punojnë kontribuojnë edhe të gjithë marrin shërbimet kryesore falas.

Një këshillë për të gjithë lexuesit e gazetës Shëndet +.

Është një gazetë shumë e rëndësishme, pasi gjithmonë sjell informacionet më aktuale për shëndetin tonë. Unë vetë e ndjek rregullisht si gazetën edhe websitin tuaj, ku gjithmonë gjej informacione të vlefshme. Këshilla ime për të gjithë lexuesit është që ta lexojnë gazetën, pasi nuk ka vend më të mirë ku mund të informohen për shëndetin e tyre.

Mendoj që këshilla më e mirë për të gjithë lexuesit e gazetës Shëndet+ do të ishte të marrin sa më shumë informacione për shëndetin dhe shëndetësinë. Lexoni dhe trokisni në çdo portë për të marrë informacionin dhe shërbimin e kërkuar nga ju, mos hezitoni asnjëherë.

 

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here