Replikë mikeshës sime të shtrenjtë për mjekët, pacientët, testimin etj etj!

Erjona Shehu, mjeke dermatologe në QSUT

Replikë një mikeshës sime të shtrenjtë për mjekët, pacientët, testimin etj etj!

erjona shehu

Erjona Shehu, dermatologe

X e ke shumë gabim! Njeriu të keqen e kujton me lehtësi, të mirën e zeron në çast. Po të ishin mjekët si i përshkruani ju dhe në kusthet në të cilat punojnë, në Shqipëri do të ishte bërë nami. E di ti që në urgjencën e Pediatrisë, pediatrit shohin 375 raste në ditë? Ata janë heronj e dashur X, dhe jo ordinerë sikurse po çahen duke folur njerëzia. Po pse unë nuk kam dështuar me pacientë? Natyrisht që po. Kam pasur raste që nuk u kam dhënë dot zgjidhje. E çfarë do të thotë kjo që jam mjeke e paaftë? Të ishte kaq e lehtë mjekësia (ah sikur)… E di ti se si punojnë kolegët tanë në Perëndim? Mbante hapur kompjuterin e spitalit specializantja e dermatologjisë në Graz, në menu ishin hapur të gjitha ikonat, duke nisur nga regjistri elektronik kombëtar i pacientit, vazhdohej me ikonën që selektonte të dhënat anamnestikë dhe nxirrte diagnozën diferenciale, vijonte me ikonën e ekzaminimeve që duhej të bënte me ikonën e trajtimeve dhe mbyllej me një ikonë fjalori mjekësor. Vajza specialiste bënte vetëm 5 vizita në ditë dhe ikte të pinte çaj që të rehidrohej e të hante sallatë te mensa e spitalit, që për hir të së vërtetës, kishte menu me 5 yje. E zëvendësonte specializantja tjetër për të bërë edhe ajo vetëm 5 vizita. Ndërsa unë (e theksaj, jam me fat dhe kam specialitet luksi krahasuar me kolegët e mi) bëj edhe 30 vizita në ditë deri në orën 15:30. Kjo ishte puna e tyre: bënin shkencë, e dashur. Vetëm denjonin të vinin kur kishin ndonjë rast të vështirë.

Në nentor kisha një specializim në Dyseldorf. Nuk po të them se si u ndjeva, se ka të ngjarë të nisesh të qash edhe ti me mua.

Por medalja ka dhe një anë tjetër: e di ti se çfarë do të të dëgjonin veshët po të nisnim e të flisnim ne mjekët e paaftë, ne kriminelët që duhet të “na priten këmbët me llamarinë, por jo të pastër, por të ndryshkur që të vdesim dalëngadalë”. Ne i mjekojmë edhe këta maniakë perversë që shohin thriller gjithë ditën e zbrazën në media sociale gjithë problemet e tyre që e kanë zanafillën në fëmijëri të trazuara, rrallëherë njerëzore. Askujt nuk i mohohet shërbimi, edhe pse gjenitalet u mbajnë era shperc dhe era vesh gjithë dhomën me të njëjtin intensitet si në dimër, edhe në verë; askujt nuk i mohohet shërbimi edhe kur flenë në kazane plehrash e vijnë të mjekohen. Unë kam parë fëmijë 40-ditësh që u qenë ngjitur sqetullat dhe u kullonin qelb se prindërit i kane lidhur në djep e i kanë lënë pa larë. Dhe i kam pastruar me këto duar në dasht me dit ti, e dashur, e me po ato duar që kanë prekur mjerimin fizik njerëzor, kam shkuar e kam përkëdhelur fëmijët e mi në darkë, kam parë familje me morra në kokë e i kam trajtuar pa asnjë hezitim. Nuk kam nxjerrë jashtë dere asnjë pacient me zgjebe, me frikën se po më ngjitet e po ua çoj kalamajve në shtëpi. Jo! Kam bërë detyrën dhe i kam trajtuar.

Rastet që ne referojmë nëpër kongrese nëpër botë janë ndër me ekstremet dhe gjithmone i kanë lënë kolegët tanë me gojë hapur! Po aq gojëhapur kanë ngelur kur kanë parë se si punojmë ne. E përsëris: jam në një ndër specialitetet që në mjeëksi mund të quhen luksoze. Po sikur të rrëfej historitë e miqve te mi?

Askush nuk flet për këto, por rrinë e merren me testimin. Testimi, e dashur, nuk ngjall frikë në radhët e doktorëve, ngjall zemëratë! Është trajta e ndryshme e asaj që ka ndodhur në vite: nuk jam në gjendje të zgjidh shëndetësinë, por e kam formulën magjike: po ia hedh fajin doktorit. Këtë radhë u zgjodh mjeti i gabuar. Ne jemi përdorur shumë keq dhe të jeni të bindur që me këtë keqpërdorim që i është bërë figurës së mjekut, është krijuar një hendek i tmerrshëm mes mjekut dhe pacientit: pacientët na keqgjykojnë e na paragjykojnë, por për ta jemi bërë “një e keqe e domosdoshme”. Por, nga ana tjetër, po na humb përditë dëshira e pasioni për këtë profesion.

Si do të vejë ky muhabet? Nuk e di? Vazhdoj të pyes veten: Gjithkush do që mjeku të jetojë me 47000 lekë rroge, të jetë i buzëqeshur me pacientin, të jetë i ditur, i zoti, i mirëformuar, të specializohet pa fund dhe të dijë të rejat më të fundit të shkencës, të gjitha me shpenzimet e veta, të jetë shërbëtor i pacientit dhe më pas: të gjithë shqiptarët duan t’i bëjnë fëmijët mjekë; kaq popull mazokist qenkemi?! Çfarë hipokrizie!

Gjithsesi, unë e kam ndarë mendjen: fëmijët e mi nuk do të kenë asnjë lidhje me mjekësinë! Kjo është ajo që u them përditë. Nuk kanë 30 jetë dhe punë e madhe se po e hedhin poshtë një e u ngelën 29 të tjera.

Dhe diçka të fundit: komentet e mjekëve këto ditë është tentuar të përdoren politikisht! Ne kemi mbërritur në këtë pikë falë politikës, sidomos asaj të pushtetarëve të djeshëm e opozitarëve të sotëm.

Përdorimi i reagimeve tona për politikë nuk heq votat nga një krah e t’i çojë në krahun tjetër. Shëndetësia nuk bëhet me një vit e dy, është një betejë e vështirë por që nuk mund të finalizohet nga gjeneralë që luftojnë kundër ushtarëve të tyre!

Postime të ngjashme

Shkencëtarët zbulojnë dy pijet me kafeinë që mund të ulin rrezikun e goditjes në tru dhe sulmit në zemër, ja sa duhet të konsumoni për përfitime shëndetësore
5 ushqime që mund të bëhen të rrezikshme nëse nuk gatuhen siç duhet
AKU bllokon çokokremin "Nudossi" me përmbajtje salmonele
Gjendet helm minjsh në ushqimin për bebe, tërhiqen nga tregu kavanozët me pure
Turqia, destinacion global për shërbime mjekësore: Anadolu Medical Center, lider në këtë rrugëtim
Gjashtë këshilla të provuara shkencërisht për një tru të shëndetshëm
Trajtimi psikosocial dhe shëndetësor i dhunuesve: hallka e munguar për thyerjen e ciklit të dhunës
Përdorimi i bimëve mjekësore në trajtimin e çrregullimeve të sistemit tretës