Kryefaqja Të rinjtë Roli i të rinjve në vendimmarrjen lokale

Roli i të rinjve në vendimmarrjen lokale

0
Shpërndaje

Të rinjtë në Shqipëri janë pjesë e programit dhe politikave të qeverisjes në nivel qendror dhe lokal. E ndërsa institucionet publike politikëbërëse në nivel qendror kanë një vizion më të gjerë për të rinjtë, bashkitë janë më afër të rinjve duke njohur më mirë nevojat specifike të tyre.

Qendra TED po zbaton projektin “Fuqizimi i aftësive advokuese të nxënësve dhe përfshirja e tyre në evidentimin dhe zgjidhjen e problemeve të infrastrukturës në shkollat e qarkut të Korçës” me mbështetjen e Lëviz Albania. Në kuadër të këtij projekti, u zhvilluan trajnime me 20 të rinj të qytetit të Pustecit me fokus përfshirjen e nxënësve në politikat vendore për infrastrukturën shkollore. Në këtë bashki, në trajnim morën pjesë 20 djem e vajza të shkollës së mesme të bashkuar “Liqenas”. Kjo shkollë ka të regjistruar 90 nxënës për vitin shkollor 2021-2022, për të cilët ofrojnë mësim 15 mësues të profileve të ndryshme pedagogjike.

Bashkia Pustec, një ndër bashkitë më të vogla në Ballkan, e ka nivelin e angazhimit qytetar në proceset vendimarrëse dhe politikbërëse të ulët. Megjithatë interesi i të nxënësve të kësaj shkolle për të qenë pjesë e iniciativave planifikuese e zhvilluese të bashkisë është i madh. Të rinjtë u shprehën se e njohin Bashkinë si institucion, por asnjë prej tyre nuk kishte qenë ndonjëherë në bashki, e për më tepër nuk kishte marrë pjesë në ndonjë aktivitet që bashkia organizon për të rinjtë.

Të rinjtë u trajnuan mbi pushtetin vendor, planifikimin buxhetor të bashkisë, pjesëmarrjen e tyre në vendimmarrje, advokimin dhe hartimin e një projekti. Të kuptuarit të nevojave më kryesore që të rinjtë kanë në jetën e tyre të përditshme dhe në shkollën që ata ndjekin, janë të rëndësishme. Këto nevoja duhet të identifikohen, të artikulohen qartë dhe të adresohen në institucionet përgjegjëse vendimmarrëse.

Investimet në infrastrukturën shkollore janë kompetencë e njësisë së vetqeverisjes vendore. Marrja pjesë direkte e nxënësve në evidentimin e problemeve në infrastrukturën e shkollave të arsimit të mesëm publik, i bën këto nevoja prioritare për t’u përmbushur nga bashkia. Në këtë mënyrë nxënësit ndikojnë ndjeshëm në vendimmarjen e bashkive për infrastrukturën e shkollave. Sipas Ligjit 75/2019 “Për rininë”, kompetencat dhe përgjegjësitë e njësisë së vetëqeverisjes vendore për rininë janë:

  • pasqyrimi dhe respektimi i të drejtave të të rinjve, duke përcaktuar objektivat dhe

prioritetet, si dhe të garantojnë zbatimin e tyre

  • krijimi i këshillit vendor të rinisë
  • organizimi dhe koordinimi i veprimtarive që synojnë arritjen e objektivave vendore në fushën e mbrojtjes dhe të fuqizimit të të rinjve
  • organizimi dhe ofrimi i veprimtarive për të mbështetur mirëqenien dhe zhvillimin e të rinjve
  • nxitja e vullnetarizmit të të rinjve dhe edukimi joformal të tyre
  • financimi i krijimit dhe zhvillimit të infrastrukturës rinore dhe të hapësirave rinore të sigurta
  • krijimi i strukturave administrative për çështjet e rinisë
  • parashikimi në buxhetet e tyre, të fondeve për realizimin progresiv të të drejtave të të rinjve për zhvillimin e projekteve, programeve dhe veprimtarive rinore
  • mbledhjen, analizimin dhe raportimin e të dhënave, në bashkëpunim me institucionet e tjera, për situatën e të drejtave të të rinjve në territorin e tyre

Të rinjtë e Pustecit, pas forcimit të kapaciteteve mbi mënyrën e advokimit në institucionet vendimmarrëse, shkruan dy projekt propozime për nevojat infrastrukturore të shkollës ku studiojnë. Ata kërkuan që të përmirësohen kushtet dhe pajisjet informatike si dhe të krijohet një laborator i ri bio-kimie. Një projekt propozim i nxënësve do të mbështetet nga qendra TED, ndërsa projekti tjetër do i prezantohet për mbështetje Bashkisë Pustec nga vet nxënësit që e hartuan. Në këtë mënyrë, nxënësit janë bërë pjesë e gjithë ciklit të identifikimit të nevojave dhe lobimit për plotësimin e tyre tek organet kompetente.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here