Rrëfimi i Nestor Thereskës: Sali Berisha ishte gjeni në mjekësi

Nuk ka punuar kurrë në klinikat private, ndërsa synimi i tij ka qenë gjithnjë të punonte me të varfrit: sepse ata që kanë, e gjejnë gjithnjë mënyrën. Nestor Thereska ka 50 vjet që merret me shëndetësinë dhe i jep asaj gjithçka ka

Intervistoi: Denisa Canameti

Nestor Thereska, profesori i njohur i nefrologjisë në Qendrën e Universitare Spitalore “Nënë Tereza”, në një rrëfim të veçantë për “Shëndet+” flet për rrugën e Nestor Thereska (2)gjatë në krye të shërbimit të veshkave, punën e tij në spitalet shtetërore, si dhe arsyet e refuzimit të punës në klinikat private. Përvojat e gjata jashtë vendit, nderimet nga vendet e tjera, mjekësia sot dhe dje, korrupsioni, shëndetësia falas, si dhe miqësia me kolegun e tij, Sali Berisha, janë në fokus të kësaj interviste të gjatë.

Doktor, prej sa kohësh e ushtroni profesionin e mjekut?

Kjo është një pyetje që më krijon njëfarë nostalgjie, emocioni. Unë kam mbushur 45 vjet në mjekësi, në praktikën e përditshme dhe 5 vjet student, domethënë 50 vjet që po merrem me mjekësinë. Gjithë jetën e kam kaluar në spital. Jeta ime është spital dhe vetëm spital. Nuk kam punuar asnjë ditë në klinika private.

Keni refuzuar oferta nga spitalet private?

Kam pasur shumë oferta. Të gjitha i kam refuzuar. Në formimin tim personal kam pasur disa shembuj qoftë nga vendi, qoftë nga profesorët e huaj ku kam kaluar shumë vite. Kam parë që mjekët më të suksesshëm, profesorët më të suksesshëm janë ata që ia kanë kushtuar jetën spitaleve. Ky parim më ka bërë që edhe të humbas në disa gjëra të tjera, por jam i kënaqur që punova gjithë jetën në spital.

Keni pasur një qëllim final në jetën tuaj profesionale, mendoni se në 50 vite karrierë e keni arritur atë qëllim?

Kam qenë shumë ambicioz në shkencë. I shikoja me zili ata që bënin doktoratura, merrnin tituj dhe punonin. Unë ngela pas në një periudhë. Profesori im i parë që më ka drejtuar, ka qenë professor Ylli Popa. Një njeri me kulturë jashtëzakonisht të madhe. Ai më thoshte: “Nestor, në radhë të parë merru me të sëmurin, me vizitën e të smëurit, me konsultimin e të sëmurit, me leximin e librave”.

Dëshirën për librin shkencor profesional artistik ma nxiti Ylli Popa. Shoqëria jonë e gjerë e kishte simbol. Ai më këshillonte që ta lija një herë punën shkencore. Mua më vinte dhe pak inat. Mbaj mend që i vajta në shtëpi dhe i thashë që kolegët e tjerë s’po punojnë dhe janë bërë të gjithë kandidatë shkencash, a të futem dhe unë e të bëj dezertacionin (që ishte atëherë). Me të qeshur më tha që ndoshta ka ardhur koha që pas kësaj përvoje 10-11-vjeçare që kisha punuar, t’i pasqyroja dhe në një dezertacion.

Ka dhe një grup mjekësh, edhe këtu, edhe jashtë që shohin atë interesin e ngushtë që të bëhen kandidatë shkencash, ajo të shton dhe rrogën. Në atë kohë nuk të shtonte rrogë, ishte thjesht stimul moral.

Nga e majta në të djathtë doktorët e oborrit të bllokut Vangjel Todri Arben Hoxha Sali Berisha Lutfi Balili Sabit Brokaj Abdulla Bilali Nestor Thereska Thanas Gjika Mentor Petrela

Nga e majta në të djathtë doktorët Vangjel Todri, Arben Hoxha, Sali Berisha, Lutfi Balili, Sabit Brokaj, Abdulla Bilali, Nestor Thereska, Thanas Gjika, Mentor Petrela

A vazhdon të mbetet rroga e mjekut më tepër “stimul moral” sesa vlerësim real i punës?

Jam marrë edhe me këtë problem për vite të tëra. Ka një rritje të konsiderueshme të rrogës së mjekëve. Për mua, që e njoh sistemin mjekësor të vendit tonë dhe të vendeve të Evropës, e di që ka një rritje të konsiderueshme, duke marrë në konsideratë edhe rrogat që janë në Ballkan.

E vetmja që do parë pak me vëmendje është sistemi i rojeve. Ne çalojmë në këtë drejtim. Një mjek në Francë, në Itali, por edhe në vendet përreth: Greqi, Maqedoni etj. 1 mjek që bën roje është hero. Ata që punojnë në dializë janë heronj, merren me të sëmurë rëndë, me depresion, të sëmurë që kanë kërkesa në të gjithë botën.

Mbaj mend që një profesor imi, i famshëm në Paris, më pati thënë se në fillim mjekët duhet të vuajnë. Ne në fillim i fusim mjekët në dializë, më pas me kalimin e viteve i fusim dhe në klinikë. Prandaj mjeku në pikëpamje të rojes duhet trajtuar pak më mirë.

Qeveria jonë ka ndërmarrë një nismë për shëndetësi falas, a mendoni se mund të realizohet ky objektiv?

Shëndetësia falas është një koncept i vështirë për t’u kuptuar. Më kujtohen mjekët francezë kur diskutoja me ta dhe u thoja “nuk është më mirë shëndetësia falas”?

Shëndetësia falas të bën pak dembel, të bën të mbyllesh në atë botën tënde. Ne jemi shtet i vogël. Duhet të bëjë investime shteti, por duhet të investojë dhe i sëmuri, populli të paguajë diçka. Nuk do paguajë sigurimet shoqërore ai që është pa rrogë, ai që është pa ndihmë ekonomike, por ai që ka rrogë, biznesmeni duhet të paguajë për sigurimet shëndetësore.

Jeni lodhur ndonjëherë nga kjo punë?

Edhe jam penduar ndonjëherë që gjithë jetën time e kalova në spital. Ndoshta duhet të kisha qenë pak më i lirë në kohë edhe për problemet familjare. E ka paguar familja gjithmonë jetën time që kam bërë nëpër spitale. Nuk jam penduar për punën time, as nuk jam lodhur. Vetëm mund të them që jam i lumtur dhe i gëzuar që kudo që vete në Shqipëri, pritem siç nuk e meritoj ndonjëherë. Them sikur e teprojnë pak.

Gjatë kësaj kohe unë kam pasur edhe disa funksione drejtuese si Rektor i Universitetit, zv.rektor i Universitetit të Tiranës. Unë kam dashur dhe kam kontribuar që të arrihet specializimi i mjekëve shqiptarë nga Maqedonia dhe Kosova. Jam i lumtur që ky kontribut ndihet.

Shoh nxënësit e mi, studentët e mi, kolegët e mi që kanë marrë drejtimin e nefrologjisë në Kosovë, në Maqedoni dhe ndihem vërtet mirë.

Për të mbetur pak tek studentët, a mendoni se janë të krahasueshëm me studentët e Francës, Italisë apo të vendeve tjera që ju njihni dhe keni qenë prezent?

Jo! Duhet thënë që kontributi ynë në drejtim të studentëve ka lënë pak për të dëshiruar. Ne i jemi kushtuar anës mjekësore dhe anën pedagogjike e kemi neglizhuar disi. Kjo ndihet besoj. Sistemi arsimor do reformimin duke marrë një model sa më të mirë.

Pas gjithë këtyre nderimeve, ndiheni fatlum që jeni mjek në një vend të vogël e të varfër (edhe në vlerësime) si Shqipëria?

Unë jam krenar. Jam edhe anëtar i asociuar i Akademisë shqiptare dhe ndiej detyrim. Kam punuar gjithë jetën me pasion e shpirt për vendin tim, për mjekësinë dhe kudo që kam vajtur nëpër botë kam thënë me zë të lartë: Jam shqiptar.

Ku ndryshon mjekësia e para disa viteve me mjekësinë sot?

Mjekët ishin më punëtorë, më të sakrificës. Ndoshta dhe nga frika se, nëse të hiqnin nga puna, ku do shkoje?! Ndërsa sot nëse iki nga këtu, ka plot alternativa të tjera.

Keni përmendur herë pas herë miqtë e huaj. Nëse u referohemi miqve shqiptarë… Sali Berisha ka qenë ndonjëherë koleg dhe miku juaj?

Po ka qenë kolegu im. Punonte në kat të dytë. Pasionant në punë. 15 vjet vija në punë me doktor Saliun. Vinim në 8 të mëngjesit dhe iknim në 12 të natës.

Cili kostum i rri më mirë: ai i mjekut, mikut apo politikanit?

Nëse do zgjidhja, do thoja kostumin e mjekut. Ai ishte “zheni” në mjekësi.

E prisnit karrierën e gjatë të kolegut tuaj në politikë?

Ai edhe në politikë mbeti njeri i zgjuar, me talent, me guxim. Por në mjekësi ka shkëlqyer. Ishte nga të parët në Shqipëri që përdorte kompjuterin. Kishte një kujtesë fantastike. I qepej të sëmurit në mënyrë të jashtëzakonshme.

Cili mendoni se është suksesi më i madh i Berishës në politikën e tij? Po dështimi më i madh?

Nuk mund të them asgjë në këtë drejtim. Do të gjykohet çdo gjë kur të kalojnë vitet. Historia do t’i vërë në vend të gjitha.

Përse doktor Nestori nuk u bë kryeministër i Shqipërisë si miku i tij Berisha?

Kurrë nuk e kam dashur politikën dhe, kur kanë tentuar të më fusin në politikë, kam refuzuar.

(Intervista e plotë u botua në numrin e 13 tetorit 2014 të gazetës “Shëndet+”)

Postime të ngjashme

Ndryshim në krye të QSUT-së, Evis Sala emëron Rudina Degjonin Drejtoreshë të Përgjithshme
Këmbët e ënjtura? Ja ushqimet që ndihmojnë dhe ato që duhet të shmangni
"Shet produkte të rrezikshme"- Komisioni Europian gjobit TEMU-në me 200 mln dollarë
8 fruta me përmbajtje të ulët sheqeri
Shpërthimi i Ebolas, OBSH shpall emergjencë globale
3 gjëra që duhet të bëni për të pasur lëkrë me shkëlqim
Zakonet që do t'ju "shpëtojnë" nga fryrja e barkut
5 mite dhe të vërteta rreth sëmundjeve venoze