Paradoksi i shëndetësisë shqiptare: Të parët në Ballkan për shpenzimet spitalore, të fundit për financimin publik

Të dhënat më të fundit të Eurostat tregojnë se shqiptarët shpenzojnë më shumë për kujdesin spitalor se qytetarët e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, kjo nuk lidhet me investime më të larta të shtetit, por me barrën e rëndë financiare që mbajnë vetë pacientët.

Financimi i sistemeve shëndetësore dhe menaxhimi i kostove të kujdesit spitalor mbeten një nga sfidat kryesore për vendet e Ballkanit Perëndimor. Të dhënat më të fundit të publikuara nga Eurostat për vitin 2024 tregojnë se Shqipëria rezulton vendi me shpenzimet më të larta për banor për shërbimet e kujdesit ndaj pacientëve të shtruar në spital. Sipas statistikave, në vitin 2024 shpenzimet për kujdesin spitalor arritën në 135 euro për banor në Shqipëri. Pas saj renditen Bosnjë dhe Hercegovina me 111 euro, Serbia me 92 euro, Mali i Zi me 79 euro, ndërsa Maqedonia e Veriut paraqet nivelin më të ulët në rajon me 42 euro për banor.

Këto shifra përfaqësojnë shpenzimet totale për kujdesin spitalor, duke përfshirë fondet publike, sigurimet shëndetësore dhe pagesat direkte që qytetarët kryejnë nga xhepi i tyre. Në pamje të parë, renditja e Shqipërisë mund të krijojë përshtypjen se sistemi shëndetësor shqiptar financohet më mirë se ai i vendeve fqinje. Në realitet ndodh e kundërta.

Sipas Raportit të Monitorimit të Shpenzimeve të Sektorit të Shëndetësisë 2025, të përgatitur nga Together for Life, Shqipëria vazhdon të ketë nivelin më të ulët të financimit publik për shëndetësinë në Ballkanin Perëndimor.

Të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për vitin 2023 tregojnë se vendi shpenzon vetëm 590 dollarë për banor për shëndetësinë, rreth 33% më pak se mesatarja e Ballkanit Perëndimordhe 42% më pak se mesatarja e vendeve të Bashkimit Evropian. Edhe treguesi i shpenzimeve korrente ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto konfirmon të njëjtën situatë. Shqipëria mbetet e fundit në rajon me rreth 7% të PBB-së, ndërsa mesatarja e vendeve të Bashkimit Evropian arrin në 10%, me vende si Gjermania, Franca dhe Austria që investojnë mbi 11% të PBB-së në shëndetësi.

Pse shqiptarët paguajnë më shumë?

Shpjegimi i këtij paradoksi qëndron tek struktura e financimit të sistemit shëndetësor. Ndërsa financimi publik mbetet i ulët, qytetarët detyrohen të mbulojnë një pjesë shumë të madhe të kostove të kujdesit shëndetësor. Sipas raportit të Together for Life, referuar te dhënave të Organizitas Botërore të Shëndetësisë në vitin 2023 pagesat nga xhepi për një pacient në Shqipëri arrijnë në masën e 48.27% e shpenzimeve totale, niveli më i lartë në Ballkanin Perëndimor.

Shpenzimet e shëndetësisë për banor në dollarë në vendet e Rajonit per vitin 2023. Burimi OBSH 2026

Këto pagesa nuk kufizohen vetëm te barnat apo bashkëpagesat zyrtare. Pacientët paguajnë për konsulta, analiza laboratorike, ekzaminime diagnostikuese, ndërhyrje kirurgjikale, trajtime spitalore, si edhe për shërbime që shpesh duhet të ofroheshin nga sistemi publik. Sa më i rëndë të jetë problemi shëndetësor dhe sa më urgjente të jetë nevoja për trajtim, aq më i madh bëhet presioni për të paguar.

Mungesa e financimit i shtyn pacientët drejt pagesave shtesë

Përtej statistikave, dëshmitë e pacientëve tregojnë se si nënfinancimi i sistemit shëndetësor përkthehet në kosto reale për qytetarët. Anketimi i realizuar nga Together for Life evidenton se shumë pacientë janë detyruar të bëjnë pagesa shtesë ose t’i drejtohen sektorit privat për të marrë shërbimin në kohën e duhur ose sipas protokolleve të trajtimit.

Një paciente 55-vjeçare nga Tirana tregon se, për të mos humbur operacionin e planifikuar në spitalin publik, u detyrua të paguante për një konsultë specialistike.

“Kam paguar për një konsultë, pasi data e dalë nga doktori i lagjes ishte pas një muaji dhe unë isha për operim. Më duhej përgjigjja e konsultës dhe doktori s’më mori përsipër, por sapo e pagova, më vizitoi menjëherë.”

Një tjetër pacient rrëfen se mungesa e një pajisjeje diagnostikuese funksionale në spitalin publik e detyroi të kërkonte shërbimin në sektorin privat.

“Jam drejtuar në sektorin privat për të marrë një shërbim shtesë të cilin nuk e ofronte sistemi shtetëror. Echo kardiake ishte e prishur dhe nuk doja të prisja sa të rregullohej.”

Këto dëshmi pasqyrojnë një problem që shkon përtej rasteve individuale. Pagesat nga xhepi nuk janë gjithmonë rezultat i një zgjedhjeje personale, por shpesh lidhen me vonesat në ofrimin e shërbimeve, mungesën e kapaciteteve, pajisjet jashtë funksionit, mungesën e barnave apo nevojën për të ndjekur trajtimin sipas protokolleve klinike. Këto janë problematika që lidhen drejtpërdrejt me nivelin e financimit të sektorit shëndetësor dhe me mënyrën e shpërndarjes së burimeve publike.

Veçanërisht shqetësuese mbetet situata e pacientëve me sëmundje onkologjike. Gjatë viteve të fundit, ata janë përballur vazhdimisht me ndërprerje në trajtimin sipas protokolleve për shkak të mungesës së barnave bazë, pajisjeve diagnostikuese dhe aparaturave mjekësore funksionale. Edhe pse në katërmujorin e fundit të vitit 2025 u krye një rialokim i buxhetit me fonde shtesë për Spitalin Onkologjik në QSUT, kjo ndërhyrje solli vetëm një përmirësim të përkohshëm të situatës, ndërsa vështirësitë vijuan të raportoheshin edhe gjatë vitit 2026. Si pasojë, një pjesë e pacientëve me sëmundje tumorale deklarojnë se janë detyruar të mbulojnë vetë kostot e analizave, ekzaminimeve apo trajtimeve për të mos ndërprerë terapinë. Në raste të tjera, ata i janë drejtuar institucioneve shëndetësore private brenda vendit ose kanë kërkuar trajtim në spitale jashtë Shqipërisë, duke përballuar kosto të konsiderueshme financiare.

Këto raste ilustrojnë qartë se, kur sistemi publik nuk arrin të garantojë akses të vazhdueshëm dhe në kohë në shërbimet shëndetësore, barra financiare zhvendoset tek pacientët dhe familjet e tyre. Në këtë mënyrë, nënfinancimi i sektorit nuk mbetet thjesht një tregues buxhetor, por shndërrohet në një faktor që ndikon drejtpërdrejt në aksesin, vazhdimësinë dhe cilësinë e kujdesit shëndetësor.

Objektivat e politikave shëndetësore mbeten në letër

Raporti i Together for Life evidenton se, megjithëse shpenzimet funksionale për shëndetësinë janë rritur në terma nominalë, nga rreth 49 miliardë lekë në vitin 2018 në 76.6 miliardë lekë në vitin 2025, kjo rritje nuk është shoqëruar me një rritje të peshës së financimit publik ndaj ekonomisë apo ndaj buxhetit të shtetit. Përkundrazi, financimi publik për shëndetësinë vijon të mbetet në nivele të pamjaftueshme për të përmbushur objektivat strategjikë të vendit.

Në vitin 2025, shpenzimet publike për shëndetësinë përfaqësojnë vetëm 2.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe 9.6% të shpenzimeve totale publike, dukshëm nën objektivat e përcaktuara në Strategjinë Kombëtare të Shëndetësisë 2021-2030, e cila synonte arritjen e 4% të PBB-së dhe 12% të shpenzimeve totale të qeverisë deri në vitin 2025.

Ky hendek ndërmjet angazhimeve politike dhe realitetit financiar kufizon aftësinë e sistemit shëndetësor për të zgjeruar mbulimin me shërbime, për të garantuar furnizim të qëndrueshëm me barna dhe pajisje, për të reduktuar listat e pritjes dhe, mbi të gjitha, për të ulur barrën financiare që rëndon mbi pacientët.

Të dhënat e analizuara në këtë investigim tregojnë se paradoksi i sistemit shëndetësor shqiptar nuk qëndron tek niveli i lartë i shpenzimeve për kujdesin spitalor për banor, por tek mënyra se si financohen këto shpenzime. Ndërsa Eurostat e rendit Shqipërinë të parën në Ballkanin Perëndimor për shpenzimet totale për kujdesin spitalor, të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe analiza e Together for Life tregojnë se vendi investon më pak fonde publike për shëndetësinë se çdo vend tjetër i rajonit. Diferenca mbulohet nga qytetarët, të cilët vazhdojnë të përballojnë një nga nivelet më të larta të pagesave direkte nga xhepi në Evropë.

Për ekspertët e shëndetësisë, kjo situatë nuk përbën vetëm një problem buxhetor, por një çështje të aksesit të barabartë në kujdes shëndetësor. Sa kohë financimi publik mbetet nën objektivat strategjikë, pacientët do të vazhdojnë të paguajnë për shërbime që duhet të mbulohen nga sistemi, të përballen me vonesa në diagnostikim dhe trajtim, ose të detyrohen t’i drejtohen sektorit privat dhe, në raste jo të pakta, edhe spitaleve jashtë vendit.

Në këtë kontekst, rritja e financimit publik nuk është thjesht një objektiv fiskal apo statistik. Ajo përbën një kusht thelbësor për garantimin e mbulimit shëndetësor universal, për mbrojtjen financiare të qytetarëve dhe për ndërtimin e një sistemi shëndetësor që ofron kujdes cilësor, në kohë dhe të barabartë për të gjithë.

*Ky shkrim është prodhuar në kuadër të projektit “Promovimi i llogaridhënies dhe transparencës në sektorin shëndetësor në Shqipëri” mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED)

Postime të ngjashme

60 kursantë të Akademisë së Sigurisë në spital me simptoma helmimi, Policia: AKU ka marrë mostra të ushqimeve të konsumuara
Helmohen sërish kursantët e Akademisë së Sigurisë, 30 persona përfundojnë në spital
I nxehti ekstrem, kush janë kategoritë më të rrezikuara
Ndahet nga jeta doktori i njohur pediatër Edi Tushe
Trump thyen rekordet, 22 specialistë marrin pjesë në kontrollin e tij mjekësor
Dy fëmijë humbin jetën nga fruthi! Rriten rastet e infektimit në Britaninë e Madhe, ndërsa shkalla e vaksinimit bie
Projekti i shëndetësisë, Banka Botërore bën bilancin: Nga “rrëzimi” i reformës së financimit te digjitalizimi
Plotësoi skedën e vdekjes së një 85-vjeçareje, doktoresha merret nën hetim/ Reagojnë mjekët në Mamurras