Rritja e rasteve pozitive me COVID-19/ BE heq Shqipërinë nga lista e vendeve të sigurta

Përmes një vendimi të marrë dje, Këshilli i BE-së ka rikthyer kufizimet për shtetasit shqiptarë që duan të udhëtojnë në zonën Shengen. Kjo, së paku për një periudhë 2- javore, deri më 23 shtator, ku do të ketë sërish një rivlerësim të situatës epidemiologjike që do të diktojë ecurinë e mëtejshme të masave.

Në zonën e kuqe, krahas Shqipërisë janë përfshirë edhe Serbia, Japonia, Armenia dhe Azerbajxhani. Ndërkohë është rekomanduar heqja e kufizimeve për Australinë, Bosnjën, Kanadanë, Moldavinë, Arabinë Sauditë, madje edhe Kinën.

Vendosja e vetos për Shqipërinë pengon lëvizjen e qytetarëve shqiptare në drejtim të vendeve të unionit. Deri në një njoftim të dytë, kufijtë do të jenë të mbyllur, me përjashtim të disa kategorive të veçanta të qytetarëve siç janë ata që kanë dokumentacion të rregullt në vendet e BE-së, personeli shëndetësor, diplomatët apo studentët. Por kjo nuk përjashton mundësinë që shtetet anëtare të heqin kufizimin e përkohshëm të udhëtimeve në BE për udhëtarët plotësisht të vaksinuar. Duke qenë se certifikata e vaksinimit e lëshuar nga autoritetet shqiptare ende nuk është e vlefshme për kalimet në kufi, pra, nuk njihet ende nga BE, qytetarët do të përballen veç kërkesës për të paraqitur përgjigjen e tamponit, edhe me karantinë. Në shumë shtete, përfshirë së fundmi Gjermaninë, karantina 10-ditore është e detyruar.

Sakaq, lista e gjelbër e BE-së pritet të përditësohet pas dy javësh, me vende që hyjnë apo që dalin nga kjo listë, në varësi të shifrave të infeksionit, por edhe të plotësimit të kritereve të vëna. Më herët, BE ka treguar rezerva për mënyrën sesi po menaxhohet pandemia e COVID-19 në vendin tonë. Strategjia e ndjekur për detektimin e rasteve me COVID-19, numri i testeve të kryera dhe rregullat e caktuara për të penguar përhapjen e infeksionit nuk e bindën Bashkimin Europian që të hapë kufijtë me Shqipërinë për disa muaj me radhë, deri në fund të korrikut.

Postime të ngjashme

Shtatë fëmijë të Kopshtit nr. 10 në Vlorë përfundojnë në spital, dyshohet për helmim nga ushqimi
Produktet e pasigurta në treg, alarmi vjen nga Belgjika; kontrollet në Shqipëri ranë me 33% në 2025
Buxheti 2027/ Spahiu: 117.8 miliardë lekë për shëndetësinë dhe mirëqenien sociale
Përtej vitaminës D: Si ndikon drita e diellit në metabolizëm dhe sheqerin në gjak
Pudinga me copëza xhami në treg, AKU: Mos e konsumoni
Medikamentet GLP-1 RA: Çfarë duhet të presin personat me obezitet nga trajtimi me këto barna?
QSUT prej muajsh pa aparaturën e Litotripsisë, pacientët me gurë në veshka pa shërbim
Tragjedi në Spitalin e Traumës në Tiranë/ Pacienti hidhet nga kati i tretë dhe humb jetën, policia nis hetimet