Elena Beta, gazeta “Shendet+”
“Ka më shumë gjëra që i bashkojnë të rinjtë në botë se sa gjëra që i ndajnë ata”, u shpreh Brajan Williams, Përfaqësues i Përhershëm i OKB-së në Shqiperi gjatë fjalimit të tij në aktivitetin e organizuar nga rrjeti Y-PEER, YMCA Tirana, si pjesë e rrjetit “Zëri i të rinjve”, në bashkëpunim me Ministrinë e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit të Kosovës, mbështetur nga UNFPA dhe OSCE në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Rinisë.
“Rruga drejt vitit 2030: Zhdukja e varfërisë, arritja e konsumit dhe prodhimit të qëndrueshëm”, ishte tema që mblodhi bashkë përfaqësues nga Institucionet dhe organizatat e shumta rinore në këtë ditë të rëndësishme, për të vijuar me aktivitetet maratonë në Tiranë dhe qytetet të tjera të vendit.
Pedalimi në Sheshin Nënë Tereza duke vazhduar drejt Muzeut Kombëtar dhe Qendrës Rinore, nga të rinjtë e pranishëm, shënoi dhe fillimin e aktiviteteve në këtë ditë që festohet në mbarë Globin dhe paraqet një mundësi për çdo vend për të vlerësuar investimet dhe angazhimin e tyre për të rinjtë.
“Në kuadër të kësaj dite, duhet të përgatisim paketa afatgjata, aksione të vazhdueshme si dhe të përkthejmë aktivitetet në ngjarje të vërteta. Vetëm nëpërmjet nismave të tilla mund të bëhet një hap i qëndrueshëm në përpjekjet e përbashkëta për të ngritur dhe forcuar zërin e të rinjve në vendin tonë”, tha Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Blendi Klosi, në fjalën e tij përshëndetëse.
Brajan Williams, Përfaqësues i Përhershëm i OKB-së në Shqiperi, pjesë e panelit, theksoi se shumë anëtarë të OKB-së po punojnë fort lidhur me çështjet e rinisë në bashkëpunim me organizata të tjera që mbështesin këtë sektor si UNFPA apo PNUD. “Zhdukja e të gjitha formave të diskriminimit me të cilat përballen sot të rinjtë, sidomos vajzat e reja pre e martesave të hershme, është çelësi për arritjen e suksesit dhe qëndrueshmërisë në këtë sektor kaq delikat, përfundoi Williams.
“Të rinjtë janë fjala e fundit e shkencës, pasi kanë në dorë informacionet e fundit lidhur me risitë në teknologji. Për ne si OSBE, të rinjtë janë parterët kyç në avancimin e dialogut përtej vijave partiake dhe territoriale. Zhvillimi i mirëkuptimit më të thellë si dhe shkëmbimi i ideve në rajon, vazhdon të jetë në nivel të ulët, prandaj dhe puna që duhet të bëjmë të gjithë ne për të ndryshuar këtë fenomen është me të vërtetë e madhe.”, tha Robert Willton, përfaqësues i OSBE, duke vënë theksin në mbështetjen dhe mundësitë që do të ofrojë për rininë projekti Ryko, me seli në Tiranë si një hap vigan në këtë drejtim.
Elma Tershana përfaqësuese e Observatorit për të Drejtat e Fëmijëve, njëkohësisht dhe organizatë koordinuese e këtij aktiviteti, falënderoi të gjithë të rinjtë për punën e bërë gjatë këtyre ditëve dhe theksoi se rritja e punësimit për të rinjtë është një nga pikësynimet për të cilën po punohet fort në mënyrë të vazhdueshme duke e parë këtë edhe si një mundësi për të parandaluar martesat e vajzave në moshë të hershme.
Pjesë e panelit ishte Z. Faton Peçi, përfaqësues i Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit të Kosovës i cili u shpreh i kënaqur nga bashkëpunimi me Qeverinë Shqipëtare duke theksuar dëshirën për vazhdimësi të aktiviteteve të përbashkëta mes dy vendeve si një mundësi e mirë për të arritur me sukses objektivat për zhvillim të qëndrueshëm në sektorin e rinisë.
Pas përfundimit të diskutimeve në sallë, duartrokitjeve entuziaste si dhe fotove që nuk munguan, të gjithë u zhvendosën në Parkun Rinia për t’u bërë pjesë e Flash Mob-it dhe festës pasuese e cila mblodhi rreth vetes çdo të pranishëm duke marrë përmasat ideale që i shkonin për shtat një dite të tillë…
Work shop-i me temë “Rruga drejt vitit 2030: Zhdukja e varfërisë, arritja e konsumit dhe prodhimit të qëndrueshëm” ishte aktiviteti i rradhës për të vazhduar më tej me një aktivitet letrar dhe koncertin me artistët e rinj shqipëtarë dhe të të gjitha trevave dhe zhanerave muzikore tek Liqeni Artificial.


