Ligji u njeh të gjithë personave që kanë fituar zotësi për të vepruar të drejtën për të gëzuar dhe disponuar lirisht sendet, pronën, brenda kufijve të caktuar nga ligji. Të gëzosh sendin apo pronën do të thotë ta përdorësh dhe ta shfrytëzosh vet atë, ose ta japësh në përdorim tek të tjerët. Prona mund t’u jepet të tjerëve me qira, me qëllimin për të nxjerrë të ardhura, ose me huapërdorje. Të disponosh pronën do të thotë që të kesh të drejtë të përcaktosh “fatin” e sendit/pasurisë. Pra, pronari/ja i/e një pasurie, ka të drejtë të kryejë veprime juridike të ndryshme si shitje, shkëmbim, ta vendosni në hipotekë, madje mund të heq dorë nga një e drejtë që ka mbi sendin. Gëzimi i plotë i të drejtës mbi pronën e të gjithë bashkëpronarëve, veçanërisht bashkëshortëve, u jep atyre të drejtë të gëzojnë në mënyrë të barabartë edhe frytet që rrjedhin nga prona.
Të drejtat pronësore fitohen përmes: dhurimeve, trashëgimisë, blerjes së pronës. Trashëgimia ka një rol dhe vend të veçantë në statusin pronësor veçanërisht të gruas. Një grua bëhet pronare kryesisht për shkak të bashkëpronësisë bashkëshortore ose trashëgimisë nga familja e origjinës, ose nga bashkëshorti pas vdekjes së tij. Që prona të fitohet me trashëgimi, duhet të ketë vdekur personi që lë pasuri në trashëgim dhe personi që fiton trashëgiminë të jetë në rrethin e trashëgimtarëve. Trashëgimia fitohet me ligj ose me testament. Trashëgimia me ligj zbatohet kur trashëgimlënësi nuk ka bërë testament. Nëse ndonjë nga trashëgimtarët ose të gjithë kanë nënshkruar një marrëveshje përmes të cilës ato shprehen për mënyrën se si do të përdoren të drejtat që rrjedhin nga një trashëgim ende i paçelur, marrëveshja është e pavlefshme.
Ndonjë nga trashëgimtarët, pas çeljes së testamentit mund të vendosi të heq dorë nga e drejta e trashëgimisë. Që heqja dorë të njihet ligjërisht duhet të bëhet me deklaratë të shkruar, që regjistrohet tek noteri i njësisë vendore ku është çelur trashëgimia, ose me deklaratë noteriale të redaktuar nga noteri. Heqja dorë mund të bëhet edhe me anë të një përfaqësuesi të pajisur me prokurë të posaçme. Kjo, mund të kryhet brenda 3 muajve nga çelja e trashëgimisë dhe kur trashëgimtari është jashtë shtetit, jo më vonë se 6 muaj nga çelja e trashëgimisë. Është e pavlefshme heqja dorë nga trashëgimi, e bërë para çeljes së trashëgimisë, ose kur bëhet me kusht, me afat, ose për një pjesë të trashëgimit, apo në dobi të njërit nga trashëgimtarët e tjerë. Gratë dhe vajzat janë ato që heqin dorë më shpesh nga e drejta e trashëgimisë dhe kjo më së shumti ndodh për shkak të presionit dhe mentalitetit që ndikon mbi vendimmarrjen e saj. Përpara se të marrë vendimin për heqjen dorë nga e drejta e trashëgimisë, gruaja duhet të këshillohet me një ekspert ligjor për t’u informuar rreth pasojave që mund të vijnë nga ky vendim.
Një nga mënyrat e fitimit të pronës është për shkak të martesës. Çdo çift që ka zgjedhur regjimin e “bashkësisë ligjore”, pasuritë e fituara gjatë martesës nga secili prej bashkëshortëve bëhet pasuri e përbashkët. Pasuritë e fituara me trashëgim nga njëri prej bashkëshortëve konsiderohet si pasuri vetjake e përfituesit të testamentit dhe nuk trajtohet si pasuri e përbashkët e bashkëshortëve, përveç në rastet kur trashëgimlënësi ka vendosur ndryshe. Po ashtu, si pasuri vetjake konsiderohen edhe pasuritë e fituara me dhurim; pasuritë e përfitimit ngushtësisht vetjak; mjetet e nevojshme të punës për ushtrimin e profesionit; pasuria e fituar nga shpërblimi i dëmit vetjak; pasuria e fituar nga tjetërsimi i pasurive vetjake; shkëmbimi i tyre, kur kjo është deklaruar shprehimisht në aktin e blerjes.
Martesa ka impaktin e vet pasuror e financiar. Ka një tërësi rregullash në Kodin e Familjes që i dedikohen pikërisht marrëdhënieve pasurore të bashkëshortëve. Këto rregulla përbëjnë atë që KF e përfshin në “regjimet pasurore martesore”. Çasti/koha e lidhjes së martesës ka ndikim në kategorizimin e pasurisë në pasuri para martesore ose post martesore. Nga ana tjetër, regjimi pasuror, i cili mund të jetë me ligj ose me kontratë, ndikon në kategorizimin e pasurive si vetjake apo të përbashkëta. Dy janë regjimet kryesore pasurore: regjimi me ligj dhe regjimi me kontratë.
Ligji rregullon bashkësinë ligjore duke përcaktuar se cila pasuri dhe/ apo çfarë e ardhure është individuale për secilin bashkëshort, ose që u përket të dyve bashkë. Regjimi me kontratë mund të shfaqet në formën e bashkësisë me kontratë ose në formën e pasurive të ndara. Dispozitat e Kodit të Familjes parashikojnë se, në regjimin e bashkësisë ligjore, çdo pasuri e fituar gjatë martesës nga secili prej bashkëshortëve është pasuri e përbashkët e çiftit.
Në zyrat noteriale dhe zyrat e regjistrimit të pasurive, kontratat e shitblerjes duhet të kenë emrat e të dy bashkëshortëve dhe prona/t të regjistrohen në emrin e të dyve. Kjo u lejon të dy bashkëshortëve të ushtrojnë të drejta të barabarta që burojnë nga bashkëpronësia. Kjo do të shmangte, në rast konflikti mes çiftit, që njohja e bashkëpronësisë të kalonte nëpërmjet proceseve gjyqësore. Secili prej bashkëshortëve mund të kërkojë në çdo kohë që të regjistrohet si bashkëpronar. Kjo e drejtë garantohet shprehimisht në neni 41 të ligjit “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”. Pasuria e bashkëshortëve prezumohet e përbashkët, me përjashtim të rastit kur bashkëshorti provon karakterin e saj vetjak.
Ky material është plotësisht i financuar nga Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri – AWEN, nëpërmjet fondeve të Agjencisë Ndërkombëtare për Zhvillim dhe Bashkëpunim – Sida.
AWEN dhe Sida nuk janë domosdoshmërisht dakord me opinionin e shprehur. Vetëm ‘Together for Life’ është përgjegjës për përmbajtjen.