Për gazetën “Shëndet+”, Rudina Degjoni
“Politika shëndetësore është si not i sinkronizuar në një pishinë me peshkaqen”: Norbert Blum
Politikat e shëndetësisë globale sot
Politikat shëndetësore të mbrojtjes sociale dhe shëndetit janë dhe vazhdojnë të mbeten një sfidë globale, pasi popullsia po plaket dhe jetëgjatësia po rritet. Kjo do të thotë jo vetëm që kërkesat për investime të reja financiare në kujdesin shëndetësor do të jenë në rritje, por dhe vetë natyra e kujdesit shëndetësor do të ndryshojë gradualisht.
Sot vendet e zhvilluara po diskutojnë për nevojën e zhvillimit të mjekësisë rigjeneruese, për krijimin e vizionit të mjekësisë precize, për konceptin e mjekësisë dixhitalizuese, për inovacionin kërkimor shëndetësor, për krijimin e inteligjencës artificiale,
për krijimin e shkencës së re mjekësore bazuar në “big data medicine”, për përdorimin e të dhënave të saj, me qëllim krijimin e vlerës së re së mjekësisë precize, programimin e ndryshimeve dhe përafrimin e mënyrës së funksionimit të politikave shëndetësore në industritë globale.
Ndërkohë, këto veprime janë në diskutime dhe veprime “ad hoc” nga të gjitha palët e interesit të industrisë biomjekësore dhe biofarmaceutike, nga aktorë të tjerë të sistemit shëndetësor, nga burimet njerëzore si mjekë shkencëtarë, menaxherë shëndetësorë, inxhinierë biomedikalë, biologë e farmacistë për të nxjerrë në pah çështjet më të mprehta të ndryshimeve që priten, për të ofruar një “koleksion puzëll” të analizës më të detajuar të krijimit të vlerës së re të mjekësisë precize për shoqëritë dhe industritë.
Të gjitha këto për vetë faktin e përgjigjes së pyetjes se çfarë pritet të ndodhë vitet e ardhshme me “human health”; çfarë është “ shëndeti i njeriut” në një këndvështrim të nivelit biomolekular; çfarë është një “ human data base”; Studimet e fundit së pari tregojnë se popullsia botërore do të rritet me rreth një miliard njerëz, nga shtatë – tetë miliardë sot, e pikë së dyti, 50% e kësaj rritjeje do të jenë njerëz mbi moshën 50 vjeç.
Pra, do të kemi jo vetëm një popullsi të zgjeruar, por dhe një popullsi në plakje, kështu që politikat shëndetësore të mbrojtjes sociale dhe shëndetit do t’i shërbejnë një popullsie në plakje. Ky postulat duket që është i vetëkuptueshëm për shoqëritë e pasura e moderne shëndetësore, por ai përfshin disa aspekte specifike, sepse rreziqet e sëmundshmërisë në një masë më të gjerë përcaktohen jo vetëm nga mjediset sociale, por dhe nga prirja gjenetike e një personi, prandaj ato nuk mund të llogariten lehtësisht për individët e kësaj shoqërie. Kuptohet që nuk ka asgjë më shumë rezistente ndaj ndryshimit të pritshëm sesa dogma se si politikat e reja shëndetësore mund të mësojnë nga historia dhe evoluimi i shkencës gjatë dekadave. Edhe pse përfundimisht duhet thënë se dogmat janë duke u krijuar, p.sh. përfshirja e kortikosteroidit natyror në shumicën e studimeve të glukokortikoideve In vitro dhe In vivo mund të çojnë në gjetjen e një mjekimi jetëshpëtues, pasi kortizoli endogjen është vetëm anti-inflamator dhe imunosupresiv.
Pra, është e qartë se kortizoli e orkestron inflamacionin dhe imunitetin, duke mbrojtur homeostasin, por dhe duke ndërmjetësuar veprime pro –inflamatore që do të kontribuojnë në zhvillimin e sëmundjeve kardiovaskulare. Vihet re se politikat shëndetësore globale sot po përpiqen të zbatojnë integrimin horizontal të teknologjive nëpërmjet inovacionit të hapur. Politika të tilla do të konsolidohen nëpërmjet projekteve inovuese duke përfshirë modelin e biznesit, produkteve / shërbimeve. Sfida e ardhshme është të identifikohen të gjitha teknologjitë e nevojshme, industritë me burime “know-how” dhe nëse është e mundur edhe ofruesit e shërbimeve duke rritur vlerën optimale të zinxhirit me standarte e kosto efikasitet në një bazë “si të nevojshme” për shoqëritë.
Kjo do të jetë një teknologji me qasje ndihmuese për të krijuar një rrip transportieri si motor i gjeneratës së re të infrastrukturës globale teknologjike shëndetësore kaq të nevojshme për ndërtimin e produkteve precize shëndetësore, për një shoqëri më aktive dhe prodhuese, por dhe të krijimit të portofolit të shërbimit (dmth të bazave të të dhënave referuese, inteligjencës mjekësore të bazuar tek diagnostikimi, vendimi terapeutik, menaxhimi e gjykimi klinik, monitorimi shëndetësor, ecuria e sëmundjes, etj).
Por integrimi mbetet çelësi i suksesit. Në kundërshtim me urtësinë konvencionale të tanishme, ungjilltarët globalë të ideve të reja po angazhohen në mënyrë që të nxisin bashkëpunimin me rrjetin më të gjerë të vendeve më të pasura brenda dhe jashtë OECD, si dhe të organizatave të tjera. Çdo shoqëri ka nevojë për politika e vendimmarrje që të realizohen, si dhe për procese rentabile për shoqërinë. Ndonëse, shumica e ideve kanë kosto në miliardë dollarë për shoqëritë. P.sh. InnVentis është sot, një multi-omics / aparaturë në formë makine e të mësuarit. Qëllimi i saj është të ndërtojë një B2B dhe B2C për pacientin duke i dhënë zgjidhje precize shëndetësore të integruar vertikalisht me diagnostikim preciz, me marrjen e vendimeve terapeutike, me monitorimin e sëmundjeve kronike në kohë reale duke u mbështetur në atë që quhet inteligjenca artificiale.
Megjithatë, nuk duhet të harrojmë se shpërndarja e burimeve, e të dhënave shpesh kufizohet duke krijuar një avantazh konkurrues drejt një modeli më të shkallëzuar të biznesit dhe në këtë mënyrë i parandalon kapitalet dhe investimet nga investitorët strategjikë. Industritë biofarmaceutike në veçanti mbështeten në sekretet e tyre tregtare dhe padyshim të IP të tyre.
Politikat e shëndetësisë europiane sot
Politikat shëndetësore të vendeve të OECD kanë struktura të veçanta dhe kultura politike të veçanta në vetvete. Pra, është pothuajse e pamundur të përkufizohen politika standarde ekzakte të përbashkëta për cilësinë dhe infrastrukturën e tyre shëndetësore. Megjithatë, rezultatet nga “statistika 2015” të publikuara nga OECD në muajin korrik janë burim i plotë i krahasueshmërisë së politikave shëndetësore në të 34 vendet e OECD.
Kjo bazë të dhënash interaktive mund të jetë një “data base” për analiza krahasuese mbi gjendjen shëndetësore, faktorët e rrezikut për shëndetin, burimet e kujdesit shëndetësor, shfrytëzimin e tyre, shpenzimet shëndetësore dhe financimi për të nxjerrë mësime politikbërësit e politikave shëndetësore në vendin tonë.
Disa tregues të përgjithshëm tregojnë se për frymë shpenzimet shëndetësore në të gjitha vendet e OECD u rritën me 1.0% në terma realë të vitit 2014 dhe pritet të kenë rritje me të njëjtin ritëm deri në fund të vitit 2015, në përputhje me rritjen mesatare të GDP-së në vendet e OECD.
Rritja e shpenzimeve shëndetësore mbetet në nivel shumë të ulët se para krizës ekonomike kur rritja mesatare vjetore në të gjithë OECD ishte vetëm 3.4%. 1/3 (një e treta) e vendeve të OECD, kryesisht evropiane kanë njoftuar për një “prerje thellë” të shpenzimeve të përgjithshme të shëndetit në vitin 2015.
Greqia, Italia dhe Portugalia po reduktojnë vazhdimisht shpenzimet e tyre shëndetësore në vitet e fundit. Ndërsa mesatarisht shpenzimi shëndetësor publik ka mbetur konstant në rreth 73%, nevoja për të reduktuar deficitet publike në disa vende ka rezultuar me ndryshime të theksuara në burimet private të financimit nëpërmjet ndryshimeve në paketat shënetësore të përfitimeve si dhe në regjistrimin/zgjerimin e listës me përdorues të rinj të shërbimeve shëndetësore.
Në Greqi dhe Portugali shpenzimet në sektorin privat janë rritur rreth 4% që nga viti 2009 duke rezultuar në 1/3 e shpenzimeve shëndetësore që vijnë vetëm nga ky sektor. Vende të tjera të OECD kanë zgjeruar mbulimin universal të popullatës së tyre për një periudhe më të gjatë kohore. Dy vendet si Turqia dhe Meksika kanë reduktuar pagesat nga xhepi, (out-of-pocket payments) si rrjedhojë e rritjes së % të mbulimit publik të popullatës.
Të gjithë sektorët e sistemit shëndetësor kanë reduktuar shpenzimet e tyre. Kjo vihet re në rënien reale të sektorit farmaceutik për lobimin e patentave të reja për disa lloje medikamentesh/drogës. Politikat shëndetësore e kosto ruajtjes – mbajtjes konstante të nivelit shëndetësor në shumë vende kanë ulur ndjeshëm shpenzimet në sektorin farmaceutik. Gjithashtu rezulton se shpenzimet e politikave shëndetësore për promocionin shëndetësor, parandalimin shëndetësor në të tre nivelet e tij ka pasur reduktime të ndjeshme në këto vende.
Mësime për politikëbërësit e shëndetësisë në vendin tonë sot
Megjithëse ekonomitë e pasura, si ato në Gjermani, Francë apo Suedi sigurisht nuk janë pikat e duhura të referimit, ekziston një mësim bazë për t’u nxjerrë nga vendet e tjera europiane të OECD. Për shkak të synimit për anëtarësinë në BE dhe arritjes së standarteve aktuale të disa vendeve europiane, politikat tona shëndetësore duhet të kenë disa prioritete.
Vlen për t’u përmendur sfida për të rritur zgjerimin e shpenzimeve publike, për të rritur financimin e shëndetësisë për frymë në 2016-n mbetet për t’u verifikuar, pasi varet nëse buxheti do të realizojë parametrat fiskalë të parashikuar dhe nëse mosrealizimi i tyre do të shoqërohet me tkurrje të financimeve të sektorëve prioritarë.
Pra, gradualisht, risku do të rritet pasi rritja e shpenzimeve të shëndetësisë për frymë varet nga rritja e të ardhurave të sigurimeve shëndetësore. Rritjen e kujdesit parësor mirëfunksional dhe efektiv, menaxhimin dhe shfrytëzimin e burimeve materiale dhe njerëzore me eficencë të lartë, vendosjen e prioriteteve të autonomisë së strukturave shëndetësore, prioritetet e lidershipit për të siguruar, trajnuar njerëzit e duhur, rritja e integritetit të shoqërisë pasi prirjet e saj janë zhvendosur me kalimin e kohës, krijimi i metodave të hapura të koordinimit, krijimi dhe përhapja e aplikacioneve TIKSH (teknologjia e informacionit dhe komunikimit shëndetësor), krijimi i shoqërisë profesorët e shëndetit të arsimit e kërkimit, krijimi i shoqërisë së sigurimeve profesionale shëndetësore, rajonalizimi dhe decantralizimi i strukturave shëndetësore, zvogëlimi i numrit të spitaleve bashkiak non eficente, sigurimi i autonomise spitalore me borde drejtuese, futja e konceptit të marketingut shëndetësor, ndryshimi i kulturës organizative e menaxhuese spitalore, rritja e pjesëmarrjes së shoqatës së pacientit në politikat shëndetësore.
Si përfundim, duhet theksuar se është art dhe shkencë kjo sfidë shumë specifike e politikës shëndetësore, e cila duhet të fokusohet së pari tek cilësia e kujdesit shëndetësor për ta mbrojtur këtë prioritet kundrejt interesave të fitimit të një lobi të fuqishëm dhe shumë të pajisur financiarisht.
Marrëzia: “Duke bërë të njëjtën gjë pa pushim me pritshmërinë e ndryshimit të rezultateve”
Albert Ajnshtajn


