Në vitet e fundit është folur shumë për mënyrat si të mbajmë trurin aktiv dhe të mprehtë me kalimin e moshës. Shumë njerëz përdorin lojëra logjike apo aplikacione për trajnimin e trurit, por kërkime të reja sugjerojnë se një nga mënyrat më të thjeshta dhe efektive për të ruajtur shëndetin mendor është ndjekja e një rutine të rregullt fizike.
Ky është përfundimi kryesor i një studimi të botuar në British Journal of Sports Medicine, i cili ka nxitur diskutime mbi ndikimin e aktivitetit fizik në funksionet mendore dhe mbi llojet më të dobishme të ushtrimeve për tru më të fortë.
Çfarë tregoi studimi?
Studiuesit analizuan të dhëna nga 133 studime të mëparshme të kontrolluara për të kuptuar lidhjen mes ushtrimeve dhe trurit. Ata shqyrtuan ndikimin e aktivitetit fizik në aftësitë njohëse (si të menduarit, perceptimi dhe arsyetimi), në kujtesë dhe në funksionet ekzekutive (planifikimi dhe organizimi i mendimeve).
Rezultatet treguan se ushtrimet përmirësojnë dukshëm funksionin njohës, dhe në një masë më të vogël, edhe kujtesën dhe aftësinë për të organizuar mendimet. Këto përmirësime u vunë re në të gjitha grupmoshat, por më të ndjeshme ishin fëmijët dhe adoleshentët, të cilët patën rritje më të madhe të kujtesës.
Ndikimet pozitive zakonisht filluan të shfaqeshin pas rreth 12 javësh aktivitet të rregullt fizik. E rëndësishmja është se nuk nevojiten stërvitje intensive për të përfituar – madje edhe lojërat elektronike me aktivitet fizik ishin efektive në disa raste.
Pse ndihmon aktiviteti fizik shëndetin e trurit?
Sipas autorit kryesor të studimit, Dr. Ben Singh nga Universiteti i Australisë së Jugut, aktiviteti fizik rrit qarkullimin e gjakut dhe sjell më shumë oksigjen dhe lëndë ushqyese në tru – faktorë kyç për funksionin dhe fleksibilitetin e tij.
Gjithashtu, ushtrimet stimulojnë prodhimin e BDNF (faktor neurotrofik i derivuar nga truri), i cili nxit krijimin e qelizave të reja nervore dhe forcon lidhjet ekzistuese mes tyre.
“Ushtrimet e rregullta ndihmojnë gjithashtu në uljen e inflamacionit dhe stresit oksidativ, të cilët ndikojnë negativisht në funksionin njohës,” shton Singh.
Po ashtu, ushtrimet rrisin nivelin e neurotransmetuesve si dopamina, serotonina dhe norepinefrina – kimikate që ndikojnë drejtpërdrejt në humor, kujtesë dhe përpunim të informacionit. Ushtrimet ndihmojnë edhe në balancimin e kortizolit, hormonit të stresit, duke reduktuar efektet e tij të dëmshme në tru.
Roli i qarkullimit të gjakut
Dr. Steven Malin nga Universiteti i Rutgers shton se shëndeti i enëve të gjakut është gjithashtu thelbësor për funksionin e trurit. Kur trupi është joaktiv, enët e gjakut ngurtësohen dhe zemra e ka më të vështirë të pompojë gjak drejt organeve, përfshirë trurin.
Ushtrimet ndihmojnë gjithashtu në përmirësimin e funksionit të mitokondrive (strukturat qelizore që prodhojnë energji), duke reduktuar stresin oksidativ që mund të dëmtojë qelizat nervore.
Si ndihmon aktiviteti fizik në shëndetin mendor gjatë plakjes?
Me kalimin e viteve, truri pëson ndryshime natyrale që mund të çojnë në rënie të aftësive njohëse, tkurrje të trurit dhe rritje të rrezikut për sëmundje si Alzheimer dhe demenca. Por aktiviteti fizik ndihmon në ngadalësimin e këtyre proceseve.
“Ushtrimet ndihmojnë në ruajtjen e vëllimit të trurit, veçanërisht në zonat që lidhen me kujtesën, si hipokampusi,” thotë Singh.
Ato gjithashtu forcojnë lidhjet neurale përgjegjëse për funksionin ekzekutiv dhe kujtesën. Studimet tregojnë se njerëzit fizikisht aktivë kanë një rrezik më të ulët për të zhvilluar demencë. Aktiviteti fizik përmirëson gjithashtu shëndetin vaskular, duke ulur rrezikun e tensionit të lartë dhe goditjeve në tru.
Cilat janë ushtrimet më të mira për trurin?
Ekspertët bien dakord: çdo lloj lëvizjeje është më mirë se asgjë.
“Pak ushtrim është më mirë se aspak – dhe kurrë nuk është vonë për të nisur,” thotë Dr. Amit Sachdev nga Universiteti i Michiganit.
Studimi vuri në dukje disa lloje ushtrimesh me efekt të drejtpërdrejtë në shëndetin mendor:
- Ushtrime aerobike (si ecja, vrapi, noti, biçikleta): përmirësojnë qarkullimin e gjakut dhe kujtesën.
- Stërvitje me pesha: ndihmon në balancimin e insulinës, ul inflamacionin dhe forcon shëndetin mendor.
- HIIT (stërvitje me intensitet të lartë në intervale): rrit neuroplasticitetin dhe fleksibilitetin mendor.
- Joga, tai chi dhe vallëzimi: Qetësojnë mendjen dhe rrisin përqendrimin.
- Lojëra elektronike me aktivitet fizik (exergames): veçanërisht të dobishme për fëmijët dhe të moshuarit në forcimin e kujtesës dhe përqendrimit.
- Aktivitete të lehta (si ecja apo kopshtaria): gjithashtu sjellin përfitime për trurin.
Përfundim: Lëvizja është ilaç për trurin
Nëse doni të kujdeseni për shëndetin mendor, nisni të lëvizni – pavarësisht se me çfarë aktiviteti. Qoftë një shëtitje e lehtë apo një klasë dansi, trupi dhe mendja juaj do ta ndjejnë ndryshimin./ Shendeti.com.al/ Burimi: Prevention.com